Nga Erion Dasho
Sot të gjithë biem dakord se epidemia e COVID nxori në pah problemet e shumta të sistemit tonë shëndetësor lidhur me vizionin, organizimin, cilësinë, financimin dhe disponueshmërinë e burimeve.
Së pari, vizioni dhe aftësia për planifikim strategjik. Ky ishtë dështimi më i madh i ministrisë dhe komitetit. Paaftësia që ata kanë treguar në menaxhimin e epidemisë është skandaloze!
Asnjë përpjekje për të zbatuar trinomin e OBSH-së Testo-Gjurmo-Trajto! Përkundrazi testime në nivel afrikan dhe gjurmim si në shekullin e 19-të! Testet e shpejta që Europa i aplikon që në shtator, ne i aplikojmë në dhjetor! Vaksinën Europa e nis në dhjetor, madje edhe fqinji ynë Serbia e ka nisur tashmë, kurse komiteti ynë nuk ka asnjë datë se kur mund të nisë në Shqipëri!
Së dyti, organizimi. U desh të vinte nëntori dhe dhjetori dhe situata epidemiologjike të kalonte në prag katastrofe që ministria të vendoste të angazhonte mjekun e familjes dhe spitalet rajonale. Kjo masë duhej të ishte marrë që në prill apo maj, por kjo kërkon sigurisht organizim të trajnimit, të sistemeve logjistike, të protokolleve dhe udhëzuesve, etj.
Ministria dhe komiteti u treguan totalisht të paaftë të bënin këtë organizim dhe vetëm në nëntor mjekët e familjes nisën të marrin rolin që u takon në përgjigjen ndaj epidemisë.
Sidoqoftë, edhe sot mjekët e familjes blejnë vetë maskat dhe mjetet mbrojtëse. Kështu në tetor dhe nëntor ministria u justifikua me vonesën në realizimin e një tenderi dhe i dërgonte çdo mjeku vetëm 1 maskë në muaj, kur duhet t’i jepte të paktën dy maska në ditë!
Asnjëherë nuk u furnizuan mjekët me puls oksimetër dhe pacientët apo edhe vetë mjekët u detyruan t’i blinin vetë ata. Me ardhjen e testeve të shpejta në 6 dhjetor, u deshën 2 javë për të nisur testimin nga mjekët e familjes në 20 dhjetor. Kjo nuk ndodh në asnjë shtet europian!
Së treti, cilësia! Vdekshmëria spitalore, ajo reanimatore dhe, sidomos, vdekshmëria e pacientëve të intubuar është ndër më të lartat në botë. Në se në fillimet e pandemisë Europa shëronte rreth 50% të pacientëve të intubuar dhe sot shëron mbi 70%, në Shqipëri pothuajse çdo pacient i intubuar ka humbur jetën.
Për shkak të mungesës së transparencës, asnjë nga treguesit e vdekshmërisë (vdekshmëri spitalore, vdekshmëri reanimatore dhe vdekshmëri e pacientëve të intubuar) nuk raportohet nga ministria e shëndetësisë, por duke bërë supozimet përkatëse dhe përllogaritjet statistikore, vdekshmëria reanimatore në muajin shtator u vlerësua midis 60 dhe 80%. Një shifër jashtëzakonisht e lartë që tregon se cilësia e shërbimit në spitalet tona është katastrofike.
Në këtë rast nuk duhet menduar se akuza shkon drejt mjekëve. Mjekët shqiptarë dijnë dhe bëjnë po aq sa kolegët e tyre europianë pasi njohuritë sot janë globalizuar dhe janë vetëm një klikim interneti larg. Problemi është se ata nuk kanë as infrastrukturën, as pajisjet, as medikamentet dhe as protokollet e nevojshme. Në këto kushte ata ofrojnë kujdes shëndetësor të pa standardizuar dhe, rrjedhimisht, me cilësi të ulët.
