Ish-deputeti socialist, kreu i LIBRA-s ka akuzuar Edi Ramën, që në rolin e kryeministrit të Shqipërisë është një fyçkë, një trompist i një orkestre dhe që merret me qira në fushata të zgjedhjeve jashtë Shqipërisë.
Deklaratat e ashpra Blushi i bëri në seancën parlamentare të ditës së sotme.
E sipas Ben Blushit, Edi Rama e shau Donald Trumpin më keq seç e bëri Hillary Clinton dhe ai ka edhe arsyen se pse kryeministri i Shqipërisë i ka bërë këto deklarata.
Blushi theksoi se kryeministri nuk është imam i lagjes që të mbrojë interesat e myslimanëve.
“Ai është një fyçkë. Pse i ka bërë këto deklarata? Për një foto, për një gisht, për 5 minuta takim më shumë”, u shpreh Blushi në Kuvend.
FJALA E PLOTE E BLUSHIT NE KUVEND
“Nuk do ishte e udhës të merresha me çdo paudhësi të Kryeministrit nëse kjo e fundit, që lidhet me zgjedhjet në Amerikë do të ishte vetem një akt mendjelehtësije prej një njeriu të cilin prej vitesh e njoh mirë si një amator profesionist.
Amatorit, pra do t’ia kisha falur faktin që u rreshtua personalisht gabim dhe pa asnjë arsye në një garë demokratike zgjedhjesh të brendshme, në Shtetet e Bashkuara të Amerikes.
Në fund të fundit, amatorët këtë detyrë kanë: të bëjnë gabime të cilat mund të tolerohen pasi nuk shkaktojnë dëm.
Që Edi Rama është një amator, për këtë nuk kam më asnjë dyshim dhe shpresoj se nuk jam i vetmi.
Qeverisja e tij tre vjeçare është një provë e përditshme se ai nuk ka asnjë koncept për ekonominë, asnjë ide për modernizimin e vendit dhe, sigurisht asnjë doktrinë të besueshme sa i takon politikës së jashtme.
Gjatë zgjedhjeve në SHBA, Edi Rama nuk u rreshtua vetë.
AI shkoi me larg: rreshtoi Shqipërinë në garë dhe kjo është çështja.
Pyetja eshte: ç’pati ky njeri dhe pse është kaq mendjelehtë?
Unë jam i bindur se Edi Ramen në këtë fushatë nuk e çoi as mendjelehtësia, as arsyeja, as simpatia për njerin nga kandidatët, çka do të ishte e arsyeshme dhe e kuptueshme, por e çoi interesi banal dhe meskin.
Interesi i vogel për të hapur një dere, apo një deriçkë, për të bërë një selfie, apo për të kapur një buzëqeshje e detyroi ta rreshtonte Shqipërinë në një palë zgjedhje, në të cilat ajo nuk kishte asnjë pune.
Edi Rama, si piktor i pavarur, mund të zgjidhte kë të donte nga dy kandidatet, por si Kryeminister i Shqipërisë ai nuk kishte të drejtë të zgjidhte asnjërin.
Megjithatë, ai jo vetëm zgjodhi, por bëri edhe më shumë se kaq dhe sigurisht edhe më shumë se ç’ju kerkua: ofendoi njërin nga kandidatët, duke e quajtur atë fatkeqësi për Amerikën.
Sot ky njeri është President i Shteteve te Bashkuara.
As vetë zonja Klinton nuk e ka quajtur zgjedhjen e Donald Trump një fatkeqësi. Këtë guxim e pati Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, vendit më të varfër dhe më proamerikan në Evropë.
Edi Rama pra nuk preferoi, por ofendoi. Nuk zgjodhi lavdinë e njerit, por hodhi balte mbi tjetrin.
Sikur hileja të ishte nje dekorate, me siguri Edi Rama do të kishte mundësi të bënte një ekspozitë me dekoratat e fituara në karrierën e vet. Ato do të ishin me mijëra dhe kjo që mori në Amerikë do të ishte njëra nga më të shndritshmet në këtë galeri mashtrimi.
Kam parë këto ditë deklaratat që kryetarë të tjerë shtetesh apo personalitete politike kanë bërë për presidentin e zgjedhur të Sheteve te Bashkuara. Askush nuk ka folur si Edi Rama.
