Dëshmia e Nuredin Dumanit ka nxjerrë në pah jo vetëm një mori të dhënash për ngjarje mizore, por edhe detaje që dëshmojnë se sa lehtë vepronin vrasësit në vend. Gjithçka thuajse e bërë ditën, me një ushtri personash që silleshin poshtë e lart për të mos u pikasur, aq më pak ndaluar nga askush.
Rrëfimet e dy vrasësve, të cilët çuan në operacionin e madh të disa ditëve më parë, dëshmojnë se Festim Qoli dhe Henrik Hoxha janë edhe epiqendra e përqindjes më të madhe të krimeve të zbardhura, sipas SPAK, nga dëshmitë e administruara. Ndërkohë që Festim Qoli duket që menaxhon gjithë aktivitetin në Durrës dhe zonat përreth, Elbasani duket më i ndarë në zona influence.
Të gjithë bashkë, pra Durrësin dhe Elbasanin, i lidh Nuredin Dumani, pjesëmarrja e tij thuajse në të 23 ngjarjet për të cilat ka dëshmuar, tregojnë se sa aktiv ka qenë ky person, deri natën që u “tradhtua” dhe u lëshua në një pritë fatale në hyrje të Elbasanit. Dumani, bashkë me shokun e tij, Henrik Hoxha, mbërritën në Elbasan për të ekzekutuar një nga djemtë e njohur të atij qyteti, Elton Kilën.
Prokuroria nuk e ka zbardhur ende se kush ka qenë i interesuar për ekzekutimin që mbeti në tentativë, pasi Nuredin Dumani ra nën një breshëri armësh dhe u plagos rëndë. Po ashtu, në vendimin e Gjykatës nuk gjendet asnjë rrethanë fakti në lidhje me dëshminë e Dumanit apo Hoxhës së përse duhej të vritej Kila.
Po ashtu prokuroria, duke iu referuar dosjes që gjendet në vendimin e gjykatës, ka lënë pa sqaruar me dhjetëra fakte tronditëse që lidhen që në startin e nisjes së krimeve të dëshmuara nga Dumani dhe Hoxha; që nga porositësit e ekzekutimit, që mbeti në tentativë, i Filip Gjeloshit në Tiranë, që daton vitin 2011 e deri te shkaku se përse duhej eliminimi i biznesmenit Lulzim Masha.
Po ashtu, Dumani ka treguar një episod mjaft të vlefshëm që lidhet me ekzekutimin e nënë e djalë në Durrës.
Janë dy momente pikante që implikojnë strukturat e Policisë dhe të Prokurorisë dhe ende nuk dihet nga SPAK, të paktën nga dosja, nëse është bërë ndonjë hetim i veçantë për pretendimet e dëshmitarit Dumani mbi dhënien e 200 mijë eurove nga ana e Festim Qolit për “qentë e Durrësit” dhe dalja e informacionit nga Prokuroria se “Fatmira Dedaj po e bezdiste duke shkuar në prokurori për të zbardhur ngjarjen” – ngjarje që në fakt u mbyll, si vrasja e djalit, ashtu edhe e saja!
Vrasës, të vrarë, të mbijetuar dhe viktima
Referuar të dhënave të dosjes që gjendet në vendimin e gjykatës, vërehen që 32 personat e përfshirë në dosje kanë kryer gjithsej 23 akte të rënda kriminale, prej tyre 8 janë vrasje, 7 tentativa, 6 grabitje me dhunë dhe 2 shkatërrime pronash me eksploziv.
Këto janë ngjarje që SPAK pretendon se i ka zbardhur dhe për të cilat ekzistojnë provat dhe faktet e mjaftueshme për t’i vënë në bankën e të akuzuarve.
Por ajo që bie në sy në të gjithë këto ngjarje kriminale të sjella në dosjen e SPAK, është fakt që rrallë prokuroria ka mundur të hedhë dritë mbi shkaqet reale të vrasjeve apo tentativave. Në dosje flitet për dy porosi të dhëna nga Ervis Martinaj dhe Florenc Çapja, për të eliminuar Indrit Doklen dhe Sokol Sanxhaktarin.
Nuk bëhet me dije nëse ka refuzuar dëshmitari të tregojë, apo prokuroria nuk e ka pyetur, por materiali hetimor nuk e sqaron këtë moment se përse Çapja e kërkoi “kokën” e Sanxhaktarit. Po ashtu, as përse i duhej Ervis Martinajt vrasja e Indrit Dokles, i cili ishte i gatshëm, sipas dëshmitarit, të paguante deri në 500 mijë euro për atë vrasje.
Hetimet, sipas SPAK, janë në vijim dhe pritet që të hidhet dritë më gjerësisht në gjithë atë skemë të frikshme të krimeve që kishin realizuar 32 personat e kësaj dosjeje!
Dita e fundit e lirë e Nuredin Dumanit
Referuar të dhënave të dosjes, bëhet me dije se dy dëshmuesit e krimeve monstruoze të grupeve kriminale që funksiononin në trekëndëshin Durrës-Tiranë-Elbasan, me 29 mars kanë mbërritur në Elbasan për të ekzekutuar Elton Kilën. Këtë ngjarje për SPAK e ka zbardhur Henrik Hoxhaj, i cili ka thënë se Nuredini ka ardhur nga Kosova që të mbaronin një punë, për të cilën e kishte porositur më parë.
Më tej Henriku ka shpjeguar se ka vajtur disa herë në Elbasan që të vriste personin, foton e të cilit ia kishte dërguar Nuredini me SMS. Nuredini i kishte premtuar se do të paguhej 70 000 euro për atë punë.
