Genoveva Ruiz Calavera, shefja e bordit të manaxhimit për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, i ka dërguar një shkresë zyrtare sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, ku e ka informuar me nisjen e procedurave formale për emërimin e anëtarëve të organeve të Vettingut.
Calavera, e cila ka prezanuar anëtarët e bordit, ka bërë të ditur se kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë dhe Ambasadori i SHBA mund të marrin pjesë në takime si anëtarë jo të përhershëm, sidomos kur mbledhjet zhvillohen në Shqipëri.
Siç shkruan SYRI.net, shefja e bordit ka shpjeguar se në përputhje me Kushtetutën Shqiptare, Komisioni Evropian dhe SHBA po përgatisin ardhjen e ekspertëve ndërkombëtarë në Shqipëri, për të monitoruar procesin e formimit të organeve të rivlerësimit, pra të para-vettingut. Këta vëzhgues do të ndihmojnë në mbikqyrjen dhe kontrollin nga ana bordit të manaxhimit të ONM.
Tre ekspertët nga Bashkimi Evropian janë:
Z. Ferdinando Buatier de Mongeot nga Italia, gjyqtar i vjetër
Z. Theo Jacobs nga Belgjika, prokuror i vjetër
Z. Martin Kessen nga Gjermania, gjyqtar i vjetër
Roli i tyre do të jetë mbikëqyrja e procesit të formimit të organeve të Vettingut si dhe të monitorojnë cilësinë e kontrollit të kryer.
“Ju siguroj se BE i ka zgjedhur me kujdes të veçantë bazuar në karrierën profesionale, si anëtarë të vjetër të sistemit të drejtësisë në vendet e tyre, si dhe bazuar mbi angazhimet e mëparshme në vende kandidate dhe kandidatë të mundshëm”, shkruan Calavera në dokumentin e siguruar në mënyrë ekskluzive nga SYRI.net.
Skuadra e ekspertëve do të ketë edhe dy anëtarët e saj nga SHBA, të cilët janë:
Z. John Vaudreuil, Prokuror i SHBA për Distriktin Perëndimor në Wisconsin
Z. Peter Ainsworth, Këshilltar Senjor për Anti-Korrupsionin në Departamentin e Drejtësisë
Ata do të kenë të njëjtin rol si të kolegëve të tyre evropianë më sipër. Vaudreuil do të jetë i pari që do të vijë, ndërsa Ainsworth do të jetë alternativë.
Syri.net