Dy shtetas nga Guinea janë dënuar me 8 muaj burg në Shqipëri për falsifikim dokumentesh. Ata janë kapur vitin e kaluar në Aeroportin e Rinasit. Sipas vendimit të gjykatës që disponon Bold News, në datën 21.10.2015 në orën 21.00, punonjësit e policisë të seksionit të policisë kufitare Rinas gjatë punës, në përpunimin e pasagjerëve të linjës ajrore së udhëtimit “Turkish Airlines” që vinte nga Stambolli-Turqi për në Shqipëri, janë paraqitur për regjistrim dy të pandehurit nga Guinea, Alpha Oumar Barry dhe Thierno Madjou Bah.
Ata kanë paraqitur si dokumente udhëtimi për regjistrim në hyrje, Barry, një pasaporte Guineze me vizë shqiptare të lëshuar në Kajro e tipit C. Viza ishte e lëshuar në datën 6.10.2015 e vlefshme deri në 12.01.2016 me një hyrje. Ndërkohë, Bah ka paraqitur një pasaporte Guineze me vizën shqiptare Nr. AB169700 e lëshuar ne Kajro e tipit C në datën 6.10.2015 e vlefshme deri në datën 12.1.2016 me një hyrje në shtetin shqiptar.
Sipas vendimit, punonjësi i policisë pasi ka parë vizat shqiptar, ka dyshuar në vërtetësinë e tyre, ka konstatuar se ato në pamje të parë dukeshin të falsifikuara dhe pasi ka bllokuar dokumentacionin e këtyre dy personave, i ka kërkuar ndihmën e kolegëve të tij, për të kaluar të dy këta persona, për një kontroll me të detajuar në vijë të dytë të kontrollit.
Gjatë kontrollit në portofolin e xhepit të të pandehurit Alpha Oumar Barry është gjetur një leje qëndrimi belge. Dokumentet janë dërguar për ekzaminim në laboratorin e dokumenteve në Rinas dhe bazuar ne procesverbalet e këtij laboratori rezultoi se dy vizat shqiptare dhe leja e qëndrimit belge janë dokumente tërësisht të falsifikuara, ndërsa pasaportat Guineze janë dokumente të rregullta.
Më pas, ata janë ndaluar dhe iu sekuestruan mjetet e identifikimit. Me vendimet e datës 27.10.2015, shtetasit Guinezë, janë marrë me cilësinë e të pandehurve duke u akuzuar përfundimisht për kryerjen e veprës penale të falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave.
Të pandehurit, Alpha Oumar Barry, dhe Thierno Madjou Bah, në shpjegimet e tyre për dokumentet e falsifikuara të përdorura nga ana e tyre, kanë deklaruar se me anë të njohjeve të tyre familjare, miqësore janë lidhur me një person që jeton në shtetin e Malit dhe që quhet Ibrahim.
Pasi janë takuar me Ibrahimin në Mali, ai u ka marrë pasaportat dhe më pas jua ka dhënë, ku në to kishte vendosur viza shqiptare. I pandehuri Alpha Oumar Barry i ka paguar ne dore 2000 euro shtetasit me emrin Ibrahimit, ndërsa i pandehuri Thierno Madjou Bah i ka paguar 400 euro dhe një pjesë tjetër e ka paguar vëllai i tij.
Si destinacion final këta të pandehur kanë pasur Gjermaninë për të kërkuar azil, por se si do te udhëtonin nga Shqipëria për në Gjermani nuk kanë qenë në gjendje ta shpjegojnë, pasi do të qëndronin rreth një muaj në Shqipëri, derisa të gjenin një mënyrë për të udhëtuar për në ndonjë vend të Bashkimit Evropian, për shkak të problemeve (luftës) në shtetin e tyre.
Të pandehurit Alpha Oumar Barry, dhe Thierno Madjou Bah, kanë deklaruar se me njeri tjetrin dy të pandehurit nga Guinea janë njohur ne aeroportin e Bamakos në Mali, ku shtetasi me emrin Ibrahimi i ka prezantuar dhe më pas kanë vazhduar udhëtimin së bashku dhe se Ibrahimi kishte prenotuar për të dy në të njëjtin hotel në Shqipëri.
(Boldnews)