Nga Boldnews.al
Një seri komentesh kanë vërshur në profilin e facebook-ut të Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro Furxhi, pasi kjo e fundit vendosi të mbrojë kolegen Lindita Nikolla për spërkatjen që i bën me salcë. Mes tyre, ishte një qytetare e cila i drejton një pyetje Ministres Kumbaro nësa ka konflikt interesi në tenderin 10 milion dollarësh që u ka dhënë pronarëve të Vizion Plus për ndërtimin Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Vazhdimi i pyetjes ishte nëse Ministrja Kumbaro kishte një reagim për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në Landifllin e Sharrës. Kjo pyetje mesa duket ngacmoi ministren Kumbaro, e cila vendos t’i përgjigjej vetëm pjesës së parë dhe të mohonte vdekjen e një 17-vjeçari.
“Përsa i përket akuzës tuaj më lejoni t’ju shpjegoj se në zbatim të rregullave për prokurimin publik, ministri as jep dhe as nuk refuzon asgjë, por ka nje komision vlerësimi që shqyrton çdo kërkesë. Në këtë komision ministri nuk bën pjesë, sikurse subjektet janë në të drejtën e tyre të aplikojnë përmes sistemit online të prokurimeve.” – ishte reagimi i Kumbaros për komentuesen.
Por në këtë përgjigje, Ministrja e Kulturës ka një mungesë të theksuar sinqeriteti ndaj publikut. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, për të cilën flet ministrja, është totalisht në varësinë e saj ndërsa një nga anëtarët e këtij komisioni është nga kryeministria.
Përveç kësaj, pyetja e komentuesit në facebook ishte e qartë, nëse ministrja ishte në konflikt interesi duke i dhënë tenderin 10 milion dollarësh Artan Dulakut ndërkohë që bashkëshorti i saj është rrogëtar tek ky biznesmen.
“A jeni ju në kushtet e konfliktit të interesit, si titullare e Ministrisë së Kulturës, por dhe si bashkëshorte e zotit Furxhi, që është i punësuar nga Vizion Plus, një media, pronësia e së cilës i përket të njëjtëve aksionerë që fituan tenderin e shpallur nga Ministria e Kulturës?” – pyet sërish komentuesja.
Bëhet fjalë për gazetarin Aleksandër Furxhi që drejton emisionin politik “Kapital” në Vizion Plus duke kryer një konflikt ulëritës interesi pasi pagadhënësit e të shoqit, përfitojnë nga e shoqja shuma marramendëse prej fondeve publike.
Mirela Kumbaro Furxhi është dekretuar si ministre në shtator të vitit 2013, ndërsa i shoqi i saj, me cilësinë ‘si person i lidhur me një zyrtar’ është punësuar në televizionin Vizion Plus, një vit më pas, pra në tetor të vitit 2014.
Përgjatë vitit 2015, Ministria e Kulturës nuk kreu asnjë tender për punë publike me vlera financiare të mëdha. Tenderimi i Sallës së Teatrit të Operas dhe Ansamblit Kombëtar, por edhe tenderimi i Sallës së Re të Teatrit Kombëtar në vitin 2016, ishin të parat dhe “EDIL AL-IT“ sh.p.k me pronar Artan Dulakun e Vizion Plus, u shpall fitues në të dyja.
Çuditërisht, disa javë më parë, begatia përfshiu dhe familjen Kumbaro-Furrxhi! Programi televiziv që i shoqi i ministres drejtonte në Vizion Plus, “fitoi” ‘prime time’, një brez kohe i lakmueshëm për çdo anëtar të komunitetit televiziv, ndonëse treguesit e marketingut nuk e justifikonin një vendimmarrje të tillë!
Paga që ai përfiton nga televizioni, arrin në disa miliona lekë, disa herë më e madhe se e bashkëshortes e cila gëzon statusin e anëtarit të qeverisë! Prej dy vitesh, te ardhurat ne buxhetin familjar te ministres ishin rritur dhe znj. Kumbaro-Furxhi ishte në dijeni se, i shoqi punonte e merrte rrogë nga të njëjtët pronarë që po merrnin pjesë në tenderat publikë të organizuar nga institucioni i saj
“Sidoqoftë, dokumentacioni është publik dhe cilido , sikurse dhe ju, jeni e ftuar ta konsultoni kur të dëshironi për të verifikuar ligjshmërinë dhe rregullsinë e gjithë procedurës.” – i përgjigjej më tej komentuesit, ministrja Kumbaro-Furxhi.
Por duke parë dokumentat zyrtare, një hije skandali ka mbështjellë procedurën e tenderimit të TKOB. Në zbatim të Ligjit “Për Prokurimin Publik“, neni 45, ‘Mbi përjashtimin e ofertuesve‘, shoqëria “EDIL AL-IT“ sh.p.k duhet të përjashtohej nga pjesëmarrja sepse kjo shoqëri ka detyrime tatimore të papaguara në shumën 4,958,780 lekë! Neni 45, pika dh, i jep të drejtën e përjashtimit autoritetit, nëse kompania nuk i ka përmbushur detyrimet për pagimin e tatimeve.
Përveç kësaj, kompania ”EDIL AL-IT” sh.p.k në pronësi të Artan Dulakut, në datën 22 shtator, pra vetëm një ditë përpara mbylljes zyrtare të afatit për dorëzimin e dokumentave për tenderin 10 milion dollarësh, në ekstraktin e shoqërisë, është shtuar: “rehabilitim dhe rikonstruksion i monumenteve arkitekturore të kategorive të ndryshme”. Bëhet fjalë për një veprim të qëllimshëm, që ka lujtur një rol kyç në rezultatin e garës duke e nxjerr fitues kompaninë ku ka të punësuar bashkëshortin Aleksandër Furxhi.
Në katër vite pushtet e propagandë një pakicë përfituese klienteliste po grabit taksat e shqiptarëve, duke u fshehur pas ndërtimeve, gjoja në emër të së mirës publike, pa përmendur këtu shifrat e fryra në raport me punën e afruar. Me këto para, oligarkët financojnë media, duke u afruar vullnetarisht në shërbim të politikës dhe pushtetit të plaçkitjes…