I zënë ngushtë duke mos ditur si të justifikojë humbjen në bixhoz të xhiros ditore, një 22-vjeçar, fatorino në një linjë urbani në Tiranë, është vetëplagosur duke përplasur kokën në mur.
Por kur ka shkuar për të marrë mjekim, ai ka pretenduar se është sulmuar nga dy persona të paidentifikuar, të cilët i kanë grabitur paratë dhe telefonin celular, shkruan e përditshmja “Panorama”.
Mesohet se ngjarja ka ndodhur më 3 tetor 2016 në Tiranë, por i riu Ervin K. duhet të përballet tashmë me një dënim me burg. Gjykata e Tiranës vendosi dënimin e tij me 4 muaj heqje lirie pasi ka rezultuar e provuar se ai ka konsumuar akuzën e “kallëzimit të rremë”.
I riu kishte humbur gjithë lekët e xhiros ditore, 17 mijë lekë në total, para të cilat duhet t’ia dorëzonte kompanisë së linjës së urbanëve, në përfundim të ditës së punës. Sipas raportimit gjatë marrjes së pyetjeve nga oficerët e Policisë Gjyqësore, ai ka pranuar se ka bërë kallëzim të rremë për të justifikuar humbjen e lekëve.