Nga Boldnews.al
Pas televizionit Vizion Plus, gazetarët e emisionit “Públicus” janë censuruar edhe në seancën dëgjimore të Komisionit të Medias. Në orën 10:00 të ditës së sotme ishte parashikuar zhvillimi i kësaj seance, por që në hyrje trupërojat e kuvendit kanë penguar gazetarët pasi nuk kishin marrë asnjë njoftim.
Në fakt, kryesia e Kuvendit me urdhër të ish gazetarit Alfred Peza kishte fshirë njoftimin për seancën dëgjimore në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e informimit Publik (Komisioni i Medias). Është dashur ndërhyrja e kryetarit të Komisonit të Medias, Genc Pollo dhe disa deputetëve të opozitës për të hyrë gazetarët brenda ambjenteve të kryesisë.
Por bojkoti dhe censura vijuan edhe në sallën e Komisionit të Medias. Përveç bojkotit të deputetëve të mazhorancës, edhe sekretarja e këtij komisioni braktisi punimet duke mos mbajtur procesverbal ndërkohë që ishte urdhëruar për të fikur edhe regjistrimin e bisedës mes anëtarëve. Ky veprim primitiv për të ndalur fjalën e lirë i detyroi anëtarët e Komisionit të Medias që të shtyjnë seancën dëgjimore me gazetarët e emisionit “Públicus” ditën e hënë në orën 10:00.
Deputeti demokrat Luçiano Boçi ngriti shqetësimin që kjo dëgjesë publike të mos jetë sa për të kaluar rradhën por të përcjellë impaktin tek gazetarët të cilët ndjehen të kërcënuar nga liria e të shprehurit.
“E bëmë me Alida Totën dëgjesën publike, por nuk pati asnjë impakt. Ne duhet të marrim një masë ekstreme në mënyrë që zëri i gazetarëve të emisionit “Públicus” të përcillet në të gjitha medias dhe instancat ndërkombëtare. Kjo është kauza e gazetarëve dhe ne si Komision i Medias duhet të mbrojmë fjalën e tyre të lirë. Mendoj se kjo dëgjesë duhet të vendoset edhe mbi buxhetin e këtij komisioni, pasi nëse nuk ka fjalë të lirë si mund të kemi transparencë në financa.” – u shpreh Boçi.
Ndërkohë gazetari i emisionit “Públicus”, Jetmir Olldashi u shpreh se censura ka mbërthyer jo vetëm mediat por edhe institucionet shtetërore.
“Më vjen keq sesi dy ish-gazetarë, tani politikanë, Alfred Peza dhe Musa Ulqini nuk janë të pranishëm në Komisionin e Medias për të dëgjuar kolegët e tyre. Ne do të përshkruanim me detaje sesi u censurua emisioni i titulluar “Kodrina e Vdekjes” që duhej të transmetohej më 9 tetor të këtij viti.” – u shpreh Olldashi.
Edhe Kryetari i Komisionit të Medias, Genc Pollo deklaroi jashtë dyerve të Komisionit parlamentar të Medias se Partia Socialiste në mënyrë të përsëritur ka censuruar dëgjesën me gazetarët.
“Në mbledhjen e Komisionit sot kishim planifikuar dëgjesë me grupin Publicus dhe me Shoqatën e Gazetarëve profesionistë, të cilët zbuluan korrupsionin dhe abuzimin në landfillin e Sharrës, ku një adoleshent gjeti vdekjen dhe gjë për të cilën humbën vendin e punës, humbën kontatën, njësoj si zonja Alida Tota, drejtoreshë e lajmeve në A1 News. Kishim rënë dakort që të bënim dëgjesën për këtë çështje. Sot përsëri ndodhi i njëjti skenar i shëmtuar, kësaj rradhe me bojkot të deputetëve të Partisë Socialiste dhe duke terrorizuar stafin e duke mos lejuar çeljen e mikrofonit. Ne mendojmë se i bëjmë vendit shërbimin më të mirë, nëse e mbajmë këtë dëgjesë, ashtu siç mbajtëm dëgjesën me Alida Totën. Dhe vendimi i ligjshëm i këtij Komisioni është që kjo çështje të zbardhet dhe të hënën në orën 10.00 pika e parë e rendit të ditës do të jetë vetëm dëgjesa me grupin “Publicus” dhe me Shoqatën e Gazetarëve Profesionistë. Ditën e hënë ju ftojmë të gjithëve si media të jeni të pranishëm, pasi është për fjalën tuaj, është për të drejtën tuaj dhe është përtej lirisë së medias në këtë vend.”– u shpreh Genc Pollo.
Për shkak të heqjes së njoftimit nga faqja e parlamentit, në Komisionin e Medias nuk ishin të pranishme mediat, por për ironi një kamera e Vizion Plus bashkë me gazetaren Olta Blaceri kishin ardhur për të dëgjuar se çdo të flitej për pronarët e tyre.
Në Komisionin e Medias morrën pjesë edhe përfaqësues nga Këshilli i Europës, Ambasada Gjermane si dhe OSBE.