Diskutimet për shkelje apo jo statutore përfunduan në një fitore dërrmuese të kryeministrit Rama mbi kundërshtarët e tij në Parti. I rizgjedhur 7 vjet më parë në një proces sipas parimit një anëtar një votë dhe thuajse pa rival ( kundërshtari i tij në atë botë Maqo Lakrori nuk u përfshi as në listat e deputetëve në zgjedhjet parlamentare të 2013) përball, Edi Ramës do ti duhet “të vuaj” ndoshta vite të tëra të tjera për të hyrë në një garë zgjedhore brenda partisë së tij. Kongresi ishte ashtu i dirigjuar me regji qëndrore sikundër jemi mësuar ti shohim aktivitetet partiake vitet e fundit në politikën shqiptare. I kujdesur deri në imtësitë më të vogla për veshjen e tij dhe deri në slloganet billbordet dhe duartrokitjet e “kongresmenëve” Edi Rama fitoi një tjetër garë duke u mbështetur tek forma dhe jo tek përmbajtja. Kjo fitore kishte një element shtesë, ai fitoi me procedurë.
Pritshmëritë
Sinjalet e para të fitores së Ramës u dhanë në asamblenë e 9 Marsit kur ai shpalosi idenë e tij për referendum. Në fakt nga pikpamja e komunikimit publik me të vetët kjo ishte një gjetje. Një nga ato që me siguri është e sajuar nga “ustallarët” e vjetër në parti. Ishte zoti Ruçi i cili artikuloi se kjo situatë zgjidhej me mocion besimi ose mosbesimi. Ndërkaq ish- sekretari i rinisë komuniste Fatmir Xhafaj duket se kishte kopsitur çdo gjë nga ana ligjore. Kërkesat e rebelëve nuk u futën në rendin e ditës së kongresit. Statuti i ri që u votua ishte parapritë dhe nxirte jashtë loje pretendimet e rebelëve. Me një sofizëm të admirueshëm, retorika brilante e Blushit u mbyt nga duartrokitjet e delegatëve. Në fakt duket se grupimi rebel e njeh shumë pak partinë ku aderon, aq më pak partinë e re të zotit Rama. Delegatët në masë dërrmuese drejtora dhe titullarë të lartë të administratës publikë me siguri do të votonin verbërisht propozimet e shefit të madh. Kjo vihej re kur Ruçi propozonte mbajtjen e referendumit dhe Xhafa kundërshtimin e tij. Duartrokitjet në sallë ishin të nxehta. Në të dy rastet delegatët e kuptonin që uji shkonte në mullirin e Edi Ramës. Ata që prisnin stuhi u zhgënjyen, skenari i Ramës u mbyll sipas parashikimeve të tij dhe grupimit që e sheh atë si misionarin për të bërë shtet në Shqipëri. Në fakt shteti nga shteti ligjor kanë ndryshim substancial dhe ndajnë totalitarizmin nga demokracia.
Pushteti
Gramoz Ruçi e paralajmëroi në mbledhjen e fundit të asamblesë se problemi nuk është statutore, por politik. Ai ua tha hapur njëjtën gjë u përpoqën ta thonë dhe ministra të kabinetit si dhe i palodhuri “rebel”, ndaj liberalëve në parti Erjon Braçe. “ Nëse doni një parti socialiste në opozitë në 2017 atëherë ndërpritjani mandatin Edi Ramës”, tha ai në 9 mars. Mbajtja e pushtetit me çdo kusht, dhe se Edi Rama është garanti i këtij pushteti ishte fryma që mbizotëroi në asamble dhe në kongres. Ben Blushi dhe të tijët kuptuan që modelin Berisha që aq shumë ata e kishin sharë, ishte ulur këmbëkryq në partinë e tyre. Shpresat se PS është një parti moderne dhe pa lidhje me partinë e Punës janë utopike. Pushteti është qëllim në vetvete pavarsisht si arrihet ai.
Kongresi i propagandës
Në Shqipëri qëkurse u masivizua televizioni kongreset partiake janë të gjitha njëlloj. Shkëlqim rrëzëllitës i liderit, duartrokitje dhe goditje ndaj armiqve të partisë. Kjo gjë ka ndodhur në kohën e komunizmit dhe këto 25 vjet të pluralizmit partiak. Lideri, që lodhet e djersin për “ të mirën e popullit”, njerëzit që nuk e kuptojnë drejt sa duhet dhe disa armiq që e kanë inat dhe përpiqen ti vënë shkopinj nën rrota. Kjo histori kaq e vjetër përsëritet sa herë një kryeministër nuk qeveris mirë por e çon vendin drejt katastrofave. Ky kongres nuk kishte propagandë si gjithë të tjerat. Ishim dëshmitarë të një farse e cila do të vazhdojë deri në 9 prill. Ky ishte kongresi i propagandës. Rama mori një fitore frytet e së cilës do ti duhet të presim për të parë, ndërsa Blushi duhet të mendohet mirë dhe të kuptoj se në cilën Shqipëri jeton dhe në cilën parti aderon. Në fakt historia e partive shqiptare, dhe mënyra si sillen me mendimin ndryshe është e njëjtë. Ndoshta do ti duhet të tentojë të krijoj një parti të re, ku i dihet ndoshta shqiptarët e ndjekin.
BoldNEWS.al