Ka njerëz që nuk janë dakort me pikëpamjet e tij, çka është normale, por askush nuk ka fyer duke thënë si Edi Rama: do zoti që Trump të mos zgjidhet, sepse kjo do të ishte një kërcënim për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.
Ku është pra rreziku sot? Kush e demton më shumë Shqipërinë, ai që u zgjodh nga populli amerikan apo një servil që u servir për të folur në CNN kundër një kandidati?
Prandaj them se, për fat të keq, Edi Rama nuk tha atë që mendonte, por atë që iu kërkua të mendonte.
Në garën e zgjedhjeve amerikane Kryeministri i Shqiperise ishte nje trompist i përdorur për të bërë zhurmë nga orkestra e njerit kamp.
Duhej të shurdhonte kampin tjetër. Kjo ishte detyra e tij.
Ky zgjodhi të ishte trompisti kundër Trumpit. Shikoni sa i rëndomtë.
Une jam i bindur se ai u morr me qira per të mashtruar se gjoja, ai qe sot është President i Shteteve te Bashkuara është nje lider i refuzuar ne Evropë, në Ballkan dhe në nje vend me popullsi myslimane dhe njëkohësisht shumë proamerikane, ndoshta vendi më proamerikan në Evropë pa dyshim.
Pikërisht këtë tha Edi Rama. Presidenti Trump është fatkeqesi sepse është kundër emigrantëve, kundër Kosovës dhe kundër myslimanëve.
Kjo u provua si pavërtete duke i hequr themelin mashtrimit të tij prej amatori.
Presidenti i Sheteteve te Bashkuara ka folur për trupa tokësore në Kosovë dhe jo vetëm për bombardime nga ajri, çka në atë kohë ishte nje opsion real mbi të cilin palët ndaheshin. Pra në çdo rast ai ka qenë për ndërhyrje ushtarake në Serbi, çka ishte në favor të Kosovës, siç u provua.
Megjithatë, nëse shumë prej nesh mund të kemi gjykimet tona për kandidatët në garë, çeshtja nuk është kjo.
Çështja është më e thellë se kaq.
Pse merret me qira Kryeministri i Shqipërisë?
Pse përdoret kaq lehtë nga interesat dhe ambicjet jashtë Shqipërisë dhe siç e kemi parë edhe në Shqipëri?
Si ka mundësi që pa asnjë sens maturije dhe respekti ai e rreshton vendin kaq kollaj në çështje që nuk kanë asnjë lidhje direkte me të?
SI ka mundesi që KM i Shqipërisë të jetë kaq i lehtë dhe i papërgjegjshëm sa të mos kuptojë se Shqipëria është me Amerikën sepse ajo është demokratike dhe, për sa kohë që është një demoraci që na mbron, shteti shqiptar nuk mund të jetë palë në asnjë garë të brendshme.
Si mund ta përdorë Kryeministri i Shqipërisë, Shqipërinë kaq keq?
Për një foto, për një dorë dhe për një lemoshë?
Kjo është çështja.
Unë besoj se ne të gjithë e dimë pse e kemi Kyeministrin kaq mendjelehtë dhe kaq lehtësisht të sponsorizueshem dhe të perdorshëm.
Ky njeri nuk ka asnjë parim. Ky ka vetëm interes.
Parimi i tij i vetëm është pushteti dhe pushteti është i vetmi interes.
Thënë këto, mendoj se ky parlament duhet t’ia zbardhë faqen vendit duke denoncuar zyrtarisht qëndrimin e Kryeministrit, papërgjeshmëria e të cilit cenoi marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara duke na rreshtuar gabim në një garë në të cilën ne duhet të ishim me demokracinë dhe jo me kandidatët.
Unë besoj se Edi Rames duhet të kerkojë ndjesë.
Jo vetëm Presidentit të Shteteve të Bashkuara të cilin e quajti fatkeqësi për Amerikën.
Në radhë të parë duhet t’i kerkoje ndjesë shqiptarëve, të cilëve për herë të parë në historinë postdiktatoriale u mbolli në kokë frikën nga Amerika duke demtuar sentimentin e fortë dhe të arsyeshëm proamerikan që shqiptarët e mbajnë gjallë prej disa dekadash.
T’i kërkosh përgjegjësi një Kryeministri të papërgjegjeshëm, nuk do të thotë se je me Trump, nuk do të thotë se je me Clinton, do të thotë se je me Shqipërinë.