Sot në orën 10:00 pritet të nisë punimet Kongresi i Partisë Socialiste. Rreth 1500 delegatë pritet të zgjedhin 175 anë-tarët e rinj të Asamblesë Kombëtare, forumit më të lartë pas Kongresit, por të përcaktojnë edhe qëndrimin ndaj debatit për zgjedhjen ose jo të kryetarit të partisë.
Sipas rendit të ditës që mundet edhe të pësojë ndryshime i pari do ta marrë fjalën Kreu i PS, Edi Rama, më pas Kreu i grupit të deputetëve socialistë Gramoz Ruçi do të prezantojë një raport mbi ecurinë dhe rezultatet e fushatës së antarësime në PS.
Veprimtarinë mes dy kongreseve do ta paraqesë Komisioni i Garancive Statutore në këtë parti. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, pikë e pestë e rendit të ditës janë ndryshimet në statut dhe në fund zgjedhja e drejtuesve të organeve qendrore të PS.
Giani Pitella dhe Massimo Da Lema së bashku me të ftuar të tjerë ndërkombëtarë do të përshëndesin punimet e Kongresit, ndërsa Mateo Renzi, Martin Shultz, Toni Blair dhe Johanes Svoboda do të jenë të pranishëm nëpërmjet video mesazheve. Lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti ishte që dje, i pranishëm në pritjen që Rama organizoi për delegatët dhe po kështu një tjetër figurë e së majtës Italiane, Massimo D’Alema.
DEBATET
Ajo që pritet të shkaktojë debate është pika e ndryshimeve në statutin e PS-së, ku tashmë është bërë i njohur neni i ri, sipas modelit laburist që kryetari i partisë rikonfirmohet kur partia fiton zgjedhjet dhe mund të zgjidhet vetëm nëse 10% e delegatëve e kërkon këtë. Një pjesë e deputetëve, si Ben Blushi, Mimoza Hafizi, Arta Dade, etj kanë këkruar që të ketë zgjedhje për postin e kryetarit të partisë. Madje këtë Blushi pritet ta propozojë edhe në fjalën e tij, ndërkohë që kryeministri Rama pritet të lançojë propozimin e tij, për t’ju drejtuar anëtarësisë së PS-së, brenda 30 ditëve nga Kongresi, ku ata do të pyeten në një referendum nëse duhet të ketë zgjedhje për kryetarin. Kjo pikë pritet të sjellë përplasje në diskutimet brenda PS-së edhe në Kongres.
ASAMBLEJA
Po sot, delegatët do të votojnë për 175 anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Përpos kritikave, Ben Blushi do të jetë anëtar i Asamblesë Kombëtare, për shkak të mandatit të deputetit ashtu si të gjithë deputetët që hyjnë automatikisht në forumin e lartë. Por, një kufizim ka këtë herë në statutin e ri. Nga kandidimi për anëtar Asambleje përjashtohen të gjithë ata socialistë që kanë statusin e nëpunësit civil. Për shkak të këtij rregulli të ri që do të miratohet sot me ndryshimet në statut, nga Asambleja privohen një sërë emrash të njohur.
Secili Qark do të ketë një përfaqësim të tij, në asamblenë e re. Kështu Tirana, përfshirë edhe Kamzën e Paskuqanin do të ketë rreth 32 anëtarë Asambleje. Në presidiumin e Kongresit do të ketë herë pas here ndryshime. Moderimi do të jetë në dorë të Gramoz Ruçit e Taulant Ballës, në pjesën më të madhe të kohës. Kongresi do të votojë edhe për 9 anëtarët e Komisionit të Garancive Statutore. Për Kongresin e sotëm kanë marrë ftesë edhe mjaft aleatë të PS-së.
Po kështu është ftuar ish-presidenti Rexhep Meidani, ish-presidenti Alfred Moisiu, ish-kreu i PS-së, Fatos Nano, i cili është edhe delegat. Në pritjen e djeshme, Rama falenderoi të gjithë të ftuarit e në mënyrë të veçantë ata nga jashtë vendit, si D’Alema. Në pritjen e mbrëmshme ishin edhe kreu i FRD-së, Bamir Topi shoqëruar nga Sali Shehu, Zef Bushati, ndërsa nga të vjetrit e PS u vu re Sabit Brokaj, Servet Pëllumbi. Munguan Ben Blushi, por ishte deputetja Arta Dade.