Nga Boldnews.al
Këdo shqiptar, nga mosha 18-99 vjeç e ka dikush në patronazh. Është një lloj socialisti i përzier gjenetikisht me Rilindjen që të mban në vëzhgim dhe e quajnë “patronazhist”. Ai të di adresën, numrin e kartës së identitetit, numrin e telefonit dhe qendrën e votimit. Secili prej nesh e ka një patronazhist të partisë në pushtet. Është ajo lloj qenie e cila të mban nën trysni duke të gjykuar, ky është i yni, ai i tyre, këtij do i bëjmë presion e tjetrin do e blejmë.
Metoda që po ndjek pushteti është zbuluar më së fundmi ku zyrat e Partisë Socialiste kanë grumbulluar të gjithë të dhënat e shqiptarëve në mënyrë të paligjshme dhe po i mbajnë nën vëzhgim. Po kryeministrin kush e ka në patronazh? Sigurisht jo një vemje e partisë së tij, sepse ai ka piacën e lartë… As nuk do ia lejonte vetes që të futej në “dada bazën” e të vëzhguerve, pasi kryevëshguesin nuk e vëzhgon njeri. Megjithatë ai i ka patronazhistët e tij, që janë të dyllojshëm.
Të parët janë trafikantët e lidhur me politikën. Ata e mbajnë nën vëzhgim kreun e qeverisë. I dinë jo vetëm numrin e ID-së, apo të telefonit, por edhe menunë e preferuar, lëvizjet që bën, apo nismat që ndërmerr. Ata i ofruan fitoren në tepsi në vitin 2017, por më parë edhe vetë Rama kishte bërë shumë ndere për “patronazhistët” e krimit… Lejoi kanabizimin e vendit, duke u trafikuar me mijëra ton kanabis drejt vendeve të BE-së. Aq në vështirësi u vendos Italia dhe Greqia sa detyruan edhe forcat ushtarake të patrullonin kufirin tokësor dhe detar me Shqipërinë, pasi u “mbytën” nga kanabisi ynë.
Pikërisht këta “çuna problematik” janë patronazhistët e kryeministrit. Edhe në këto zgjedhje ata e vëzhgojnë, e ndikojnë në vendimet e tij dhe kanë zgjedhur një strategji djallëzore, duke mos dalë vetë haptas me kostumin e kandidatëve për deputetë, por dërguar njerëzit e tyre si përfaqësues të partisë në pushtet, që nesër do i shohim edhe në Parlament.
Gjithashtu Ramën e kanë edhe patronazhistët oligarkë. Këta janë më të pakët në numër se “Partia e trafikantëve”, por me më shumë “cilësi” dhe e ndikojnë aq fort kreun e qeverisë sa ia kanë në duar të “gjithë të dhënat”. Prej tyre Rama nuk shantazhohet, por vetëofrohet pasi për tetë vite radhazi oligarkia lulëzoi. Janë një grusht njerëzish që nën petkun e biznesmenëve kanë çdo pasuri të shqiptarëve, duke nisur nga nëntoka, tregtia, trasporti tokësor dhe ajror, hidrokarburet dhe ndërtimi.
Rama e ka dëshirë ta kënë ata në patronazh, sepse ende shpreson se edhe mandati i tretë, ashtu si i dyti, kalon nga trafikantët e lidhur me pushtetin dhe oligarkët që janë vetë pushteti, i shkrirë në njëngjyrëshen Rilindje.