Nga Boldnews.al
Erdhi si kokë e madhe, por iku si një burokrat i vogël, që kurrë nuk doli nga zhgualli i Bacës Baton dhe idhullit Rama. Ky ishte shkëlqimi dhe rënie e shokut Gent, i cili nga dje nuk do të jetë më zëvendësministër i Jashtëm me atribute ministri. Shkarkimin e tij e lajmëroi kryeministri Edi Rama i cili tha se i kishte pranuar dorëheqjen zëvendëministrit Cakaj, ndërsa në vendin e tij në krye të diplomacisë shqiptare vendosi Olta Xhaçkën, ministren e mbrojtjes, e cila zëvendësohet në atë post nga Niko Peleshi.
Në dukje janë disa lëvizje taktike të Ramës që katër muaj para zgjedhjeve kërkon të ndryshojë dekorin e qeverisë, duke lëvizur “orenditë”, që në fakt janë ministrat e tij të pazëshëm që nuk e dinë kur emërohen e kur shkarkohen.
Të marrësh në analizë punën e rioshit 29-vjeçar Gent Cakaj, nuk të merr shumë kohë. Ai ishte në detyrë, por nuk e kuptoi kurrë se në fakt nuk ishte gjëkundi. Shkonte çdo ditë në zyrë, me orar të plotë, por shërbeu vetëm si një burokrat i rëndomtë që hapte e mbyllte derën e rëndë të diplomacisë dhe ikte në shtëpi, për të pritur fundjavat pushim.
Dy vjet më parë, Cakaj ishte një dhuratë që mbërriti në “pakon” nga Prishtina, si një propozim i Baton Haxhiut. E shiti shumë shtrenjt figurën e tij, duke deklaruar se ishte një erudit, djalë i lexuar dhe me vizion të madh, për t’i dhënë dipolomacisë tonë energji dhe vendosmëri.
Zëvendësministri as shkëlqeu dhe as nxiu në atë detyrë, ai për dy vjet ishte në “autobus” për të ardhur në stacionin e fundit, ku duket se Rama e zbriti me urdhër… Vendin e Cakajt e zuri Olta Xhaçka, ministrja që aksin Tiranë-Dibër e bën me helikopterin e ushtrisë, për të mbajtur në atë zonë në takime elektorale.
Megjithatë Xhaçka nuk do të shkeputet nga “hoby” i saj i të qenit shpesh në ajër. Detyra si Ministre e jashtme ia do që edhe të lëvizë shpesh jashtë vendit, me avionë të gatshëm për tu ngritur për udhëtimet e saj. Ndaj në këtë rast Xhaçka më shumë fitoi sesa humbi, duke kaluar nga ministre që mezi priste ndonjë stervitje ushtarake, në një “kryediplomate” që të kapë sallonët e politikës së botës Perëndimore.
Cakaj zbriti përfundimisht nga autobusi, Xhaçka nga helikopteri, por tashmë mbi shpatullat e saj do të varet diplomacia. Një diplomaci që në katër vitet e fundit dështimin e ka pasur moto të saj. Janë me qindra mijëra shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, por kurrë nuk gjetën një ministri, ambasadë apo konsullatë që të vihej në shërbim të tyre.
Në “makropolitikë”, shkuam drejt humnerës, ku kryeministri Edi Rama me konceptin diplomaci iu largua gjithnjë e më shumë perëndimit dhe rendi të dilte si kaposhi majë “plehut ballkanik”…
Nisma e “Minichengenit Ballkanik”, afrimi tej çdo imagjinate me politikën serbe dhe veçanërisht me Aleksandër Vuçiç, ishin disa nga rekordet e errëta që u shënjuan në vitet e fundit. Marrina qeveritare shkoi deri aty sa sot Shqipëria dhe Kosova janë thuajse në “luftë të ftohtë” dhe kjo për shkak të individit Rama. Duke përdorur staturën kryeministrore, tentoi të shtrinte në Ballkanin Perëndimor idenë e korrigjimit të kufijve. Një nismë që iu vendos kufiri i prerë në Samitin e Berlinit me ndikimin e drejtëpërdrejtë të kancelares gjermane Angela Merkel.
Më pas Rama u armiqësua me homolgon kosovar Ramush Haradinaj, të cilin e hodhi në gjyq për shpifje dhe më vonë u tërhoq, jo për shkak reflektimi, por nëse do hapej proces gjyqësor, atëherë do dilnin në mes të ditës dhe në sy të publikut ata nisma që thureshin natën në korridoret e errëta të Beogradit. Ndaj, si zbriti Cakaj, apo hipi Xhaçka, vlerë nuk ka.