Nga BoldNews.al
Shirat e parë të Janarit 2021 zbuluan një skandal të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe kompanisë së ndërtimit “Salillari”, të cilat kanë një kontratë për mirëmbajtjen e rrugëve në aksin jugor Llogara-Sarandë.
Mesditën e së premtes, rruga kryesore që kalon në qendër të fshatit Borsh u rrëzua dhe u nda në mes, duke u shndërruar në një rrezik të përdoruesve të saj, si edhe bllokoi qarkullimin në një prej akseve më të rëndësishëm të vendit.
Pamjet e rrugës së çarë tregojnë, më së paku, për cilësi jashtëzakonisht të dobët të punimeve. Kjo situatë ngarkon me përgjegjësi kompaninë “Salillari”, si edhe vetë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili ka kolauduar punimet skandaloze të firmës private.
Ndërkohë, banorët e zonës, jo pa ironi, kanë krahasuar punimet në rrugë me procesin e thjeshtë të shpërndarjes së gjalpit në bukë.
Pas publikimit të pamjeve të rrugës, Autoriteti Rrugor Shqiptar u bëri thirrje drejtuesve të automjeteve, sidomos atyre të tonazhit të rëndë, që të shmangnin qarkullimin në aksin Borsh-Himarë, e cila është pjesë e rrugës lidhëse ndërmjet Vlorës dhe Sarandës.
Por, deri më tani, ARRSH nuk ka dhënë asnjë sinjal që merr përsipër përgjegjësinë për situatën ose që, më së paku, do të kërkojë përgjegjësinë tek kompania e kontraktuar për mirëmbajtjen e rrugës.
Kontrata e mirëmbajtjes
Në Mars 2017, një bashkim operatorësh, i përbërë nga kompania shqiptare “Salillari” dhe italiania “Elicatechnical” fituan tenderin e zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për mirëmbajtjen e rrugëve të rajonit Jugor D, Vlorë-Gjirokastër”.
Kontrata u nënshkrua për një afat 5-vjeçar dhe “Salillari” do të përfitojë në total mbi 13 milionë euro nga taksat publike.
Në këtë kontratë përfshihej, ndër të tjera, edhe mirëmbajtja e rrugës që kalon nga fshati Borsh, e cila u copëtua këtë fundjavë nga shirat.
Projekti 3D
Përgjatë vitit 2020, sidomos në periudhën Shkurt-Maj 2020, Autoriteti Rrugor Shqiptar i ka bërë një reklamë të fuqishme punimeve në aksin Llogara-Sarandë, e sidomos në pjesën që lidh zonën e Borshit me Bunecin.
Në çdo rast, fushata propagandistike e Autoritetit Rrugor Shqiptar, të drejtuar nga Ergys Verdho, mundohej me çdo kusht që të përfshinte elementët identifikues të kompanisë që po kryente punimet, “Salillari” shpk.
Në një njoftim të Shkurtit 2020, ARRSH njoftonte publikun se ishte duke “vazhduar puna për rehabilitimin e aksit Llogara-Sarandë. Aktualisht në zonën Palasë-Borsh po bëhet riparimi i shtresave të dëmtuara asfaltike”.
Ky njoftim është shoqëruar me foto nga punimet, ku, si për ironi, pamjet tregojnë mjetet e “Salillarit” duke ndërhyrë pikërisht në zonën ku këtë fundjavë rruga u nda në mes nga reshjet e shiut.
Po ashtu, në Maj 2020, Autoriteti Rrugor Shqiptar i rikthehet sërish reklamimit të punës në aksin Borsh-Bunec.
Në atë njoftim, shoqëruar sërish me fotot e mjeteve të “Salillarit”, Ergys Verdho tregonte për ecurinë e punimeve dhe garantonte cilësinë e lartë për rritjen e sigurisë rrugore.
Shiu i Janarit të vitit 2021 tregoi se rruga e bregut, jo vetëm që nuk ka cilësi punimesh, por përkundrazi zbuloi skandalin e tenderit 13 milionë euro.