Pasi ka studiuar terrenin, e ka parë të vështirë që ta vriste vetëm këtë person dhe në këtë mënyrë, ka ardhur Nuredini që ta kryenin bashkë vrasjen.
Henriku nuk ka mundur t‘i thotë prokurorisë se në emër të kujt do të bëhej vrasja e atij personi, por Dumani mësohet t‘i ketë treguar se vrasjen e tij e kishte porositur Suel Çela.
Rrëfimi i Henrik Hoxhajt për 29 marsin
“Ne jemi nisur nga Fieri rreth orës 09:15, unë dhe Nuredini, ai me BMV X5 me targa AA… dhe unë me automjetin Benz me targa AA….
Unë isha para BMV për të hapur rrugën dhe Nuredini pas meje. Para se të niseshim, Nuredini ka futur në automjetin BMV X5 dy automatikë kallashnikov me fishekë në fole dhe dy pistoleta. Unë kam ndaluar për t’i hedhur Benz-it tim karburant në një karburant që nuk kishte kamera para se të shkosh te Jet Oil në Rrapëz.
Kam hedhur 30 mijë lekë naftë, ndërsa Nuredini në këtë kohë ka parkuar në rrugë para karburantit, te një xhep rruge. Pasi hodha naftën, unë jam nisur për destinacion dhe rreth orës 11:30 kam arritur në Elbasan.
Unë vazhdoj për në qytet, duke marrë unazën dhe jam kthyer te karburant ‘Feleqi’, ndërsa Nuredini me BMV e tij ka qëndruar te vendi ku rrinte zakonisht, te kryqëzimi Cërrikut. Nuredini do të qëndronte aty derisa unë ta njoftoja që kisha në sy personin qe do të vrisnim.
Në ikje e sipër kam kaluar para vendit ku shet makina personi qe do të vrisnim dhe nuk e kam parë të ishte aty dhe për këtë arsye, kam futur makinën time për ta larë te një lavazh që është përballë me servis ‘Kadiun’ dhe vetë jam ulur në lokal për të pirë një birë.
Kam qëndruar te lokali rreth një orë e gjysmë dhe më pas bëra një xhiro me makinë, duke kaluar para pikës së shitjes së makinave të personit që do të vrisnim, me qëllim për të parë nëse personi ishte aty, por nuk e kam parë personin aty dhe kam vazhduar rrugën për qytet dhe më pas jam kthyer dhe kam shkuar për të ngrënë diçka te lokali ‘Eurodriza’, te rotondo në hyrje të Elbasanit.
Gjatë kësaj kohe, unë i thashë Nuredinit se nuk e kisha parë personin që do të vrisnim, por kam fiksuar një Benz të parkuar aty jashtë dhe e kam pyetur Nuredinin nëse personi që ne kërkonim kishte apo jo Benz, por ai më tha që donte parë ai mjet. Unë e pashë mjetin, por nuk fiksova persona dhe kam njoftuar Nuredinin për faktin.
Duke parë këtë gjë, mosgjetjen e personit që ne kërkonim, unë jam ulur për të ngrënë bukë tek ‘Eurodriza’, siç thashë, ku kam qëndruar për një kohë të gjatë, dhe më pas jam çuar dhe kam ikur me mjetin Benz përsëri te lavazhi te ‘Kadiu’.
Qëndrova te lavazhi dhe e lava përsëri mjetin nga jashtë për të shtyrë kohën dhe ndërkohë që automjeti po lahej, vazhdoja komunikimin me mesazhe me Nuredinin. Ai më ka thënë se vazhdonte të qëndronte aty ku e kisha lënë në fillim te kryqëzimi i Cërrikut.
Në një moment, Nuredini më pyeti me SMS duke më thënë që edhe kjo ditë na iku bosh. Pas këtij mesazhi, unë kam qëndruar edhe rreth 10 minuta dhe jam nisur drejt Nuredinit, vendit ku ai kishte parkuar automjetin.
Rrugës për aty më ka ndaluar Policia rrugore dhe sapo më lanë të lirë policët, nga Nuredini më ka ardhur SMS, ku më ka njoftuar të shkoja ta merrja se e kishin plagosur…”
23 aktet kriminale
Vrasjet
1-Elvis Deda – 6 qershor 2012
2-Fatmira Deda – 14 shtator 2013
3-Emiljano Ramazani – 20 korrik 2020
4-Bujar Çela – 17 shtator 2020
5-Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia – 2 mars 2020
6-Besmir dhe Viktor Marku – 27 prill 2020
7-Andi Zylyfi dhe plagosja e Ardit Uruçit – 2019
8-Endrit Alibej, Arben Dylgjeri, Erdal Duranay – 29 dhjetor 2018
Tentativa vrasjesh
1-Lulzim Masha
2-Indrit Dokle
3-Blerta Bengasi
4-Sokol Sanxhaktari (ngjarje e ndodhur në Durrës në datën 29.01.2020)
5-Elton Kila
6-Arben Çeta (ngjarje e ndodhur në datën 14.11.2013 në qytetin e Elbasanit)
7-Filip Gjeloshi (ngjarje e datës 05.02.2011 në qytetin e Tiranës)
Grabitje me armë
1-Hamdi Sharka
2-Lirak Bajraktari
3-Shyqyri Shala, e kryer në datën 13.02.2012, në qytetin e Kavajës
4-Hamit Haxhia, e kryer në datën 11.02.2013, në qytetin e Durrësit
5-Xhemali Liçi (ngjarje e ndodhur në datën 19.12.2012 në qytetin e Elbasanit)
6-Astrit Ademi, kryer në datën 17.06.2013, Maminas, Vorë
Shkatërrim i pronës me eksploziv
1-Banesa e Talo Çelës – 5 nëntor 2020
2-Prona e Mustafa Subashi – 29 janar 2020