Revolucioni i energjisë së rinovueshme deklaroi mbërritjen e saj në Kamena Gora, një zonë e thellë malore në Serbinë jug-perëndimore, me një shpërthim dhe një rrëshqitje toke.
Në korrik 2015, punëtorët që po ndërtonin një hidrocentral të vogël, hapën rrugë përmes malit dhe hodhën në erë një shkëmb të madh brenda një zone rezervat natyror.
Ata sakaq kishin prerë pemë të mbrojtura, duke shkaktuar një rrëshqitje toke, ndërsa vijuanme shtrimin e një tubi në tokë, duke kanalizuar ujin e një rrëkeje malore për te impianti i tyre i ri, një turbinë e vendosur brenda një ndërtese të vogël.
Njerëzit që jetonin në shpatet e Kamena Gorës u rrëqethën. Prej shumë gjeneratash ata ishin mbështetur te kjo rrëke për të vaditur fushat e tyre. Hidrocentrali i vogël zhvendosi rrjedhën, duke kërcënuar jetesën e tyre. Ajo ishte gjithashtu një tallje me një vendim të qeverisë, të shpallur vetëm një vit më parë, që e klasifikonte malin si peizash i mbrojtur.
Në Graçanicë, një fshat me rreth 200 banorë, këshilltari Nehro Rovcanin filloi të marrë ankesa ndaj projektit të ri. “Asnjë nuk duhet të lejohet të ndërtojë në një pjesë kaq të bukur të vendit,” i tha ai Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative, BIRN. “Ai dhunon mjedisin dhe bie ndesh me interesat e njerëzve.”
Rovcanin telefonoi policinë dhe ia doli të ndalë ndërtimin – por jo për shumë gjatë. Brenda pak ditësh, puna rifilloi. Pronarët e hidrocentralit nuk dispononin një dokument të rëndësishëm, një raport të ndikimit në mjedis, por kjo nuk i pengoi për shumë gjatë planet e tyre.
Hidrocentrali u inaugurua më 2016, në të njëjtin vit në të cilin pronari i tij, manjati i ndërtimit Branislav [Gugi] Savic, u burgos në Malin e Zi për rolin e tij në një skandal në prona të paluajtshme me vlerë miliona euro. I ashtuquajturi “Skandali i Budvës” është më mirë i njohur si skandali që i dha fund karrierës politike të Svetozar Marovic, presidenti i fundit i Jugosllavisë së cunguar që deri në atë kohë kishte qenë njeriu i dytë më i fuqishëm i Malit të Zi.
Një hidrocentral i vogël mund të ngjajë si një investim modest për një biznesmen të pasur me lidhje të forta që ka një përqasje shumë të lirshme ndaj ligjit. Megjithatë Savici nuk është i vetmi i fuqishëm që mbështet kauzën e energjisë së rinovueshme në Serbi. Në lindje të vendit pranë kufirit me Bullgarinë, toka dhe leja e ndërtimit për një hidrocentral të vogël u ble nga një kompani e lidhur me Ljubisa Buha “Cume”, një gangster me nam në Beograd, i cili është më shumë i njohur për shkak se dëshmoi kundër shokëve të botës së rrugës të implikuar në vrasjen e ish-kryeministrit të Serbisë Zoran Djindjic. Sipas medias investigative me bazë në Beograd, CINS, lejet kyçe për hidrocentralin u shitën te një kompani e lidhur me Milos Pandrc, një trafikant kokaine i dënuar dhe ish-partner me baronin famëkeq të drogës Darko Saric, i cili aktualisht është në burg në Serbi nën akuzat e trafikut dhe pastrimit të parave.
Në lindje të vendit pranë kufirit me Bullgarinë, leja e ndërtimit për një hidrocentral të vogël u ble nga një kompani, pronësia e të cilës lidhej me një gangster Beogradi ne nam, i cili kishte dëshmuar kundër shokëve të tij të botës së krimit që ishin të implikuar në vrasjen e ish-kryeministrit të Serbisë Zoran Gjingjiq. Lejet kryesore për hidrocentralin iu shitën një të dënuari për trafik kokaine dhe ish-ortak i baronit famëkeq të drogës Darko Saric, i cili është dënuar për trafik droge dhe pastrim parash.
