Nga Boldnews.al
Burime konfidenciale konfirmojnë për Boldnews.al se në Policinë e Shtetit është lëshuar një urdhër për identifikimin e efektivëve që përdorin sistemin TIMS dhe që më pas dekonspirojnë të dhënat për persona të jashtëm. Urdhëri vjen pas lajmit të publikuar se kryeministri Edi Rama kishte udhëtuar në fundjavë drejt Firences, ndërsa ky dekonspirim është kthyer në makth jo vetëm për kryeministrin por edhe për zyrtarë të tjerë.
Pak ditë më parë, Shuplaka.com zbuloi sesi Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kishte qëndruar 22 ditë jashtë Shqipërisë në muajin tetor, ndërkohë që manipulonte mediat sikur inspektonte punimet në disa zona të Tiranës. Por edhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka rënë pre e demaskimit nga sistemi TIMS. Në vitin 2014-2015 u zbulua se makina e ministrit kishte lëvizuar jashtë Shqipërisë nga kushurinjtë e tij të akuzuar për trafik droge.
Boldnews.al mëson se në sistemin TIMS të Policisë së Shtetit, kanë akses vetëm oficerët e policisë gjyqësore. Por këta të fundit kanë shpërndarë fjalëkalimin (passwordin) edhe për efektivët e tjerë të policisë duke krijuar kështu një akses më të gjerë tek ky aplikacion. Sipas urdhërit të lëshuar në mënyrë verbale nga drejtoria e Policisë së Shtetit, është kërkuar rivendosja e fjalëkalimeve të reja për kompjuterat që kanë sistemin TIMS. Gjithashtu, do të përcaktohen edhe njëherë se kush efektivë të Policisë së Shtetit do të kenë akses në këtë sistem të sigurisë.
Alarmi i mbërritur pothuajse në të gjitha komisariatet e policisë, ka vënë në lëvizje edhe Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm (SHKB-në) për të identifikuar efektivin që ka hyrë në sistemin TIMS dhe që ka parë udhëtimin e kryeministrit. Por, burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit shtojnë se ka qënë i pamundur identifikimi i efektivit që ka dekonspiruar informacionin, kjo pasi sistemi TIMS nuk lë gjurmë nëse nuk printon apo shkarkon informacionin e kërkuar.
Rama në Firence
Lapsi.al shkruante sot se kryeministri Rama është parë këtë të diel në Firence të Italisë duke ngrënë mëngjes me Marco Casamonti, arkitektin e kullës në afërsi të Gjykatës së Lartë dhe te stadiumit me kullë që do të zëvendësojë stadiumin Qemal Stafa. Arsyeja takimit nuk është ecuria e kullës së re në qendër të Tiranës, por një ekspozite me pikturat e tij që kryeministri do të hapë në Firence në patronazhin e Casamontëve.
Publiku shqiptar nuk e di, por vëllai i arkitektit Marco Casamonti është pronar i galerisë fiorentine “Tornabuoni Arte”, kompani shume e fuqishme e artit në nivel europian. Duket se edhe ky konflikt interesash duhet futur ne biografinë e këtij artisti që u bë kryeministër edhe për të realizuar ambiciet e tij artistike, kur te analizohen shkaqet e prishjes sa te befasishme aq edhe mizore qe pësoi stadiumi “Qemal Stafa”. Ekspozita mund te hapet pas dy javesh dhe Rama ka shkuar në Firence për të parë ambientet.