Nga Boldnews.al
I gjendur përballë një gjyqi që mund të thellojë edhe më tej gropën e ekonomisë së vendit tonë, atij ndaj Francesco Becchettit, kryeministri Edi Rama ka nisur prapaskenat për të hequr gabimin nga vetja. Duke përdorur Avokaten e Shtetit, Alma Hickën, Rama ka ngritur akuzë ndaj deputetit Ben Blushi i cili pak javë më parë shpalli forcën më të re politike, LIBRA.
Mbi 1.2 milionë dollarë janë paguar deri tani nga qeveria për kryerjen e pagesave të faturave avokatore që përfaqesojnë Shqiperinë në arbitrazh kundër kompanive të italianit Francesko Becchetti. Ky i fundit, i kërkon qeverisë së kryeministrit Rama një shumë prej 160 milionë eurosh dëmshpërblim nga shteti shqiptar për dhunim të traktatit dypalësh në investimet Itali-Shqipëri.
Me të ardhur në pushtet në vitin 2013, kryeministri Edi Rama nisi një seri sulmesh ndaj biznesmenit kontrovers, duke i mbyllur mediat dhe sekuestruar pasurinë. Madje asokokohe, Rama u bë protagonist në hetime pasi morri pozicionin e prokurorit duke thënë se Becchetti pastronte para në Shqipëri.
“Bllokimi i burimit të parasë së zezë që ushqente Agon Channel, një sukses!” – ishte ky qëndrimi i Ramës për veprimin e prokurorisë në qershor të 2015. Por si një piktor pa njohuri mbi jurisprudencën, Rama harroi se italiani Becchetti gëzon të drejtën e prezumimit të pafajësië, pra përsa kohë nuk ishte dënuar nuk mund të quhej fajtor dhe paratë e tij nuk mund të quheshin të zeza.
Pak kush e mendonte në atë kohë, se ky qëndrim i nxituar i kryeministrit, do t’i kushtonte sot miliona euro dëm shtetit shqiptar. Por sot, Rama ka ngritur një alibi. Duke përdorur Avokaten e Shtetit, Alma Hicka, ai po tenton të largojë gabimin nga vetja dhe këtë ia faturon ish deputetit socialist, Ben Blushi.
Në një deklaratë “të porositur”, Hicka e përfshin Blushin si pjesë të çështjes gjyqësore së Shqipërisë me Francesco Becchettin.
“Ben Blushi është pjesë e çështjes gjyqësore mes shtetit shqiptar dhe Francesco Becchettit, për historinë e njohur si “skandali i plehrave”, në lidhje me kontratën koncesionare të firmosur në vitin 2004. Deputeti, asokohë ministër i pushtetit lokal, ka qenë një ndër firmëtarët e kontratës, e cila kishte për qëllim final, t’i hapte rrugën importit të plehrave për djegie apo asgjësim në Shqipëri. Meqënëse vetëm për shkak të atyre firmave, ndër të tjera dhe ajo e Z. Blushi, shteti shqiptar gjendet në situatën absurde ku duhet të mbrohet kundrejt një padie prej disa qindra miliona eurosh, në detyrën time zyrtare dhe për interesat e shtetit shqiptar, i kam kërkuar Z. Blushi të jap dëshmi për ato që flet në media.” – u shpreh Hicka.
Por le të ndalemi në çështjet për çfarë ka folur Avokatura e Shtetit dhe për të cilën duhet të mbajë përgjegjësi. Lidhur me firmën e Blushit, ajo doli fillimisht nga gazetat e italianit Carlo Bollino i cili njihet për miqësinë e tij me Ramën. Por në pak ditë u zbulua mashtrimi i gazetës së Bollino-s e cila kishte nisur një sulm ndaj Blushit, pasi ky i fundit dha dorëheqjen nga Rilindja e Ramës.
Po si qëndron e vërteta e firmës së Blushit që pretendon Avokatura e Shtetit me në krye Alma Hickën? Në vitin 2004 qeveria Nano hapi garën për përpunimin e mbetjeve dhe u paraqitën dy kompani, njëra e italianit Francesco Becchetti dhe tjetra e Koço Kokëdhimës. Kompania e Becchettit, “Albanianbeg Ambient” parashikonte të investonte 180 mijë euro, të digjte të gjitha mbetjet e Tiranës dhe Durrësit në një zonë në Kashar dhe do të importonte 208 mijë ton plehra në vit nga Italia, ose 39 % të totalit që do të përpunonte impianti i djegies për prodhimin e energjisë.