Hidrocentralet e vegjël në Serbi janë pjesë e një manie ndërtimore në të gjithë Ballkanin. Përgjatë 20 viteve të fundit, qindra hidrocentrale të tillë janë ndërtuar nëpër rrëke malore dhe degë të basenit të Danubit, nga Rumania në lindje në Shqipëri në perëndim dhe nga Maqedonia e Veriut në jug deri në Sloveni në veri.
Vendet e rajonit janë disa anëtarë të rinj dhe disa kandidatë për anëtarë ndërsa përqafimi i hidrocentraleve të vegjël prej tyre është mbështetur pjesërisht nga blloku që kërkoi të nxisë alternativën “e gjelbër” ndaj termocentraleve të qymyrit që furnizojnë shumicën e energjisë elektrike në rajon. Nëpër të gjithë Europën juglindore, bankat europiane ofruan kredi për projektet e rinovueshme ndërsa qeveritë kombëtare dhanë subvencionime bujare për të nxitur firmat private të investojnë në këtë sektor.
Gjithsesi, në shumë nga këto vende, ligjet që mbrojnë mjedisin ishin të dobëta ose ishin të keqzbatuara. Kombinimi i subvencionimeve shtetërore dhe rregullat e dobëta sollën një bum hidrocentralesh të vegjël në të cilat detyrimi për të mbrojtur natyrën u injorua për hatër të fitimeve. Shumica e ndërtimeve ndodhi në shpate mali në zona të largëta, ku rrëketë me rrjedhje të shpejtë konsideroheshin si ideale për gjenerimin e energjisë, Tubat, betoni dhe turbinat u vendosën përgjatë rrëkeve të paprekura, duke ndërhyrë në parqe kombëtare, në rezervate natyrore dhe në habitate të egra speciesh vendëse në rrezik zhdukjeje, të tilla si rrëqebulli i Ballkanit dhe salmoni i Danubit.
Ky investigim nga BIRN zbulon se si nxitja e energjisë së rinovueshme me mbështetjen e BE-së në Ballkan solli dëmtimin e mjedisit në emër të shpëtimit të planetit. Përmes këndvështrimit të vetëm të kësaj historie, hidrocentralet e vegjël në Serbi, investigimi zbulon se si kufizimet mjedisore që ishin një parakusht për ndërtimin në fakt shpesh u injoruan, ose u anashkaluan.
“Kishte një kuadër ligjor relativisht të qartë në lidhje me mbrojtjen e mjedisit, por kjo u anashkalua për aq sa ishte e mundshme,” thotë Goran Sekulic, një ish-zëvendësdrejtor në Institutin për Mbrojtjen e Natyrës në Serbi, një nga shumë entet shtetërore që lëshuan leje për hidrocentralet e reja. “Procedurat shpesh u shmangën ose u shkurtuan.”
Dokumentet e para nga BIRN tregojnë se së paku 24 nga 116 hidrocentralet e vegjël që u lidhën me rrjetin kombëtar të Serbisë më 2019 – afërsisht një e pesta e totalit – ishte ndërtuar pa lejet kyçe mjedisore. Gjithsesi, këto shkelje të dukshme kanë tërhequr shumë pak vëmendjen e autoriteteve të Serbisë. Pati hetime në vetëm tre nga këto 24 hidrocentrale, nën dyshimin se ata kishin marrë në mënyrë të paligjshme leje ndërtimi. Të gjitha hetimet u mbyllën nga akuza.
Sekulic, i cili iku nga puna në institut në vitin 2015 dhe tani punon në Fondin Botëror të Natyrës në Serbi, tha se ndërsa një numër i vogël hidrocentralesh është ndërtuar pa leje ligjore, shumë të tjera dëmtuan mjedisin pa kryer shkelje ligjore. “Ne patëm disa projekte shumë të dëmshme, në zona të mbrojtura dhe në zona të tjera sensitive, të cilat me lehtësi morën lejet e ndërtimit,” tha ai.
