Bujar Nishani, ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ka reaguar me anë të një statusi në rrjetet sociale ndaj propozimeve për ndryshime kushtetuese të Lulzim Bashës.
“Lulzim Basha nuk heq dorë nga praktika e gënjeshtrës, hipokrizisë dhe teatrit vulgar në sjelljen e tij si politikan me opinionin publik dhe institucionet. Ka dy arsye për këtë. Ose nuk di mënyrë tjetër komunikimi dhe sjellje në këtë raport ose e ka pjesë të karakterit këtë model. Të ashtuquajturat ‘iniciativa për ndryshime kushtetuese’ që iu servirën opinionit publik në përpëlitjet e pavlera të Lulzim Bashës, për t’i ikur diskretitimit të madh që po pëson në sytë e të gjithë opinionit publik dhe atij ndërkombëtar, tregojnë edhe njëherë këtë problem të madh të tij”, shkruan Nishani.
Të prezantohesh si iniciator i rikthimit të organizimit territorial vendor në modelin siç ishte përpara 2015 me 300 e kusur bashki e komuna, shkruan Nishani, pa një projekt konkret, të një harte konkrete ndarjeje territoriale, tregon cektësinë me të cilën e kupton përgjegjësinë e komunikimit publik si dhe paaftësinë totale për t’u ulur e bërë një punë minimale.
Për Nishanin, qëllimi i Bashës është diku tjetër: “Natyrisht që qëllimi është gjetkë e kushdo që ka ‘dy pare mend’ e kupton. Do të dëshiroja t’u kujtoja të gjithë atyre personave që: në këmbim të mbështetjes, në këto kohë të izolimit të madh që anëtarësia e partisë i ka bërë L. Bashës, premtimet për t’u kandiduar si kryetarë komunash, janë krejt pa vlerë dhe nuk do mund të kthehen dot në realitet. Ato janë ca gënjeshtra të vockla vulgare si ato qindra të tjera të bëra më parë. Kjo jo vetëm për faktin se Shqipëria nuk mund të ketë 400 komuna, por mbi të gjitha sepse L. Basha nuk do të ketë më kurrë në dorë të caktojë kandidaturat për bashki, komuna e deputet të Partisë Demokratike”.
Nishani komenton më tej edhe propozimin për vetingun e politikanëve: “Po aq djallëzor është skenari Rama-Basha për t’i ikur vetingut real të politikanëve. Loja me gjoja amendamente për vetingun nga SPAK-u, nuk mashtron dot më askënd. A e ka dëgjuar ndokush Bashën të flasë për; “sekuestrim të pasurive të paligjshme të politikanëve”? Askush! Atë ka tmerr ta përmend L. Basha !
Më tej, ish Presidenti shton: Vetingu nuk është procedurë normale, formale apo e zakonshme që t’ia kërkojmë SPAKUT apo ASPAKUT, sa për t’u tallur me shqiptarët. Jo ! Vetingu organizohet pikërisht si një proces “ekstra” nga struktura të posaçme ngritur enkas për të, pikërisht për faktin se institucionet aktuale formale nuk e ndërmarrin dot aktin ligjor të pastrimit, këtë rast të politikës nga vjedhjet dhe grumbullimi i pasurive të paligjshme. Vetingu i politikanëve do të bëhet, do apo nuk do aleanca Rama-Basha. As nga SPAKU e as nga askush i pa zoti e i pa aftë, i kapur apo peng i pengmarrësve. Shteti shqiptar do të kontraktojë auditë të nivelit të lartë dhe gjyqtarë të pavarur, nga vendet evropiane me sistemet gjyqësore dhe audituese më profesionale dhe të konsoliduara për të bërë një veting model të politikanëve. Esenca dhe konkluzioni i të cilit nuk do të jetë thjesht nxjerrja jashtë politikës dhe administratës shtetërore të këtij vendi të korruptuarve dhe inkriminuarve, por mbi të gjitha sekuestrimin e çdo pasurie të paligjshme e të pajustifikuar.
Postimin e tij, Nishni e mbyll me thirrjen: “Të shpëtojmë PD për të shpëtuar Shqipërinë”.