Nga Ilir Kalemaj
Ka disa arsye pse kjo luftë po tërheq një vëmendje të paprecedentë. Ndryshe nga konfliktet e tjerë globalë si lufta në Jemen, rikthimi i dhunshëm i talibanëve në pushtet në Afganistan apo konfliktet civile të vazhdueshme në Siri dhe Libi, pushtimi i plotë apo i pjesshëm rus në Ukrainë natyrshëm do të ngjallte një interes global. Kjo për disa arsye, që po i rendisim shkurtimisht më poshtë.
Së pari, megjithë një pafundësi qasjesh kritike në literaturën akademike për një këndvështrim eurocentrist në lidhje me çështjet dhe zhvillimet ndërkombëtare, i ardhur si pasojë e traditës koloniale dhe e pajustifikuar në kohën e sotme, përsëri teatri europian i zhvillimit të dinamikave gjeopolitike mbetet i konkurrueshëm ndoshta vetëm me atë të Azisë Juglindore. Kjo ndonëse Europa e ngushtë apo BE-ja sot përbën më pak se 10 përqind të popullatës botërore, dhe megjithëse ekonomia europiane (pra e BE-së) zë vetëm 15 përqind të asaj botërore.
Por madhësia e tregjeve apo demografia siç e dimë nga historia nuk janë përcaktorë dhe jo rastësisht lufta e parë botërore ngjizi në mëhallën e vogël ballkanike që sot e quajmë Ballkan Perëndimor dhe që në një kontekst më të gjerë mund t’i referohemi edhe si Europa Juglindore. Ukraina është qartazi në Europë dhe me influencë të humbur përfundimisht mbi të Rusia kthehet thjesht në “Voltën e Sipërme me raketa” sikundër ish-sekretari i Shtetit të SHBA-së Dean Acheson e ka quajtur dikur.
Së dyti, kjo luftë është e veçantë për disa arsye. Është luftë ndër-shtetërore, çka është një risi në luftërat moderne, të paktën të shekullit të 21-të. Aq më tepër që është një kombinim i një lufte konvencionale me ato jo-konvencionale ku po kombinohen sulmet me raketa dhe tanke me sulmet kibernetike dhe shpërhapjen e lajmeve të rreme. Është luftë me precedentë se saktësisht të njëjtën gjë Federata Ruse ka bërë me Gjeorgjinë ku i shkëputi krahinat e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore në 2008-ën dhe po me Ukrainën të cilës i shkëputi Krimenë në 2016-ën.
Së treti, kjo luftë kryhet në këqyrjen e pandërprerë të masmediave botërore që pavarësisht se japin një panoramë apo tjetër në varësi se cilin kanal televiziv ndjek pra CNN apo Russia Today, Al Jazeera apo BBC, Hunan Television apo Fox News, prapëseprapë përsjellin narrativa që nuk mund të lënë indiferent askënd, pavarësisht se mund të banosh në Kiev apo Moskë, Luhansk apo Varshavë, Londër apo Tiranë. Ka qenë pikërisht mbulimi mediatik që bëri të mundur që në Bosnje-Herzegovinë të kishim një ndërhyrje të limituar të NATOs dhe Marrëveshjen e Dejtonit për mos t’u përsëritur një Ruandë e dytë. Dhe ka qenë një mbulim akoma më i madh mediatik që bëri të mundur një mobilizim të pashoq të opinionit publik ndërkombëtar, vençarisht atij perëndimor që kulminoi me 72 ditët e famshme që i dhanë fund spastrimit etnik Millosheviçian në Kosovë.
Së katërti, kjo luftë po nxjerr në pah dobësitë strukturore të BE-së ku kryesorja është mospasja e një zëri të vetëm në politikën e jashtme, të mbrojtjes dhe sigurisë. Por edhe po unifikon vendet e NATOs ku SHBA, Britania e Madhe, Turqia dhe Polonia kanë dënuar zëshëm dhe kanë ndërmarrë veprime konkrete për t’u ballafaquar me Rusinë, Gjermania ndonëse në një periudhë tranzicioni pas-Merkel dhe me varësinë e saj energjetike nga gazi rus ndërmori pezullimin e Gazprom 2, por edhe Hungaria që shihej si shteti më flirtues me Rusinë e Putinit në BE, hapi plotësisht kanatat për të mirëpritur direkt dhe pajisur me azil ukrainasit që ndajnë kufirin ndër-shtetëror me ta. Pra po nxjerr në pah që NATO përkundër dëshirave të presidentit francez Macron që në traditën Goliste donte ta rivalizonte me një ushtri europiane të mundshme, është një aset i pazëvedësueshëm dhe që po rifiton rilevancën e tij funksionale në periudhën e pas luftës së ftohtë, ku natyrisht i duhej një raison d’etre tjetër nga ajo e asokohe.
Fakti që 11 shtete i janë bashkangjitur nga 2004, e bëjnë një organizatë që shihet si vitale dhe e pakonkurueshme për çështjet e sigurisë së jashtme por edhe funksionimit demokratik të brendshëm dhe shtetit të së drejtës. Kjo ka bërë që Putin të humbasë qetësinë dhe nëpërmjet zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të lëshonte kërcënime të hapura ndaj Finlandës dhe Suedisë për mos të ndërmarrë asnjë hap për t’iu bashkangjitur aleancës ndryshe do të përballen me pasoja ushtarake, tregon nervozitetin rus dhe përforcojnë bindjen që ndërhyrja në Ukrainë është mirëfilli që të stopojë atë që ajo e quan rethim gjeostrategjik nga Perëndimi dhe NATO. Kjo mund të jetë racionale nga këndvështrimi rus në drejtim të kalkulimit të raportit të forcave dhe duket se Rusia po mundohet të krijojë ekuilibra pa pësuar irrelevancë dhe katandisjen në një fuqi rajonale siç e ka quajtur para disa vitesh ish-Presidenti Obama.
Por se sa do t’ja arrijë të rivendosë ekuilibrat, të ruajnë sferën e saj të influencës në ish-republikat sovjetike (minus ato Balltike), të garantojë frenimin e ekspansionit të NATOs dhe të krijojë një partneritet aftagjatë me Kinën që gjithsesi ngelet një aleat-rival gjeostrategjik, kjo ngelet për t’u parë. Natyrisht vendosmëria e NATOs por edhe unifikimi i qëndrimit politik dhe diplomatik të BE-së janë prova e zjarrit që këto të fundit duhet të kalojnë për të rifituar legjitimitetin, staturën ndërkombëtare dhe respektin e opinionit publik ndërkombëtar.