Biznesmenë si Branislav Saviçi janë një minorancë mes investitorëve të sektorit të energjisë së rinovueshme të Serbisë, shumica e të cilëve nuk kanë të shkuar kriminale. Gjithsesi, prania e figurave të tilla në sektorin e hidrocentraleve të vegjël është më shumë se çdo gjë, një tregues i incentivave të fuqishme që kanë ushqyer rritjen e shpejtë të sektorit, duke tërhequr një numër të lartë interesash tregtare.
Investitorëve në hidrocentrale të vegjël iu ofrua një lloj subvencionimi i njohur si tarifa e ushqimit të rrjetit feed-in tariff, zakonisht i përdorur nga qeveritë për të nxitur kompanitë e vogla private të ndërtojnë impiante të energjisë së rinovueshme. Nën kushtet e një tarife të tillë tipike, shteti garanton se do të blejë energjinë elektrike të prodhuar nga burimet e reja me një çmim bujar dhe të fiksuar për një periudhë të caktuar – në rastin e Serbisë, për dymbëdhjetë vjet.
“Kishte interesa të stërmëdha ekonomike [pas lulëzimit të hidrocentraleve të vegjël],” i tha Sekulic BIRN. “Vendimmarrja [nga institucionet shtetërore] në përgjithësi u shty drejt shërbimit të interesave financiare të investitorëve… Mjedisi thjesht nuk kishte shans përballë kësaj.”
Përgjatë dekadës së fundit, shkalla e dëmtimeve nga hidrocentralet e vegjël është bërë e dukshme në Serbi dhe më tutje. Në të gjithë rajonin janë shfaqur ankesa të ngjashme, për lumenj të tharë dhe kopshte të prishura, të shpateve të maleve të shkatërruara nga punimet ndërtimore.
Zemërimi ndaj dëmtimeve ka shkaktuar lëvizje mjedisore vendëse, duke sjellë fermerë dhe kryepleq fshatrash në protesta në rrugët e kryeqyteteve. Institucionet e BE-së nga ana e tyre nxitën qeveritë e rajonit të tërheqin subvencionimet e tyre ndërsa bankat europiane shtrënguan rregullat për financimin e projekteve të reja.
Këto masa gjithsesi patën efekt të kufizuar ku disa vende të rajonit ndërmorën disa hapa fillestarë drejt mosdhënies së lejeve të reja për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël. Progresi ishte i ngadaltë dhe i pasigurt – si në vendet që janë anëtare të BE-së ashtu edhe në ato që aspirojnë të bashkohen në të.
Kuadri rregullues
BE-ja është tashmë konsumatori i tretë më i madh i energjisë, pas Kinës dhe SHBA-së. Më shumë se gjysma e energjisë së konsumuar këtu është e importuar, kryesisht në formën e naftës dhe gazit nga Rusia. Kërkimi i bllokut për energji të rinovueshme nuk është vetëm i vlefshëm për të pakësuar ndryshimet klimaterike, argumenton Jakub M Godzimirski, një profesor dhe ekspert në politikat Europiane të energjisë në Institutin Norvegjez për Çështje ndërkombëtare, por cytet edhe nga shqetësimet tregtare dhe gjeopolitike.
“Përqendrimi te energjia e rinovueshme synon para së gjithash reduktimin e varësisë së BE-së nga burimet e jashtme për shkak se shumica e energjisë së rinovueshme prodhohet brenda vendit,” i tha ai BIRN. “Dhe përveç kësaj kjo synon ta bëjë BE-në më konkurruese në rang global. Nëse tregu [i energjisë së rinovueshme] është konkurrues brenda BE-së, atëherë BE do të jetë më e aftë të konkurrojë me aktorët që operojnë në kontekstin global.”
