“Infermieri” belg që i dërgoi mikeshës së tij shqiptare rreth 2 milion euro, ishte pjesë e një skeme pastrimi parash, të panjohur më parë nga ana e autoriteteve shqiptare.
Eric Nyssen, i cili zyrtarisht është i punësuar në një spital publik, ka qarkulluar mbi 8 milion euro vetëm në vitin 2014, kohë kur i ka dërguar durrsakes Rovena Kalemi rreth 2 milion euro, me pretendimin zyrtar se do të blinin një apartament dhe do të krijonin një biznes supermarket në Shqipëri.
Skema e hetuar fillimisht nga Prokuroria e Durrësit dhe e thelluar më tej nga Prokuroria për Krime të Rënda, e përfshiu grupin hetimor në disa labirinthe financiare, me shuma parash me prejardhje nga bota e prostitucionit, të cilat ricikloheshin në tregun informal të aksioneve në disa kompani, një pjesë prej të cilave nga ato të konsideruara “off-shore” dhe më tej, duke mbërritur në Shqipëri. Prej këtej, një pjesë e parave dërgoheshin në bankat e Luksemburgut, me qëllim kryesor për të humbur gjurmët, si edhe për të mos u zbuluar shumat e konsiderueshme.
I gjithë hetimi nisi pasi në verën e vitit 2014, në llogarinë e Rovena Kalemit dhe mikut të saj, Bledar Corraj, mbërritën rreth 2 milionë dollarë. Dërguesi ishte i njëjti, infermieri, Eric Nyssen, një shtetas belg i cili nuk kishte prekur asnjëherë tokën shqiptare.
Transaksionet bankare në drejtim të dy shtetasve shqiptare krijuan dyshime tek autoritetet audituese, të cilat e referuan rastin në Prokurori, si një çështje e dyshimtë pastrimi parash. Prokuroria e Durrësit fillimisht vendosi sekuestron mbi llogaritë bankare të Rovena Kalemit, e vetmja që kur nisi hetimi, në Shtator 2014, kishte gjendje në llogarinë bankare, rreth 850 mijë euro.
Pas bllokimit të parave, Eric Nyssen dhe Rovena Kalemi paraqiten në Prokurori, ku pretendojnë se paratë kanë burim trashëgiminë e infermierit dhe se ai, së bashku me Rovenën kishin vendosur të bashkëjetonin në Shqipëri dhe për këtë arsye po mendonin për të ardhmen e tyre financiare.
Duke qenë se hetimi kishte nevojë për thellim, Prokuroria e Durrësit i kalon aktet Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila do të vijonte hetimin pasuror. Ndërkohë, akuza e Durrësit do të vijonte hetimin lidhur me aktivitetin e dyshimtë të tyre.
Gjatë hetimit, Prokuroria për Krime të Rënda arriti të provonte se paratë që qarkullonin mes belgut Nyssen dhe shqiptares Kalemi kishin burim të pajustifikuar. Për më tepër, nga autoritetet belge, Prokuroria shqiptare mori të dhëna të mjaftueshme se të dyshuarit ishin të përfshirë në tregun e prostitucionit në Bruksel. Të dhëna interesante u ofruan nga Belgjika edhe lidhur me lëvizjet financiare të Eric Nyssen në tregun e letrave me vlerë dhe aksioneve. Pavarësisht ai nuk kishte mundësi financiare, sërish rezultonte se kishte qarkulluar mbi 8 milion euro në shit-blerje aksionesh dhe letrash me vlerë.
Në vendimin e zbardhur të Gjykatës për Krime të Rënda, në të cilin u vendos konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit të 850 mijë euro, Boldnews.al ka konstatuar edhe skemën e përdorur nga Eric Nyssen për të ricikluar paratë, të cilat më pas i sillte në Shqipëri, në llogarinë e Rovena Kalemit. Kjo e fundit, pjesë më të madhe të parave e dërgonte në një llogari bankare në Luksemburg, në emër të një familjareje të saj, e cila jeton në Gjermani.
