Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Irena Hoxha u përball në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të mërkurën me pyetje mbi burimin e ligjshëm të të ardhurave të kunatit dhe disa pasaktësi në deklarime.
Hetimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në kriterin e pasurisë e nxorën gjyqtaren e Tiranës me një mungesë të ardhurash mbi 7 milionë lekë. Balanca negative vinte kryesisht nga moskonsiderimi si burim i ligjshëm prej Komisionit i një huaje 60 mijë euro nga vëllai i bashkëshortit në blerjen e një apartamenti në Tiranë.
Hoxha foli me emocionalitet në seancë dhe e vlerësoi Komisionin për punën korrekte në hetimin e saj dhe për dhënien e mundësisë për mbrojtje. Ajo këmbënguli se dokumentet e sjella prej saj ishin të mjaftueshme për të shpjeguar burimin e ligjshëm të pasurisë.
Hoxha u hetua nga një trupë e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Suela Zhegun.
Irena Hoxha ka një karrierë prej 25 vjetësh në gjyqësor. Ajo ka filluar detyrën si ndihmës gjyqtare dhe kancelare në gjykatën e Dibrës dhe në vitin 2011 është transferuar në kryeqytet.
Hetimi i pasurisë
Relatorja Firdes Shuli tha se Hoxha ishte hetuar në të tre kriteret. Nga sa doli prej relatimit, gjyqtarja kishte rezultuar pa probleme në kriterin e figurës dhe atë të profesionalizmit.
Por Shuli vuri në dukje se në kriterin e pasurisë ishin gjetur disa pasaktësi në deklarime dhe se gjyqtares i ishin kërkuar shpjegime në lidhje me deklarimin e gjendjes cash për një vit dhe mbi mënyrën se si ajo kishte deklaruar përfitimet nga një tokë bujqësore.
Sipas Shulit, në deklarimet vjetore Hoxha kishte deklaruar përfitime cash nga toka bujqësore dhe në një rast ishte shprehur për qira prej kësaj toke. Por në deklaratën veting ajo pretendonte se fitimet ishin në natyrë.
Termat u bënë pjesë e debatit në seancë dëgjimore. Hoxha këmbënguli se ajo kishte përllogaritur një mesatare vjetore të përfitimeve në natyrë nga toka e prindërve të bashkëshortit. Ajo theksoi se kjo tokë ishte punuar nga kunati dhe se çdo gjë që ishte prodhim i fshatit ajo e merrte nga ferma. Ajo tha se prej vitesh nuk kishte blerë “asnjëherë komposto”, për të ilustruar se çdo prodhim e merrte nga fshati.
Komisioni këmbënguli në pyetje mbi termat e përdorura nga gjyqtarja, për të saktësuar ndër të tjera edhe burimin e të ardhurave të kunatit, i cili i kishte dhënë bashkëshortit të gjyqtares 60 mijë euro hua për apartamentin në Tiranë.
Shuli tha se fillimisht gjyqtarja nuk kishte deklaruar burim të ligjshëm të këtyre parave të marra në vitin 2011, por në deklaratën “veting” kishte specifikuar punën nga emigracioni. Siç doli nga relatimi, kunati i gjyqtares kishte dokumentacion provues për një shumë rreth 80 mijë euro nga puna në Greqi. Por nga analiza financiare që përfshinte shpenzimet e familjes së tij rezultonte se ai nuk kishte pasur mundësi të krijonte këtë shumë si kursim. Sipas KPK-së, atij i mungonin 4.9 milionë lekë.
Nisur nga kjo, KPK nuk e mori në konsideratë huanë si burim të ligjshëm pasurie dhe vlerësoi gjyqtaren me balancë negative prej më shumë se 7 milion lekësh.
Shuli tha se gjyqtarja kishte këmbëngulur që të merreshin në konsideratë edhe përfitimet e tij si bujk dhe po ashtu të merrej në konsideratë edhe fakti që ai kishte punuar në Greqi që prej vitit 1992 edhe pse jo e gjithë periudha ishte mbuluar me dokumentacion.
Në pyetje-përgjigjet e bëra në sallë, Hoxhës iu kërkua të shpjegonte nëse fitimet nga bujqësia kishin qenë vetëm në natyrë, si kishin shërbyer ato për të krijuar kursime. Hoxha këmbënguli se një pjesë e produkteve ishin shitur dhe kishin krijuar të ardhura. Megjithatë, gjyqtarja nuk qe në gjendje të shpjegonte se pse kishte deklaruar vetëm përfitime në natyrë si për veten edhe për kunatin. Në një moment, Shuli pyeti gjyqtaren se “Pse nuk i kishte deklaruar më herët” këto përfitime si cash.
Gjatë fjalës së saj, gjyqtarja tha se të ardhurat e kunatit duhej të konsideroheshin të ligjshme. Ajo tha se kur ishte marrë huaja nuk kishte shtruar pyetje mbi ligjshmërinë e tyre dhe ishte habitur që kunati kishte pasur dokumentacion për të ardhurat nga emigracioni në atë sasi që i ishte dhënë KPK.
Vëzhguesja e ONM-së, Elka Ermenkova komentoi se si gjyqtare që deklaronte pranë ILDKPKI-së prej vitesh, Hoxha duhej të kishte pyetur për burimin e ligjshëm që në këtë moment dhe pyeti atë se çfarë nënkuptonte me mos interesimin për paligjshmërinë apo ligjshmërinë e tyre.
Hoxha u përgjigj se të ardhurat e kunatit ishin të ligjshme dhe se ai nuk ishte i përfshirë në aktivitete problematike apo kriminale. Por Ermenkova replikoi duke i vënë në dukje se kjo nuk ishte ngritur si çështje dhe as përmendej në relatim.
Vëzhguesja theksoi se të ardhurat e vetme që konsideroheshin nga procesi si të ligjshme ishin ato për të cilat ishin paguar tatimet. “E kuptoj traditën shqiptare, e kuptoj edhe që familjet ndihmojnë njëra tjetrën, por një gjyqtare apo një prokuror duhet të tregohet më i kujdesshëm”, tha vëzhguesja.
Në fjalën përfundimtare, Hoxha u shpreh duke vlerësuar sërish procesin. Ajo tha se kishte “Konsideratat më të larta” për trupën dhe po ashtu e cilësoi vetingun si një proces të nevojshëm për sistemin e drejtësisë. Ajo këmbënguli se kishte kryer me profesionalizëm detyrën dhe se kishte lidhur jetën me punën që bënte, ndërsa kërkoi të konfirmohej në detyrë. /BIRN/