Së katërti, financimi! Në kohën kur gjithë Europa rriste buxhetin e shëndetësisë, Shqipëria paradoksalisht e ulte atë duke u bërë ndoshta i vetmi vend europian që ulte shpenzimet shëndetësore në kohë pandemie. Ndërkohë që vlerësohet se qytetarët kanë shpenzuar mbi 100 milion EURO për testim në sektorin privat, për trajtim në kushtet e shtëpisë, për të blerë medikamente dhe pajisje që sistemi publik nuk i siguronte, për trajtim në Turqi, për rryshfete dhe pagesa nën dorë, etj.
Pagesa 100 milionëshe nga qytetarët është një ndër skandalet më të mëdhenj të epidemisë në Shqipëri.
Së fundi, burimet! Fillimisht për shkak se shumë spitale rajonale kanë mbetur pa mjekë, ministria refuzonte t’i përfshinte ata në përgjigjen ndaj COVID. Gjithçka u përqendrua në spitalet COVID me një numër shumë të ulët shtretërish në dispozicion. Pasoja ishte lënia e pacientëve në shtëpi ku shëndeti i tyre dëmtohej dhe shpesh humbej edhe jeta (pa u raportuar në statistikat zyrtare, sigurisht).
Sot është evidente mungesa e shtretërve reanimatorë. Gjatë muajit nëntor, numri i vdekjeve ka kaluar shpesh numrin e pacientëve të shtruar në reanimacion, çka flet se disa pacientë kanë humbur jetën pa u shtruar fare në reanimacion, një tjetër skandal ky!
Sot Shqipëria ka 344 persona të shtruar me COVID (zyrtarisht, pasi numri real është shumë më i lartë). Nga këta vetëm 19 marrin kujdes në repartet e reanimacionit, ndërkohë që ky numër duhet të ishte midis 70 dhe 80. Kuptohet se ne arrijmë të plotësojme vetëm 25% të nevojave me shtretër reanimatorë.
Në spitalet terciare dhe ato rajonale mungojnë pajisjet mjeksore. Që në muajin prill kam propozuar që çdo spital rajonal duhet të furnizohej me pajisje BiPAP dhe CPAP. Një aparat CPAP kushton rreth 2,000 USD dhe me 5 deri në 10 pajisje të tilla një spital rajonal mund të ofrojnë kujdes shëndetësor shumë cilësor për pacientët e prekur që nuk kanë nevojë për kujdes intensiv. Edhe sot e kësaj dite ka spitale rajonale që nuk kanë pajisje të tilla!
Që në fillim të epidemisë u propozua që spitalet COVID-1 dhe 2 duhet të ishin pajisur me pajisjen ECMO (ose “mushkërinë artificiale”), shpresa e fundit për pacientët e intubuar. Në Europë, ECMO shpëton rreth 50% të pacientëve që janë duke shkuar drejt vdekjes së sigurt. Në Shqipëri nuk u bë asnjë përpjekje për të siguruar të paktën një pajisje të tillë.
Paralelisht merreshin masa qesharake dhe pa efekt, siç ishte aventura me plazmën kovaleshente, e cila që në fillim u paralajmërua se nuk kishte efekt të provuar dhe sot është hedhur poshtë me studime të universiteteve nga më prestigjiozet.
Epidemia tregoi atë që ne nuk kemi: SISTEMIN SHËNDETËSOR! Kemi spitale dhe qendra shëndetësore të lyera dhe oborre spitalesh të mbjellë me bar e pemë. Kemi dhoma pritje me stola më të bukur dhe me televizorë, por nuk kemi as mjekë, as infermierë, as protokolle, as pajisje, as medikamente dhe as para për të financuar një kujdes cilësor, të sigurt dhe të aksesueshëm nga qytetarët shqiptarë!
Epidemia nga COVID do të ikë një ditë, por problemet e shkaktuara nga ajo do të mbeten, në mos do të përkeqësohen!
Nuk është për të bërë Nostradamusin, por sfida të ngjashme me pandeminë e COVID pritet të përsëriten në shkallë globale. Një virus që përhapet më shpejt apo vret më shumë do të ishte një katastrofë e vërtetë për shëndetin dhe jetë e qytetarëve.
Koha e paaftësisë, amatorizmit, mashtrimit dhe demagogjisë duhet të marrë fund!