Gjykata për Krime të Rënda, në vendimin e saj, shprehet ndër të tjera lidhur me historikun e llogarive me letra me vlerë, nga ku është bërë edhe transferimi i fondeve në Shqipëri. Rezulton se ato janë blerë nga persona të ndryshëm si “Bleckrock Ishares Msci Brazil ETF”, CMB, Financiere de Tubize, GDF Suez, GIMV, Groupe Delhaize, Nyrstar, Orange, Realdolmen, Recitel, Regie Nat Renault, RJH International, Vale, Vivendi- duke filluar të paktën nga viti 2007 dhe shitur në vitin 2014. Këto veprime janë kryer që nga llogaritë bankare.
Nga të dhënat e sjella për këto blerje titujsh rezulton se: Blerjet e letrave me vlerë të kompanisë Bleckrock Ishares Msci Brazil ETF rezulton se janë blerë kesh në EURONEXT AMSTERDAM; Blerjet e letrave me vlerë të kompanisë CMB rezulton se janë blerë kesh në EURONEXT Bruksel; Blerjet e letrave me vlerë të kompanisë RJH International rezulton se janë blerë kesh në EURONEXT BRUKSEL; Blerjet e letrave me vlerë të kompanisë VALE rezulton se janë blerë kesh në EURONEXT BRUKSEL; Blerjet e letrave me vlerë të kompanisë Financiere de Tubize rezulton se janë blerë kesh në EURONEXT BRUKSEL; Blerjet e letrave me vlerë të kompanisë Groupe Delhaize rezulton se janë në proces blerje kesh në EURONEXT BRUKSEL; Blerjet e letrave me vlerë të kompanisë Nyrstar rezulton se janë blerë kesh në EURONEXT BRUKSEL; Blerjet e letrave me vlerë të kompanisë Recitel rezulton se janë blerë kesh në EURONEXT BRUKSEL; Blerjet e letrave me vlerë të kompanisë Realdolmen rezulton se janë blerë kesh në EURONEXT BRUKSEL; Ndërsa blerjet nga kompanitë GDF Suez, GIMV, Orange, Regie Nat Renault, Vivendi janë kryer si shitje burse jashtë vendi.
Nga veprimet e kryera nga autoritetet belge rezulton se janë kryer verifikime edhe në lidhje me të ardhurat që ka shtetasi Eric Nyssens, Rovena Kalemi dhe Bledar Coraj.
Shtetasi Eric Nyssens është i regjistruar me profesionin ‘infermier i punësuar’ dhe ka punuar që prej vitit 2002 dhe deri në 21.03.2014 tek shoqëria “VZW Petites seours des pauvres”. Nga data 27.05.2002 deri më datë 04.10.2002 ka qenë i punësuar i përkohshëm pranë shoqërisë Assis Interim Sa. Nga data 21.03.2014 nuk përcaktohet punëdhësi i mundshëm për këtë shtetas. Është titullar i të drejtave në bashkëpronësi mbi disa prona të paluajtshme të vendosura në Belgjikë si njësi tregtare në Bruksel, banesë e përbashkët martesore me ish gruan e tij dhe të një ferme.
Në emër të shtetasit Eric Nyssens rezultojnë të regjistruara tre automjete të marrë në përdorim në vitin 2002, 2001 dhe 1985. Për periudhën e viteve 2013 – 2014 rezulton se nuk gëzonte ndonjë të ardhur të tatueshme nga prona të paluajtshme dhe të luajtshme. Të ardhurat e tij të përgjithshme, nga puna u llogaritën për vitin 2013 në shumën 36.402,73 Euro dhe për vitin 2014 në shumën 36.274,43 euro, ndërsa detyrimet e paguara për vitin 2013 rezultuan ën vlerën 13.116,96 euro dhe për vitin 2014 shuma prej 12.918,00 euro. Nga të dhënat e marra ka rezultuar gjithashtu se në databazën fiskale ‘ëebsigna’ tregojnë se Eric Nyssens nuk është i njohur si një nga të mandatuarit e ndonjë shoqërie me seli në Belgjikë, apo si administrator i ndonjë biznesi të vogël në emër të tij. Po kështu shtetasi Eric Nyssens nuk ka qenë subjekt i paraburgimit në Belgjikë dhe nuk ka qenë i njohur nga shërbimet e policisë.