Si tregu i tretë më i madh i botës për energjinë, BE-ja mund të ushtrojë ndikim të konsiderueshëm mbi politikat energjetike të vendeve të veta anëtare dhe vendeve kandidate për anëtarësim të Ballkanit. Me peshën ekonomike vjen edhe aftësia për të promovuar rregulla për mbrojtjen e mjedisit dhe reforma të tregut, shpesh me synimin e reduktimit të dominimit të monopoleve nën pronësi shtetërore.
BE-ja e ushtron këtë ndikim në lindje përmes Komunitetit të Energjisë, një organ ndërkombëtar me seli në Vienë. Më 2006, Serbia u bashkua me gjashtë vende të tjera të Ballkanit në ratifikimin e një traktati me Komunitetin e Energjisë. Traktati i detyroi vendet nënshkruese “të respektojnë legjislacionin europian për mjedisin, investimet, sjelljet në treg dhe energjinë e rinovueshme” si në kusht për aksesimin e “financimeve për projekte energjetike nga BE-ja dhe institucionet financiare ndërkombëtare”.
Vendet nënshkruese ranë dakord të miratojnë rekomandimet e Komunitetit të Energjisë për rritjen e pjesës së energjisë elektrike që gjenerohet nga burimet e rinovueshme. Dhe në Serbi si gjithkund tjetër, hidrocentralet e vegjël u prioritizuan në krahasim me erën apo energjinë diellore.
Projekti tipik i një hidrocentrali të vogël përbëhet nga një tub i madh i vendosur në shtratin e një lumi, duke kanalizuar ujin te një turbinë poshtë rrjedhës. Mbështetësit e teknologjisë së hidrocentraleve të vegjël argumentojnë se ky është një burim më i qëndrueshëm energjie se sa era apo dielli, të cilat varen nga moti.
Godzimirski thotë se skemat për hidrocentrale, si të vogla ashtu edhe të mëdha, nuk janë domosdoshmërisht të këqija dhe nëse rregullohen siç duhet, mund të sjellin përfitime të mëdha. “Bëhet fjalë për mënyrën se si organizohet tregu, për incentivat që ti jep për investitorët,” i tha ai BIRN. “Dhe te aftësia e kuadrit rregullator për të kontrolluar gjërat [në mënyrë që të sigurohemi] që hidrocentralet të bëhen në përputhje me rregullat.”
Dëme në shpyllëzime
Më 2014 dhe 2015, hidrocentrali në Kamena Gora – i njohur zyrtarisht si Hidrocentrali i Vogël Seoce – u inspektua nga Ministria për Mbrojtjen e Mjedisit, një nga shumë agjencitë e qeverisë së Serbisë që ka për detyrë që të sigurohet se projekte të tilla respektojnë standardet mjedisore. Inspektorët zbuluan se disa nga lejet mjedisore të hidrocentralit ishin jo shumë të forta – ishin lëshuar në maj 2012, kohë para se Kamena Gora të shpallej rezervat natyror.
Pronarëve të hidrocentralit iu tha se duhej të aplikonin për leje të reja nga një agjenci tjetër shtetërore, Instituti për Mbrojtjen e Natyrës. Në vend të kësaj, ata vijuan me ndërtimin në mal. Ata nuk kërkuan leje për ndërtimin e një rruge të thjeshtë me çakëll dhe as për prerjen e pemëve brenda zonës së mbrojtur, as për shkatërrimin e një shkëmbi të madh për t’i hapur rrugën tubit të tyre.
Në korrik 2015, ministria dorëzoi një padi kundër pronarëve të hidrocentralit, duke i akuzuar ata se po ndërtonin pa lejet e nevojshme. Pronarët nuk u shfaqën kurrë në gjykatë dhe çështja eventualisht u mbyll pas mbarimit të afateve të parashkrimit në dhjetor 2017.
Ndërkohë, pronarët e hidrocentralit aplikuan te Instituti për Mbrojtjen e Mjedisit për lejet e nevojshme mjedisore dhe i morën ato me lehtësi, duke siguruar që pjesa e mbetur e punëve ndërtimore të bëheshin brenda ligjit. Sipas dokumenteve të para nga BIRN nga Ministria për Mbrojtjen e Mjedisit, pronarët kompensuan shtetin e Serbisë për dëmtimin e pyjeve, por shuma e kompensimit nuk u specifikua.
