Në orët e fundit si president i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump fali dhjetëra persona, por ai në këtë listë faljesh nuk e përfshiu veten, fëmijët e tij dhe avokatin personal Rudy Giuliani, pavarësisht se këshilltarët e tij, privatisht kishin biseduar për mundësinë që Trump ta falte veten.
Agjencia e lajmeve Reuters shpjegon se si ky vendim mund të ndikojë ndaj akuzave të mundshme civile dhe penale, tashmë kur Trump është një qytetar privat amerikan. Çfarë mund të ketë ndikuar që Trumpi të mos e falë veten dhe pjesëtarët e rrethit të tij të ngushtë?
Faljet presidenciale mund të ndalojnë ndjekjet penale nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, që është agjenci federale. Por, hetimet që kryhen nga prokurorët shtetërorë mund të jenë ende aktive, të tilla si hetimet kriminale që po i kryhen prokurori i qarkut të Manhatan, Cyrus Vance lidhur me bizneset e Trumpit nën dyshimet se janë përfshirë në mashtrime. Vance ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj askujt për keqbërje dhe Trumpi ka thënë se ky hetim është i motivuar politikisht.
Nëse Trump do ta falte veten, atëherë vetëm sa do të shtoheshin thirrjet për nisjen e proceseve gjyqësore ndaj Trumpit në nivelin shtetëror, thotë Daniel R.Alonso avokat në firmën Buckley dhe ish-nënprokuror në qarkun e Manhatanit.
Po ashtu, nëse Trump do të falte veten, kjo do të mund të nxiste rritjen e përpjekjeve që ish-presidenti amerikan të mbahet përgjegjës përmes padive civile, të ngritura nga qytetarët privatë, të tillë si anëtarët e familjeve të njerëzve që vdiqën gjatë protestave të 6 janarit, kur mbështetës të Trumpit sulmuan ndërtesën e Kongresit. Kështu thotë Jessica Levinson, profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë Loyola në Llos Anxhelos.
Para se të ndodhte sulmi në Kongres, teksa ligjvënësit amerikanë ishin duke certifikuar fitoren e demokratit, Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit të vitit të kaluar, Trump foli para mbështetësve të tij që u mblodhën në Shtëpinë e Bardhë dhe iu kërkoi atyre që të “luftonin” – duke e përdorur këtë fjalë mbi 20 herë – dhe “të mos durojnë më”. Ai po ashtu u kërkoi mbështetësve të tij që të marshojnë për në Kongres.
“Me faljen vjen edhe një dozë e pranimit të fajit”, thotë Levinson.
“Në njëfarë mënyrë, unë mendoj se falja e vetvetes dhe familjes është tallje. Nëse ai (Trump) do ta bënte një gjë të tillë ky veprim do të thoshte ‘përpiquni të më kapni nëse mundeni’ dhe kjo më pas do të mund të nxiste padi dhe nisje të hetimeve”, shton ajo.
Po ashtu, ka dyshim në mesin e ekspertëve nëse falja e vetes nga një president, do të mund të mbrohej para një gjykate. Shumë ekspertë thonë se një veprim i tillë shkelë parimet themelore, pasi asnjë person nuk mund të jetë gjykatës për çështjen e vet.
Falja e vetvetes nga Trumpi po ashtu do të mund të kishte nxitur zemërim në mesin e republikanëve në Senatin amerikan, ku së shpejti pritet të nisë gjykimi nëse fjalimi i Trumpit më 6 janar nxiti kryengritjet në Kongresin. Procesi i gjykimit pason ngritjen e akuzave ndaj ish-presidentit Trump në Dhomën e Përfaqësuesve.
Ky gjykim mund të rezultojë në diskualifikimin e Trumpit nga garat e ardhshme zgjedhore.
A do t’i kishte ndihmuar Trumpit falja e avokatit Giuliani? Përgjigja në këtë pyetje me gjasë është po, edhe pse ekspertët ligjorë thonë se është e vështirë të spekulohet për këtë çështje.
Giuliani është marrë me ukrainasit në emër të Trumpit, kur ai tentoi që të gjente informacione që mund ta komprometonin tashmë presidentin amerikan, Joe Biden dhe djalin e tij, Hunter. Përpjekjet e Trumpit për këtë çështje rezultuan me gjykimin e parë të tij në Senat, që u iniciua nga Dhoma e Përfaqësuesve më 2019, por Senati me shumicë republikane në shkurt të vitit 2020, tha se Trumpi nuk ishte fajtor për akuzat e ngritura nga Dhoma.
Në nëntor të vitit 2019, prokurorët federalë në Nju Jork kishin kërkuar faturat e pagesave nga Giuliani, si pjesë e një hetimi aktiv penal, thuhet në një dokument, të cilin e ka parë agjencia Reuters.
Prokurorët po hetojnë dyshimet për pastrim parash, mashtrime, shkelje të ligjit për financim të fushatës, deklarime të rreme, pengim të drejtësisë dhe shkelje të tjera të Aktit për regjistrimin e agjentëve të huaj, thuhet në dokumentin që e ka parë Reuters.
Giuliani ka mohuar çdo keqbërje.
Madhësia, por edhe statusi i hetimit është i paqartë dhe Giuliani ende nuk është akuzuar për ndonjë vepër penale. Po ashtu është e paqartë nëse ai ka informacione për Trumpin, që do të ishin informacione të vlefshme për prokurorët.
Por, pasi Trumpi nuk e fali atë sa ishte president, kjo rrit gjasat që Giuliani të bashkëpunojë me prokurorët dhe ta implikojë edhe Trumpin nëse ngrihen akuza ndaj tij, thotë Jessica Roth, profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë Benjamin N.Cardozo, e cila ka qenë edhe prokurore federale.
“Pa mundësinë e faljes presidenciale, mundësia e një dënimi dhe vuajtja e dënimit në burg, shndërrohen në një mundësi reale, duke nxitur një bashkëpunim (me prokurorët), me qëllim që të ketë një trajtim më të favorshëm”, tha Roth.
Trumpi – të cilit i përfundoi mandati katërvjeçar si president i SHBA-së më 20 janar – mund të ketë vendosur që mos t’i ofrojë falje presidenciale Giulianit, sepse ky i fundit dështoi që të bindë gjykatat përmes një sërë të padive, lidhur me përpjekjet e ish-presidentit që të shpallte të pavlefshme fitoren e Bidenit në zgjedhje, thotë Levinson.
A ka mundësi që Trumpi ta ketë falur veten dhe të tjerët fshehurazi?
Ka mundësi të ketë ngjarë kjo, thotë ish-prokurori Alonso.
Faljet presidenciale zakonisht bëhen publike. Por, Kushtetuta amerikane nuk e kërkon një gjë të tillë dhe Trumpi ka mundur që fshehurazi të lëshojë për vete falje të parakohshme, si dhe për anëtarët e familjes së tij dhe bashkëpunëtorët, thotë Alonso.
Sipas një ligji në SHBA, kërkohet që të gjitha vendimet e një presidenti të dokumentohen, por ligji nuk ka mekanizëm që të detyrojë që një gjë e tillë të ndodhë gjithmonë, thotë Alonso. Një falje presidenciale, e bërë në mënyrë të fshehur, mund të bëhet publike vetëm nëse pranuesi i faljes eventualisht akuzohet me ndonjë krim federal dhe më pas ai paraqet aktin e faljes presidenciale për t’u mbrojtur nga akuzat. /Rel/