Nga BoldNew.al
Disa javë pas operacionit të SPAK që vuri në pranga disa zyrtarë për tenderin e uniformave, Ardi Veliu ka sfiduar kësaj here ministrin Bledi Çuçi, duke e zhvilluar vetë tenderin 2.5 milionë USD për të blerë pistoleta.
Veliu, i cili duket se ka dorë të lirë nga Rama, ka hapur tenderin për të blerë armë për trupën e policisë. Një tender që vjen pas furtunës të uniformave. Ende pa i dalë boja uniformave, policia ka vijuar me procedurat duke hapur këtë procedurë të majme, e cila duket se është e destinuar për t’i bërë favor një shteti aleat.
BoldNews.al ka siguruar dokumentet e kësaj procedurë, ku detajohet se shteti shqiptar ka rënë dakort për t’i marrë pistoletat brenda 5 viteve. Natyrisht, në dokumente nuk përmendet asnjë emër apo shtet, teksa procedura e hapur justifikohet “prokurime në fushën e mbrojtjës dhe sigurisë”.
Faksimile: Njoftimi i kontratës i hapur në Agjencinë e Prokurimit Publik, për blerjen e pistoletave të kalibrit 9×19
Sipas dokumenteve që disponon BoldNews.al, Policia e Shtetit thotë se do të lidhë marrëveshje me vetëm 1 operator. “Lëvrimi i pistoletave 9×19 (komplet) nga operatorë ekonomik të ndryshëm nuk është i favorshëm duke i shkaktuar vështirësi Autoritetit Kontraktor” thotë Policia e Shtetit.
Sipas saj, do të dërgohen ftesa për ofertë tek firmat e preferuara, duke i kërkuar që të japin oferta. Pra, do të jetë procedurë e diktuar nga vetë Veliu apo Rama, që me shumë gjasa fitues do të jetë një kompani italiane. Në dokument thuhet se “vlera e pritshme e kontratës do të jetë 230,657,900 lekë pa TVSH, ndërsa objekti “blerje pistoleta 9×19 mm”. Kohëzgjatja e kontratës është 48 muaj dhe jo më shumë se 5 vjet.
Faksimile: Policia e Shtetit do të përzgjedhë fillimisht kandidatët dhe më pas do t’u dërgojë ftesë për ofertë
Procedurat e tenderit janë shumë të kufizuara. Nga ato tendera që bën Lali Eri për rindertimin. Në dokumente shkruhet se faza e parë ka të bëjë me parakualifikimin dhe përzgjedhja e kandidatëve.
“Parakualifikimi ka të bëjë me përzgjedhjen e kandidatëve, përpara dërgimit të ftesës për ofertë nga AK-ja. Para kualifikimi i ofertuesve është një proces i ndryshëm nga procedura e vlerësimit të ofertave, e cila përqendrohet në çmimin dhe kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit” thuhet në këto dokumente. Sipas saj, procesi i parakualifikimit do të bëhet duke u përqendruar në vlerësimin e përvojës dhe aftësinë e kandidatëve për të zbatuar në mënyrë të kënaqshme kontratën konkrete.
Ndërkohë, faza e dytë është ftesa për ofertë dhe vleresimi. “Autoriteti Kontraktor do të dërgojë një ftesë për ofertë tek kandidatët të cilët kanë plotësuar kërkesat për para-kualifikim duke i ftuar të dorëzojnë ofertat.
Sipas procedurave, ka dyshime se fituesi është paracaktuar, pasi kriter për fituesin është çmimi më i ulët dhe oferta më e favorshme. Dhe me oferta të favorshme ka shumë vend për interpretim, kështu që Ardi Veliu do të ketë dorë të lirë për të përcaktuar edhe fituesin.