“Kur pemët priten, toka dëmtohet gjithashtu,” tha për BIRN Ratko Ristic, dekan i fakultetit të pyjeve në Universitetin e Beogradit. Edhe në rastet kur pemët e reja mbillen për zëvendësim, tha ai, sistemi pyjor mund të ketë nevojë për 60 deri në 100 vjet që të rimëkëmbet.
BIRN kontaktoi 15 Gushtin, kompaninë që ka nën pronësi hidrocentralin Soece, për komente në tri raste të ndryshme përgjatë tre muajve të fundit. Në secilin rast, punëmarrësit e kompanisë, duke folur në telefon, thanë se pronari, Branislav Savic, ishte i vetmi person i autorizuar për të komentuar, dhe se ai nuk ishte i disponueshëm.
Hidrocentrali i Soeces ishte një nga 116 hidrocentralet e vegjël që po ushqenin elektricitet në rrjetin kombëtar të Serbisë më 2019, shumica dërrmuese e të cilëve u ndërtuan gjatë dekadës së fundit. Sipas të dhënave të përpiluara nga BIRN nga autoritetet vendore dhe Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, së paku 24 prej tyre janë ndërtuar pa respektuar kushtet kyçe për mbrojtjen e mjedisit, siç janë përcaktuar nga ligji në Serbi.
Pronarët e këtyre hidrocentraleve filluan ndërtimin pa kryer vlerësime të ndikimit në mjedis, të cilat zakonisht duhet të sigurohen që në fazën e planifikimit. Në rastin e Soeces, vlerësimi u plotësua më vonë, vetëm pasi ndërtimi kishte filluar. Kufizimet mjedisore u trajtuan si një problem kalimtar më shumë se sa si parakushte, siç kërkohet nga ligji.
Përgjegjësia për sigurimin që hidrocentralet e reja të plotësojnë standardet mjedisore është e përbashkët mes autoriteteve vendore dhe disa agjencive shtetërore të Serbisë. Në shtator 2019, presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic iu përgjigj presionit të aktivistëve mjedisorë me premtimin se do të krijojë një institucion të mëvetëm për inspektimin e standardeve te të gjitha hidrocentralet e ndërtuara gjatë dekadës së fundit. Gjithsesi, një vit më vonë, nuk ka pasur zhvillime të mëtejshme në këtë drejtim. Në tetor 2020, BIRN kontaktoi zyrën e Vucic për komente, por nuk mori përgjigje.
Janez Kopac, drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, theksoi se përgjegjësia në instancë finale për mbrojtjen e mjedisit është e Serbisë. “Ne mund të japim paralajmërime, ne mund të nisim procedim për shkeljen,” i tha ai BIRN, “por në fund [përgjegjësia për të vepruar] i përket Serbisë.”
Bumi i hidrocentraleve të vegjël në Ballkan është ndihmuar nga kredi të ofruara nga institucionet financiare Europiane në përpjekje për të promovuar energjinë e rinovueshme në rajon. Financues të rëndësishëm në këtë sektor janë Banka Europiane e Investimeve, EIB, dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH. Këto banka shumëpalëshe për zhvillim kanë shtrënguar rregullat e tyre për kredidhënien për hidrocentralet e vegjël, duke kërkuar kontrolle më të rrepta mjedisore.
Edhe bankat tregtare nga e gjithë Europa kanë ndihmuar gjithashtu për financimin e projekteve të vogla të hidroenergjisë në rajon. Mes tyre është grupi Erste, banka austriake, fondacioni i së cilës mbështet Bursën Ballkanike për Gazetari Investigative – programi që pagoi për raportimin e këtij artikulli.
