Nga Boldnews.al
“Golden Bullet”, një prej operacioneve më të rëndësishëm të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) në luftën kundër krimit të organizuar, përfundoi me arrestimin e 18 personave, gjysma e të cilëve gjenden aktualisht në burg për vepra të tjera penale, si edhe me arratinë e atyre që konsiderohen si “kokat e grupeve kriminale”.
Rezultati nuk duket shumë i suksesshëm dhe ai mund të jetë rrjedhojë e dekonspirimit të operacionit ose nxitimit të prokurorëve specialë.
Drejtuesi i Prokurorisë Speciale, Arben Kraja dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, listuan emrat e arrestuar mëngjesin e kësaj të Enjteje.
Hetimi ka nisur pas arrestimit “të rastësishëm” të Nuredin Dumanit, një muaj më parë.
Dumani, një prej emravë më të kërkuar nga drejtësia, i kishte shpëtuar një serie të gjatë operacionesh, që policia kishte organizuar për kapjen e tij dhe të mikut-armik të tij, Talo Çela.
Në fund të marsit 2022, Nuredin Dumani mbeti i plagosur në një ngjarje të pasqaruar ende në Elbasan dhe u arrestua në një shtëpi të marrë me qira në Fier.
Pas prangosjes, Dumani thuhet se ka pranuar të flasë e të tregojë shokët, miqtë e armiqtë, së bashku me bëmat e tyre kriminale.
Nuredin Dumani duket se ka pasur shumë për të treguar dhe prokurorët specialë në SPAK e kanë “shtrydhur” sa kanë mundur.
Ai ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, megjithëse zyrtarisht mohohet deri më tani që të ketë fituar statusin e “bashkëpunëtorit” ose të “të penduarit”.
Një muaj pas arrestimit të Dumanit, prokurorët specialë iu drejtuan gjykatës për lëshimin e urdhërave të arrestit për 32 persona.
Nxitim apo dekonspirim
Ndoshta rastësi, operacioni u zhvillua vetëm një ditë pasi drejtuesi i Prokurorisë Speciale, Arben Kraja, u gjend nën breshërinë e kritikave të deputetëve në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, një strukturë parlamentare me pjesëmarrjen e të gjitha palëve politike në institucionin ligjvënës.
Në atë mbledhje, deputetët kishin shumë për t’i kërkuar Krajës për rritjen e eficencës së strukturës që drejton.
Pas gati tre vitesh, SPAK-u, një institucion i mbivlerësuar, i shumë-mbështetur dhe i suportuar maksimalisht nga ana financiare, është ende larg pritshmërisë së opinionit publik.
Një operacion i përmasave të mëdha kundër krimit të organizuar, si ai që tashmë quhet “Golden Bullet”, mund të ishte një përgjigje e mirë për kritikat politike ndaj SPAK-ut.
Por, nëse ka qenë ky qëllimi, atëherë duket se SPAK-u është nxituar, pasi “koka” e grupeve kriminale dhe ata, për të cilët nën zë thuhet se kanë organizuar edhe “ushtarët” e arrestuar këtë mesjavë, janë ende në arrati.
Natyrisht, një operacion masiv, i shtrirë në disa qytete dhe ndaj personave që kanë bërë emër si “të fortë”, mbart gjithnjë rrezikun e dekonspirimit.
Raste të tilla nuk janë aspak të reja dhe shpesh, punonjës policie, kryesisht të nivelit të ulët, janë prangosur pas zbulimit të bashkëpunimit të tyre me grupe kriminale.
Edhe në operacionin “Golden Bullet” është të paktën një oficer policie i arrestuar, Leonard Palushi, aktualisht i punësuar në Lezhë, por që më herët ka qenë pjesë e strukturave blu në Elbasan dhe që dyshohet se ka mbështetur grupet kriminale.
Lidhjet politike
Operacioni “Golden Bullet” goditi kryesisht në Elbasan. Disa prej emrave të përmendur në këtë operacion kanë lidhje të afërta me eksponentë të Partisë Socialiste.
Sokol Sanxhaktari, i cili u arrestua në burg, pasi është dënuar më herët për vrasjen e një mikut të tij, njihet gjerësisht si dhëndri i ish-kryebashkiakut të fuqishëm socialist të Elbasanit, Qazim Sejdini.
Suel Çela, për të cilin burimet thonë se është shpallur në kërkim, por që zyrtarisht nuk u konfirmua nga Arben Kraja dhe Gledis Nano, njihet gjithashtu si mbështetës dhe kontributor në fushatat e socialistëve në Elbasan.
Përfshirja e tyre në operacionin hetimor mund të shfrytëzohet nga qeveria për të treguar se “nuk mbështet kriminelët”.
Këtë sinjal dha kryeministri Edi Rama, i cili në një status në rrjete sociale u shpreh se “Operacioni i sotëm i SPAKU-t dhe Policisë së Shtetit është shembulli më kuptimplotë i fuqizimit të organeve ligjzbatuese dhe vendosmërisë së madhe për ta goditur krimin e organizuar me të gjithë forcën e ligjit”.
Por, më shumë se sa “fuqizim i institucioneve ligjzbatuese”, operacioni kundër grupeve kriminale në Elbasan krijon idenë se partia qeverisëse ka pasur nevojë emergjente për t’u shkëputur nga individë të kësaj kategorie.
“Kafshët dolën nga kafazi”
Këta personazhe nuk janë pjesë e “krimit elitar”. Ata janë pjesë e “kriminalitetit të zhurmshëm”. Përplasjet mes tyre e shndërruan Elbasanin në një lloj “far-ëest”-i.
Shumë prej tyre kanë qenë miq për kokë dhe më pas u shndërruan në armiq të betuar.
Nuredin Dumani dhe Talo Çela kanë qenë bashkëpunëtor perfekt në krime të ndryshme. Ata realizuan së bashku “goditjen e madhe”-grabitjen e miliona eurove në aeroportin e Rinasit, në vitin 2016.
Por, ndarja e parave duket se i shndërroi në armiq. Ndaj tyre tashmë rëndojnë akuza për vrasje të ndërsjellta mes të afërmve dhe miqve të tyre.
Një degëzim tjetër i “grupeve kriminale” e ka gjenezën në rrugët e Europës, ku të rinj, miq me njëri-tjetrin, u shndërruan në rivalë.
Hesapet nisën t’i pastronin në Elbasan, ku secila palë, dikur pjesë e të njëjtës tavolinë shoqërore, numëron shifra të konsiderueshme viktimash.
Mjeti më i mirë i komunikimit mes tyre ishte kallashnikovi. Breshëritë godisnin në mënyrë periodike mbi trupa objektivash, duke e shndërruar Elbasanin në një qytet të terrorizuar.
I cili, megjithatë, nuk duket se do të shijojë qetësinë. “Koka” e grupeve kriminale janë ende në liri.