Nga Boldnews.al
Votimi me 94 vota i draftit që do të ndryshojë sistemin e drejtësisë duket tepër i largët ndërsa dështimi i kryeministrit Rama për të mbajtur këtë premtim brenda këtij legjislacioni parlamentar është pothuajse i sigurtë. Boldnews.al mëson nga burime konfidenciale se në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, tema kryesore nuk ka qenë dhuna Balla-Malltezi por ngërçi për miratimin e reformës në drejtësi.
Të njëjta burimet bëjnë me dije, se Rama u ka kërkuar deputetëve socialistë që të bëhen gati për zgjedhje të parakohshme pasi është i bindur se Partia Demokratike nuk do të japë konsesusin për votimin e reformës në drejtësi. Në mbledhje kreu i qeverisë u ka vënë si kusht deputetëve që takimet me bazën socialiste të jenë më të shpeshta këto kohë ndërsa ka kërkuar edhe përfundmin e një programi të ri qeverisës i cili tashmë ka nisur prej disa muajsh.
Por Shtetet e Bashkuara nuk dakordësohen me zgjedhjet e reja. Pasditen e së hënës, Ambasadori Donald Lu fshikulloi edhe njëherë lidershipin e Partisë Demokratike, një lëvizje kjo për të imponuar deputetët demokratë që të votojnë draftin e reformës në drejtësi të mbështetur nga ndërkombëtarët.
Duke i dërguar një letër të hapur të rinjëve (simboli i LSI dhe PD), Donald Lu thotë se në tre raste që prej 4 majit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë ofruar propozime të arsyeshme kompromisi që janë pranuar nga mazhoranca, por “gjithmonë është gjetur diçka për të refuzuar nga Basha”.
“Është e vërtetë që Z. Rama dhe Z. Basha u përpoqën ta bënin këtë më 6 qershor. Ata dështuan në arritjen e një marrëveshjeje. Tre herë që prej 4 majit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë ofruar propozime të arsyeshme kompromisi. Mazhoranca i ka pranuar këto propozime. Z. Basha ka gjetur gjithmonë diçka për të refuzuar. Mendoj se populli shqiptar është i lodhur që politikanët e tij bëjnë lojëra. Nëse opozita dhe qeveria duan të realizojnë një marrëveshje, ne u kemi ofruar tre zgjidhje kompromisi që janë tërësisht në përputhje me paragrafët 61 dhe 88 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias.”– shkruhet në letrën e Donald Lu, i cili nuk përmend për asnjë moment bashkëkryetarin e mazhorancës Ilir Metën.
Edhe pse e goditur rëndë nga deklarata e Ambasadës Amerikane, Partia Demokratike është vënë në lëvizje duke lobuar në Uashington. Tre kongresmenë amerikanë, Dana Rohrabacher, David Jolly dhe Rober Aderholt i janë drejtuar Sekretarit të Shtetit, John Kerry me një letër për reformën në drejtësi në Shqipëri.
“Kongresmenët amerikanë duke iu referuar Komisionit të Venecias kanë sugjeruar si zgjidhje të çështjes së vetme ku palët nuk bien dakort, adoptimin dhe zbatimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias, duke e konsideruar këtë si garanci për një reformë të suskseshme dhe te gjithpranuar në drejtësi”– shprehet nënkryetarit të Komisionit për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi.
Me këtë letër, Partia Demokratike kërkon reflektimin e kryeministrit Rama për të plotësuar kërkesën e saj për rekomandimin nr. 88 të Komisionit të Venecias.
“Urojmë dhe shpresojmë që ky angazhim i kongresmenëve amerikanë të shërbejë si një shtysë për mazhorancen për të zhbllokuar reformën në drejtësi, duke i dhënë zgjidhjen e propozuar nga Komisioni i Venecias në rekomandimin 88. Uroj që Edi Rama të heqë dorë nga përpjekja e tij për të kontrolluar gjyqesorin dhe ti hapë rrugë konsensusit për reformën në drejtësi si rruga e vetme per tju dhënë qytetareve drejtësine qe duan, drejtësinë që nuk mbron por ndëshkon krimin dhe korrupsionin”- mbyll reagimin e tij deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi.
Zgjedhjet e parakohshme mund të eleminojnë Ben Blushin
Zgjedhjet e parakohshme të propozuara sot nga kryeministri Rama në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar socialist dëmtojnë indirekt edhe lëvizjen e re të Ben Blushit.
Deputeti “rrebel” arriti të grumbullonte sot 10 firma të deputetëve për 2 propozime për ndryshimet kushtetuese. Mes firmatërve ishin të majtë dhe të djathtë. Kjo tregon pozitën dominuese të Blushit jo vetëm në bazën socialiste por edhe në parlament.
Por zgjedhjet e parakoshme, Rama tenton të vrasë dy zogj me një gur. Të parin Lulzim Basha, dhe tjetrin ish mikun e tij, Ben Blushin. Kjo pasi deputeti socialist në përpjekje për të matur pulsin e qytetarëve ende nuk ka krijuar një parti politike për të garuar. I papërgatitur, Blushi nuk do të ketë kohë dhe mundësi që të krijojë strukturat e një partie politike, duke i lënë kështu mundësi Ramës që ta eleminojë për një periudhë 4-vjeçare nga jeta parlamentare.
Përparim Spahiu, “kokë turku” për tkurrjen e mazhorancës
Po sot, Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi mbledhjen e grupit parlamentar ku në fokus kishte përjashtimin e deputetit të saj Përparim Spahiu. Ky i fundit u ndëshkua pasi postoi në profilin e tij në Facebook një qëndrim personal për reformën në drejtësi.
“E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO-n, me KE-në, shpresoj dhe me BE-në! Por nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit! Çfarë përfaqësojnë këta?!!”– shkruante Spahiu në Facebook.
Duke folur pas mbledhjes së grupit, nënkryetari i LSI Petrit Vasili ka sqaruar se, vendimi është marrë për shkak se Spahiu ka devijuar nga qëndrimi tërësor i grupit parlamentar.
“Grupi parlamentar vendosi përjashtimin e Përparim Spahiut nga LSI për shkak të qëndrimeve personale të përsëritura, që nuk kanë qenë në pajtim me vendimet e kryesisë dhe grupit të LSI. Qëndrimi më i fundit personal i zotit Spahiu, që lidhet me reformën në drejtësi, u vlerësua i gabuar e i nxituar, në kundërshtim me qëndrimet parimore të LSI për reformën në drejtësi”- u shpreh në konferencën për shtyp, kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili.
Por teksa Ilir Meta trumbeton për liri mendimi brenda forcës së tij politike, përjashtimi i Spahiut duket tepër abstrakt. Në raste të tjera, deputetë të LSI si Luan Rama apo Ylli Manjani jo pak herë kanë dalë nga linja politike e mazhorancës.
Pavarësisht se kanë qënë shokë klase në të kaluarën, Meta ka bërë “kokë turku” Spahiun për të tkurrur numrin e deputetëve të mazhorancës.
Aktualisht numërohet 86 deputetë të mazhorancës dhe me largimin e Spahiut ky numër bie në 85. Kryeministri Rama jo pak herë ka kryer kalkulime artimetike për të arritur 94 vota, të nevojshme për reformën në drejtësi. Me këtë veprim të LSI, llogaritë e Ramës për të tërhequr deputetë të djathtë bëhen akoma edhe më të vështira.