Në një deklaratë me email për BIRN, dega e Erste në Serbi tha se banka ishte e angazhuar për të luftuar ndryshimet klimaterike përmes financimit të eficiencës energjetike dhe projektet e energjisë së rinovueshme. Deklarata tha se banka nuk ka financuar asnjë hidrocentral të vogël në zonat e mbrojtura dhe se ka miratuar një “matricë rreziku për të marrë parasysh të gjitha faktorët shoqërorë dhe mjedisorë për t’u siguruar që financimi ishte në përputhje me standardet ndërkombëtare në këtë fushë.”
Gjithsesi, shumë mjedisorë thonë se bankat europiane duhet sëbashku të ndalojnë financimin e hidrocentraleve të vegjël. Bankwatch Network, një koalicion rajonal grupimesh mjedisore dhe të të drejtave të njeriut që ka bërë fushatë kundër hidrocentraleve të vegjël, tha se “ishte pothuajse e pamundur” të monitoroheshin hidrocentralet në mënyrë efikase, pjesërisht për shkak se ato gjenden në zona të tilla të thella. “Asnjë vlerësim i projekteve nuk i ndalon operatorët nga plani për të tharë shtretërit e lumenjve,” i tha BIRN në një email Pippa Gallop, Këshilltare për Energjinë në Europën Juglindore në Bankwatch.
“Ethe ari” për licenca
Pas marrëveshjes së vitit 2009 me Komunitetin e Energjisë, Serbia u angazhua që energjia e rinovueshme të zërë 27% të totalit të energjisë së konsumuar në vend në vitin 2020. Vlerësimet më të fundit sugjerojnë se ky objektiv nuk do të realizohet. Në fakt, pjesa e energjisë së rinovueshme brenda konsumit të përgjithshëm të energjisë në Serbi ka mbetur afërsisht njësoj që nga viti 2009.
Në vitin 2009, burimet e rinovueshme ofruan 21% të energjisë së konsumuar në Serbi. Ndërkohë, një raport i Komisionit Europian i vitit 2020 thotë se energjia e burimeve të rinovueshme mbuloi 20.3 për qind të konsumit në Serbi në vitin 2018, viti i fundit për të cilin të dhënat janë të disponueshme.
Për më tepër, shumë prej kësaj energjie nuk ka ardhur nga hidrocentralet e vegjël por nga teknologjia më e vjetër – hidrocentralet e mëdha me diga. Hidrocentralet e vegjël zunë vetëm 0.7% të energjisë totale të prodhuar në Serbi më 2018, sipas operatorit shtetëror të sektorit, EPS, dhe Instituti Kombëtar i Statistikave.
Ndërsa ndërtimi i të gjitha impianteve të rinovueshme ka një kosto mjedisore, kjo kosto kompensohet – në teori – nga përfitimi i gjenerimit të elektricitetit pa djegur energji fosile. Por mjedisorët thonë se kjo llogari nuk ka funksionuar mirë për hidrocentralet e vegjël në Ballkan, për shkak se prodhimi nga hidrocentralet e vegjël është i vogël. “Shumë më tepër mund të realizohet përmes masave të eficiencës energjetike për të reduktuar kërkesën, dhe shumë më tepër energji elektrike mund të prodhohet me impjantet e erës dhe diellit të vendosura siç duhet,” thotë Pippa Gallop nga Bankwatch Network për BIRN.
Pavarësisht se janë me rol të rëndësishëm në strategjinë e Serbisë për energji të rinovueshme, hidrocentralet e vegjël nuk kanë prodhuar kurrë mjaftueshëm energji për të ndihmuar për arritjen e asaj që vendi ka premtuar për Komunitetin e Energjisë. Gjithsesi, këto hidrocentrale kanë gjeneruar fitime të bollshme për ata që kanë investuar në këtë sektor.
