Qeveria ka akorduar më shumë se 1 milion USD për mobilimin e zyrave të Ministrisë së Brendshme. Sipas dokumenteve që ka bërë publike gazeta “Shqip”, tenderi do të realizohet më 19 prill, ndërsa janë detajuar sesi do të jetë “shtëpia” e re e ministrit Tahiri, zyra e të cilit do të jetë në katin e parë, me një rimodelim mjaft komod. Sipas fotove që paraqiten në këto dokumente, zyra e ministrit do të zgjerohet dhe në të do të jetë edhe një bibliotekë, një tavolinë për 8 persona, këndi i kolltukëve, si dhe tavolina e punës. Risi në Ministrinë e Brendshme do të jetë edhe salla e emergjencave, që do të jetë në katin e fundit, ku do të mblidhen shtetarët në rast të ndonjë katastrofe natyrore, aksidentale apo të shkaqeve të tjera. Gazeta ka siguruar dokumentet e këtij tenderi, ku janë përcaktuar me detaje të gjitha mobilimet e këtyre zyrave, të cilat për nga situata financiare ku ndodhet vendi, janë mjaft komode.
1.3 miliardë lekë
zyra e tahirit1Disa ditë më parë, Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka publikuar të dhënat për tenderin, me autoritet kontraktor Ministrinë e Punëve të Brendshme, më konkretisht drejtorinë e prokurimeve të përqendruara. Sipas njoftimit të kontratës, objekti i këtij tenderi është “blerje orendish dhe pajisjesh për mobilim zyrash”. Fondi limit është 128 113 807 lekë (të reja) pa TVSH.
Në dokumente thuhet se burimi i financimit është buxheti i shtetit, ndërsa afati për lidhjen e kontratës është 45 ditë. Hapja e ofertave do të bëhet në datën 19 prill 2016.
Në dokumentet që disponon “Shqip”, janë të detajuara edhe specifikimet teknike për mobiliet. Do të blihet banak për recepsion, dollapë të ndryshëm (metalik, për dosje apo për zyra). Do të merren karrige klase, mense, për salla konferencash, rrotulluese, apo karrige tip kolltuku. Do të blihen karrige të thjeshta, si në kinema etj. Do të blihen kasaforta, krevat tek, apo edhe poltrone të ndryshme.
Në dosje janë përcaktuar se do të merren rafte druri, apo metalike, sirtarë të ndryshëm etj. Do të blihen tavolina kompjuteri, tavolinë mbledhjesh, për salla, mense, pune etj.
Do të blihen edhe tavolina pune në rang drejtuesi, me përmasa të mëdha në formë L-je. Sipas dokumenteve, do të merren edhe 36 frigoriferë, 118 varëse rrobash. Do të blihen edhe 29 televizorë plazma 50 inç, dhe 8 televizorë të tjerë plazma të përmasave të ndryshme. Do të merren dhe rreth 20 kolltukë si dhe do të blihen të gjitha perdet e godinës së Ministrisë së Brendshme.
Në katin përdhe, është parashikuar edhe një sallë konferencash, e cila do të ketë 110 karrige. Do të ketë 4 karrige në qendër, 1 foltore, 1 tavolinë, 1 projektor, do te ketë 9 metër katrorë pedan druri si dhe 60 metër katrorë veshje muri. Gjithashtu do të ketë 125 metra katrorë moket, ndërsa në një pjesë të tij, do të jetë edhe një zyrë e vogël me tre vende pune.
zyra e tahiritZyra e Tahirit
Zyra e ministrit është parashikuar në katin e parë, në pjesën qendrore të godinës. Sipas maketit, zyra do të jetë mjaft bashkëkohore, ku mobiliet do të jenë në ngjyrë qumështi. Karrigia do të jetë e lëvizshme, me rrota e me ngjyrë të zezë.
Në zyrë do të jetë edhe një tavolinë e madhe mbledhjesh për 14 persona. Karriget, por edhe tavolina, do të jenë sërish me ngjyrë qumështi. Mësohet se, edhe kolltukët do të kenë të njëjtën ngjyrë, ndërsa zyra do të ketë edhe një bibliotekë të madhe. Në dokumente janë dhënë edhe detaje teknike të librarisë për drejtues, e cila do të ketë përmasa 410 x 45 x 210 cm. Skeleti dhe kanatet do jenë prej materiali melanine. Kanatet të jenë pa doreza në ballore, me dorezë të fshehur. Njëra prej kanatave, sipas skicës, do të jetë e pajisur me çelës.