Një ish-gjyqtar italian, i cili ka qenë pjesë edhe e Serisë A gjatë karrierës së tij, është zhdukur ditët e fundit në Shqipëri pa lënë gjurmë në rrethana të mistershme.
Davide Pecorelli, është në kërkim prej rreth 10 ditësh, me kontaktet e fundit të tij që kanë qenë në vendin tonë.
Pekoreli mendohet se kishte udhëtuar për arsye biznesi drejt Shqipërisë, por familjarët dhe miqtë e tij kanë humbur kontaktet dhe janë shqetësuar për situatën e tij.
E vetmja gjë që dihet për momentin është se makina ‘Skoda’ që kishte marrë me qera në vendin tonë është gjetur e djegur në Pukë.
Makina është gjetur e djegur në 8 janar.
‘Gjendet një makinë e djegur në aksin rrugor Gjegjan-Reps, në Pukë.
Mjeti tip ‘Skoda Fabia’ është gjetur në vendin e quajtur ‘Kodra e Bardhë’, ndërsa rezulton të jetë marrë me qira në Rinas.
Nga informacionet e para thuhet se makina ishte marrë me qira nga një turist i huaj në aeroport’, ishte raportimi i medieve ditën e ngjarjes në 8 janar 2021.
Sipas gazetës italiane ‘La Nazione’, brenda makinës janë gjetur disa sende personale të Pekorelit.
45-vjeçari ka qenë për shumë vite një gjyqtar profesionist.
Ai ka drejtuar kryesisht në Serinë C në Itali gjatë karrierës së tij. Por ndërkohë, në CV ka edhe shumë ndeshje në Serinë A, por si gjyqtar i katërt.
Në Itali presin ende të mësojnë rrethanat e zhdukjes së tij në vendin tonë në një ngjarje shumë të pazakontë.