Kërkimet nga CINS, një organizatë lajmesh investigative me bazë në Beograd, tregojnë se Serbia pagoi 105 milionë euro për hidrocentralet e vegjël mes viteve 2013 dhe 2019. Kostoja është mbajtur nga konsumatorët e energjisë në Serbi, të cilët paguajnë një tarifë shtesë për “energjinë e rinovueshme” në faturën e tyre. Ndërkohë fitimet i janë kaluar investitorëve përmes tarifave të lidhjes me rrjetin feed-in. Sipas Godzimirskit, nga Instituti Ndërkombëtar për Çështje Ndërkombëtare, tarifat luajnë një rol vendimtar në zhvillimin e kapacitetit të energjisë së rinovueshme për shkak se i mbrojnë investitorët nga luhatjet në çmimet e energjisë.
“Kur të duhet të vendosësh nëse do të investosh apo jo në një hidrocentral të vogël apo një impiant të vogël të energjisë së erës, të duhet të dish se do të kesh një normë të mirë kthimi nga investimi,” i tha ai BIRN. “Nëse ke një marrëveshje të qëndrueshme me rrjetin kombëtar, e cila të lejon ty të shesësh energjinë me një çmim të caktuar, kjo e bën vendimin tënd për të investuar më të lehtë.”
Garancia për kthime të qëndrueshme për një periudhë të gjatë i bën licencat për energji të rinovueshme objekt spekulimi. Një kabllogramë diplomatike e klasifikuar nga ambasada e SHBA-së në Beograd aludon se ka pasur një tregti të lulëzuar licencash në vitin 2009 – një kohë kur Serbia po hidhte themelet për këtë sektor. Kabllograma, e publikuar nga faqja e internetit Wikileaks, citon një bisedë me zyrtarë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, e cila po ndihmonte për mobilizimin e fondeve për energji të rinovueshme. Autorët e kabllogramit citojnë përfaqësuesin e bankës duke argumentuar se duhet bërë kujdes për shkak se tregu i energjisë së rinovueshme ka “marrë tiparin e një tregu prej ethesh ari, me shumë investitorë të vegjël… që përpiqen të kapin licenca për t’i shitur ato aty për aty te investitorë të tjerë.”
Nuk ka prova korrupsioni në hidrocentralin e Seoces, apo në menaxhimin nga qeveria e Serbisë të sektorit të energjisë së rinovueshme.
Gjithsesi, gjetkë, tarifat e lidhjes me rrjetin janë të njohura si mundësi për korrupsion. Godzimirski tha se sistemi ishte larg të qenit pa defekte dhe mund të krijojë “një hapësirë për korrupsion” në një mjedis jo shumë mirë të rregulluar ku zyrtarët e shtetit marrin vendime që prekin financat e firmave private. Ai i tha BIRN se firmat që operojnë në sektorin e energjisë së rinovueshme mundet, për shembull, të joshen nga ideja e ofrimit të “incentivave ekonomike” për zyrtarët e qeverisë për t’u siguruar që ata marrin një kthim veçanërisht të mirë mbi investimin e tyre, përmes tarifave të lidhjes në rrjet.
Rasti më i njohur i korrupsionit në skemat e mbështetura nga BE për energji të rinovueshme u zbulua në Sicili dhjetë vjet më parë, kur prokurorët zbuluan se mafia vendëse kishte përfituar nga ndërtimi i fermave të energjisë së erës dhe energjisë diellore.
Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac, pranoi gjithashtu se ka një rrezik për korrupsion në këtë sistem. “Kurdo që ti ke subvencione për furnizim të energjisë në rrjet, biznesi mund të rrëmbehet nga mafia,” i tha ai BIRN. “Si një kontratë e drejtpërdrejtë me shtetin, ajo mund të jetë shumë fitimprurëse.”
Kopac tha se një sjellje e tillë zakonisht është e kufizuar te një minorancë lojtarësh brenda sektorit të energjisë së rinovueshme. “Shteti mund të përfundojë i falimentuar nëse bën marrëveshje të tilla me të gjithë,” i tha ai BIRN. “Vetëm firmat që janë pranë qeverisë mund të përfitojnë në një mënyrë të tillë.”