Firma e Becchetit nuk kërkonte asnjë dollar për përpunimin e mbetjeve, por vë si kusht të importojë 30 % të sasisë nga Italia. Firma 2K Group e Kokëdhimës kërkon 29.5 dollarë për përpunimin e 1 ton mbetje.
Në garë ishin edhe dy kompani të tjera. Ofertat janë shqyrtuar nga një organ i miratuar nga Ministrat Bashkim Fino e Ethem Ruka, sic vërteton shkresa. Pas vlerësimit të ofertave nga organi i miratuar nga Fino e Ruka, si ministër i Pushtetit Vendor, Blushi ka firmosur hapjen e negociatave, një kusht që lindte nga zhvillimi i garës nga dy ministritë e tjera.
Por procesi pati një ngërç si pasojë e mungesës së ligjit për vazhdimin e procedurave. Në mungesë të ligjit, Ben Blushi refuzon ta firmosë marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe firmës së Francesco Becchettit. Por kryeministri Nano, për ta çuar deri në fund vendimin për ngritjen e impiantit të djegies së plehrave, ia ngarkon këtë përgjegjësi ministrave Fino e Ruka.
Ligji që lejonte importin e plehrave u dërgua në parlament, por ai u rrëzua si pasojë e protestave masive që shpërthyen në vend. Pra pretendimi i Avokates Hicka rrëzohet për firmën e Blushit në ligjin e importin e plehrave në 2004.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, Hicka kërkon të hutojë publikun duke thënë se Shqipëria është në proces gjyqësor me Becchettin për shkak të ligjit për importin e plehrave të 2004. Në fakt, të gjithë e kujtojnë se ishte kryeministri Edi Rama që i shpalli “luftë” Agon Channel dhe biznesmenit Francesco Becchetti. Ky i fundit, madje në disa intervista është shprehur se Rama po hakmerret ndaj tij për shkak të qëndrimit opozitar që kishte televizioni Agon Channel.
Edhe në padinë e depozituar ndaj Shqipërisë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, Becchetti veçon një postim të kryeministrit Rama në Facebook me 9 qershor 2015 (postimi më lart), si dhe tre intervista të mëvonshme televizive në Vizion Plus, A1 Report dhe TV Klan.
Becchetti kundër qeverisë “Rama”
Padia e Becchettit në Strasburg është vetëm një nga nismat e shumta ligjore të ndërmarra kundër Shqipërisë nga biznesmeni Italian. Becchetti ka ngritur disa padi në arbitrazh kundër qeverisë shqiptare si dhe një ankimim tjetër në Strasburg për mospërfshirjen e Agon Channel në tenderin për licencat e frekuencave dixhitale nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, i njohur gjithashtu si Beauty Contest.
Aktualisht, shteti shqiptar ndodhet në gjyqe arbitrazhi ndërkombëtar me disa nga këto kompani, në dy procese të ndryshme që lidhen me mosrealizimin e dy koncesioneve.
Nga njera anë, kompanitë Albaniabeg ambient sh.p.k., Angelo Novelli and Costruzioni S.R.L. kanë hedhur në gjyq qeverinë shqiptare, duke i kërkuar 150 milionë euro dëmshpërblim për mosrespektim të kontratës për djegien e plehrave të sjella edhe nga Italia, duke prodhuar energji nga impianti termovalorizator.
Ndërsa gjyqi tjetër ka të bëjë me (mos) ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit mbi Vjosë nga kompania Hydro Srl. Shtetit shqiptar i kërkohet të paguajë një shumë prej 10 milionë eurosh për TVSH-në lidhur me këtë projekt.
Ndërkohë pritet që Becchetti të ngrejë padi edhe ndaj AMA-s pë licencat e frekuencave dixhitale. Kostot për Shqipërinë sapo kanë nisur dhe këto po i paguajnë qytetarët shqiptar për një kapriço të kryeministrit Rama. Miliona euro po shpenzohen nga buxheti i shtetit për avokatët që mbrojnë Shqipërinë në arbitrazh, ndërkohë shanset që Becchetti të fitojë gjyqet janë të mëdha duke u nisur edhe nga përvojat e tij të mëparshme në këtë fushë.
Nëse do të ndodh një gjë e tillë, ekonomia e Shqipërisë mund të fundoset tepër rëndë me pasoja të pariparueshme…prandaj për këtë kryeministri Rama është në kërkim të një “kurbani”.