Nga Boldnews.al
I mblodhi në Kryeministri. Disa ditë më parë u kishte dhënë lekët. Këtë 21 janar i uli aty sepse lekët ua kishte dhënë dhe i vrau i rivrau. U foli për sukseset e Ilir Beqës me privatizimet në shëndetësi. U foli për duart me gjak të Damianit dhe Çelës, për sukseset e mëdha dhe uljen e çmimit të energjisë elektrike.
Pasi i kishte paguar me një vendim qeverie që jep një dëmshpërblim të merituar për familjarët por shumë të vonuar, Edi Rama i përdori ata për të përdorur në mënyrë të ndjeshme kohën televizive. Duke pasur gjithë kamerat dhe gjithë ekranet në dispozicion ai përdori dhe administratën për ti dhënë shpërndajë në rrjetet sociale të fjalimit të tij.
Familjarët e pranishëm nuk janë asgjë për Edin e madhërishëm, janë thjesht një mjet për të arritur qëllimin. Udhëheqësi foli për vizionin e tij reformator që fillon që nga rrethimi i kryeministrisë. “Sot, në bulevard dhe rreth godinës së kryeministrisë, pamja ka ndryshuar. Janë hequr kangjellat e larta që e bënin Kryeministrin një të burgosur të rëndësisë së veçantë, që ruhej prej popullit. Godina është hapur dhe kati i parë i saj u përket qytetarëve, artit, kulturës, debateve, leksioneve, nxënësve dhe studentëve”, tha Rama. Ai i ftoi familjarët të bëjnë art ose ta shijojnë atë, në katin e parë të kryeministrisë. Ku ka cinizëm më të madh!!?
Kryeministri shfrytëzoi rastin për të folur aty dhe për reformën në drejtësi. Një guvë rëre ku ai fut kokën si struci për çdo mashtrim për çdo mosrealizim dhe për çdo tradhti që ka bërë ndaj shqiptarëve duke përfshirë edhe premtimin për zbardhjen e 21 Janarit. “21 janari ka qenë një motiv e mbetet një motiv i patjetërsueshëm. Motivi i motiveve që jo vetëm ta çelnim kantierin e kësaj reforme që, siç e keni ndjekur dhe e kanë ndjekur të gjithë, pështjelloi në mënyrë të veçantë politikën shqiptare, por edhe ta çojmë atë përpara, nga Kushtetuta si letër dhe ligjet e shkruara, në ligjshmërinë e jetës së përditshme të vendit dhe qytetarëve”, tha kryeministrit. Pra ai vazhdon propagandën me zgjedhjet kaq afër.
Me paturpësi ai u kujtoi dhe lekët e dëmshpërblimit. “Pak ditë më parë, në mbledhjen e qeverisë, ne miratuam edhe fondin për dëmshpërblimin e familjeve tuaja. Një detyrim që nuk e lehtëson barrën tonë kryesore, që është nxitja dhe mbështetja deri në fund e procesit për të marrë të gjithë drejtësinë e munguar, por që dëshmon sidoqoftë, se ne jemi deri në fund solidarë me të gjithë ju, me gjithçka kemi ne në dorë”, u shpreh Rama. Pse qeveria nuk ia dha dëmshpërblimet dhe nuk u kujdes për familjet e të ndjerëve 2-3 vjet më parë? E thjesht sepse këtë vit janë zgjedhjet dhe Edi Ramës i duhet imazhi i një njeriu që kujdeset, dhe i mban premtimet. Po të shihje veshjen e zotit Rama dhe sa kushtonin ato kuptoje më së miri talljen dhe përbuzjen që ai shfaq ndaj shqiptarëve të vrarë dhe të varfër.
Reforma. Reforma. Reforma dhe ca fjalë pa kuptim nga pas. “Kemi bërë reforma që askush nuk ka guxuar t’i ndërmarrë në 20 e kusur vite. Reforma, për të ndriçuar rrugën e të ardhmes së Anës dhe të të gjithë bashkëmoshatarëve të saj për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër, për Shqipërinë që nuk e kishin ata që sot na mungojnë këtu dhe që humbën jetën e tyre në një protestë kuptimplotë, jo thjesht për të ndërruar një qeveri me një tjetër, por për të kërkuar një Shqipëri tjetër”, tha ai.
Edi Rama u tha njerëzve të shohin xhepin për çmimin e energjisë. Po cilin xhep atë që Rama dhe homologët e tij politikë kanë shqyer njerëzve të thjesht të këtij vendi nga 1944 deri sot? “Po njësoj zhvillohet debati për energjinë. Faktet thonë se Shqipëria, për herë të parë në 26 vjet, vitin e shkuar ishte eksportuese më shumë, sesa importuese e energjisë. Ky është fakt. Ndërkohë që, faktet e krijuara thonë se çmimi i energjisë për familjarët është rritur. E pavërtetë! Çmimin e energjisë, të gjithë mund ta llogarisin në xhepin e tyre, në arkën e familjes së tyre për çdo faturë që paguajnë”.
A e di kryeministri që për 30 mijë lek të vjetra ka burgosur njerëz dhe disa prej tyre kanë vrarë edhe veten se s’kishin mundësi të paguanin? Janë shqiptarë të varfër si këta që përdor vetë kryeministri për të kuruar imazhin e tij të arrogantit.
Edi Rama i do viktimat dhe familjarët e 21 janarit. I do shumë. Aq shumë sa i përdhos duke mbrojtur dhe koncesionet e Ilir Beqës në shëndetësi. “E njëjta gjë për shëndetësinë. Na thuhet se ne kemi dhënë koncesione për të pasuruar disa njerëz në kurriz të shëndetit të njerëzve, që kanë nevojë për kujdes shëndetësor. Ndërkohë që në fakt, ne kemi mundësuar gjëra që deri dje ishin jo të pamundura, por të paimagjinueshme; kontrolli bazë falas për qytetarët; hemodializa pranë shtëpisë për ata që për vite të tëra vuajtën torturë e tmerrshme të udhëtimeve tre herë në javë, për të ardhur në Tiranë nga të katër anët e vendit, bashkë me familjarët; instrumente mjekësore të standardeve më të lartat, ndërkohë që një nga arsyet e infeksioneve dhe e pasojave nga operacionet ishin instrumentet e vjetër; duam të mundësojmë analiza të standardeve më të larta. Të gjitha këto janë për njerëzit dhe njerëzit nuk paguajnë faktikisht asgjë. Ky është fakti!”
I gjithë fjalimi i tij ishte alibi dhe mbrojtje për qeverinë.
Ai i përdori e stërpërdori viktimat familjarët dhe të gjithë ata që ndiejnë ende dhimbje në këtë vend. Për të kanë rëndësi votat. Në 18 qershor shqiptarët do të votojnë. Në rast se Rama do arrijë të marri një mandate tjetër. Boldnews e sfidon atë dhe gjithë të tjerët me një pyetje. A do jetë Rama në 21 janar të vitit 2018 në Tiranë? Apo do kërcejë me ndonjë charter të iki diku gjetkë larg varfërisë. Një vit më pas atij nuk do i duhen as katër viktimat por as familjarët e tyre. të paktën një vit më pas në oborrin e mbretit do të ketë qetësi.
(Boldnews.al)