Ministri i Brendshëm i Libanit tha se 6 persona janë vrarë dhe 16 të tjerë janë plagosur të enjten pasi shpërthyen përleshje të armatosura gjatë një proteste në Bejrut organizuar nga grupi militant Hezbollah dhe aleatët e tij, kundër gjyqtarit kryesor që po heton shpërthimin e fuqishëm të vitit të kaluar në portin e qytetit.
Këto shihen si përplasjet më të ashpra të armatosura që nga viti 2008, kur Hezbollahu shiit pushtoi për një periudhë të shkurtër disa pjesë të Bejrutit. Autoritetet thanë se gjatë përplasjeve të sotme u përdorën snajpera, pistoleta, kallashnikovë dhe granata-hedhëse.
Mbetet ende e paqartë se si filluan përplasjet e së enjtes. Së fundmi tensionet ishin rritur pasi Hezbollahu i mbështetur nga Irani dhe aleatët e tij shiitë të Lëvizjes Amal, kishte kërkuar largimin e gjyqtarit që drejtonte hetimin për shpërthimin masiv të portit të vitit të kaluar. Të dy partitë bënë thirrje për një protestë pranë Pallatit të Drejtësisë. Në një deklaratë të enjten, dy grupet thanë se protestuesit e tyre ishin sulmuar nga snajpera të vendosur mbi çatitë e disa ndërtesave.
Të shtënat me armë që u dëgjuan për disa orë në kryeqytetin e vendit të kujtonin skena të luftës civile të viteve 1975-90.
Dhuna shpërtheu ndërsa nënsekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Politike Victoria Nuland ndodhej në Bejrut, e po zhvillonte takime me zyrtarët libanezë. Axhenda e saj pësoi disa ndryshime për shkak të zhvillimeve në qytet.
Kërkesat për largimin e gjyqtarit Tarek Bitar dhe thirrjet për protestë kanë krijuar shumë shqetësime mes atyre që e konsiderojnë këtë një ndërhyrje të hapur në punën e gjyqësorit.
Forcat e Libanit të Krishterë, një grupim politik i krahut të djathtë, mobilizuan mbështetësit të mërkurën në mbrëmje pasi Hezbollahu dhe Lëvizja Amal bënë thirrje për protestë në Pallatin e Drejtësisë, të vendosur në një zonë të krishterë. Pamje filmike që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë mbështetës të Forcave të Krishtera Libaneze tek marshojnë në rrugë, duke mbajtur kryqe të mëdha.
Në një deklaratë, kryeministri Najib Mikati bëri thirrje për qetësi dhe i kërkoi popullatës “të mos përfshihet në një konflikt civil”.
Përplasjet kanë në qendër hetimet rreth shpërthimit më 4 gusht të vitit 2020 të qindra tonëve nitrat amoniumi, të ruajtura në kushte të papërshtatshme në një magazinë në portin e qytetit. Si pasojë e incidentit të paktën 215 persona u vranë, me mijëra u plagosën dhe disa lagje aty pranë u shkatërruan. Ky ishte një nga shpërthimet më të mëdha jobërthamore në historinë e Libanit që e rrënoi edhe më tej vendin tashmë të tronditur nga ndasitë politike e krizat e pashembullta, ekonomike dhe financiare.
Tarek Bitar është gjyqtari i dytë që drejton hetimin e ndërlikuar, paraardhësi i tij u hoq pas disa sfidash ligjore.
Ai i është kundërvënë akuzave të forta të grupit të fuqishëm libanez, Hezbollahut dhe aleatëve të tij, të cilët e akuzojnë për përzgjedhje të qëllimtë të politikanëve që merren në pyetje, shumica e të cilëve janë aleatë të Hezbollahut. Deri tani, ndërsa janë shënuar 14 muaj hetime, ndaj asnjë prej zyrtarëve të Hezbollahut nuk janë ngritur akuza./VOA