Ish-presidenti dhe ish-kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani, deklaroi në A2 CNN, se protesta e 8 janarit konfirmoi edhe njëherë se kush ishte mazhoranca në partinë më të madhe opozitare, duke hedhur në këtë mënyrë poshtë, sipas tij, dhe pretendimet e Lulzim Bashës.
Nishani deklaroi se 8 janari do të ngelet në histori dhe për faktin që policia ushtroi dhunë ndaj anëtarëve të një partie brenda selisë së tyre.
“Ne gjithmonë jemi munduar të përcjellim interesin e lëvizjes brenda PD-së që është në interes të të gjithë publikut, i gjithë sistemit politik. 8 janari tregoi disa dimensione të rëndësishme. Për herë të parë në histori, ndodhi që policia e shtetit sulmoi në mënyrë të dhunshme anëtarësinë dhe veprimtarët e një partie brenda selisë së tyre politike. Ne nuk ishin mbledhur përpara ndonjë institucioni si kryeministria, ne ishim mbledhur brenda selisë sonë. Për herë të parë, policia u përdor në mënyrë të dhunshme për të ndërhyrë ndaj anëtarëve të një partie brenda selisë së tyre. U konfirmua edhe njëherë mazhoranca. Ka pasur një tentativë manipulative nga Basha, duke pretenduar se PD-ja nuk është te baza, nuk është tek anëtarësia, nuk përfaqësohet nga Komisioni i Rithemelimit. Besoj se të shtunën, u rikonfirmua tregimi viziv se kush është mazhoranca në PD dhe kush është pakica. Kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh Nishani.