Kopac tha se tarifat feed-in “duhet të tolerohen” vetën në situata të jashtëzakonshme, si një incentivë afatshkurtër që firmat private të investojnë në energjinë e rinovueshme. Ai i tha BIRN se Komuniteti i Energjisë ka këshilluar qeveritë të heqin tarifat gradualisht sa më parë të jetë e mundur, për t’i zëvendësuar ato me sistemin e ankandeve, ku investitorët garojnë për licencat.
“Këto hidrocentralet e vegjël janë investime joeficiente dhe shteti i nxit ato [me tarifat feed-in],” tha ai. “Ankandet mund ta zgjidhin problemin menjëherë për shkak se pas kësaj nuk do të ketë më investime joeficiente”.
Gjithsesi, tha Kopac, organizatat e tij ka ndikim të kufizuar mbi qeveritë kombëtare, të cilat i injorojnë këshillat e tij. “Teorikisht është e mundur të përjashtohet një vend nga Komuniteti i Energjisë,” i tha ai BIRN, por kjo mund të klasifikohet si “opsion bërthamor”.
Përfitime të dobëta
Ndërsa Serbia vijon të ofrojë tarifa subvencionuese për hidrocentralët e vegjël në sfidë ndaj udhërrëfyesve të BE-së, qeveritë e tjera të rajonit janë dorëzuar përballë shqetësimeve për mjedisin. Rumania, një vend anëtar në BE që nga viti 2007, hyri në një fushatë ndërtimesh që solli ndërtimin e qindra hidrocentraleve të vegjël në zonat e thella malore. Disa nga hidrocentralet e reja u ndërtuan mbi lumenjtë Buda dhe Kapra në malet Fagaras, një degë e vargmalit të Karpateve Jugore, që zgjatet përmes Rumanisë qendrore.
Faragasi është një destinacion popullor për ecje në natyrë si dhe shtëpi e specieve të tilla si ariu i murrmë dhe rrëqebulli. Një autostradë që kapërcen malet u përshkrua nga spektakli i makinave Top Gear në BBC si “rruga më e mirë në botë” për shkak të panoramave të jashtëzakonshme dhe kthesat e bukura.
Bumi i hidrocentraleve të vegjël në Ballkan mbërriti në këto male nëntë vjet më parë, me kolonë muzikore të përbërë nga dinamiti dhe makineritë e rënda. Ovidiu Mihu, një mësues shkolle në zonë që dikur peshkonte në lumin Kapra, rikujton përballjen e tij të parë me punëtorët dhe buldozerët që shtruan tuba nëpër shtratin e lumit në 2010. “Ishte revoltuese,” i tha ai BIRN gjatë një udhëtimi në zonë. “Lumi është pjesë e zemrës sime por kjo ishte hera e fundit që unë erdha këtu për të peshkuar. Ishte si të shohësh dikë që ti njeh, duke vdekur.”
I zemëruar, Mihu përdori aktivizmin e fshehtë. Në lokalet e zonës, ai takoi punëtorët e hidrocentraleve të vegjël dhe dëgjoi rrëfenjat e tyre pa i lënë të kuptojnë se në fakt ai po mblidhte informacion. Ai fshehtazi mbushte gotën e vet me çaj të ftohtë në vend të birrës, në mënyrë që të qëndronte esëll për të dëgjuar çdo gjë.
Pasi denoncimet fillestare te autoritetet rumune ranë në veshë të shurdhët, Mihu ia dërgoi një nga shumë ankesat e tij Komisionit Europian në mars 2012. Ai u bashkua gjithashtu me aktivistë të tjerë, duke kërkuar që autoritetet rumune të ndalojnë ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël në zonat e paprekura dhe që i bëjnë presion autoriteteve rumune të heqin subvencionimet për projekte të tilla.
Ata ia dolën dhe më 2015, ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël efektivisht u bllokua kur Rumania tërhoqi subvencionimet për këtë sektor. Më 2016, Komisioni Europian hapi atë që njihet si Procedura për Shkelje nga ana e Rumanisë, për të hetuar nëse vendi kishte shkelur legjislacionin europian për mjedisin.
Hetimi nuk është përfunduar ende por arritjet e deritanishme të aktivistëve mjedisorë kanë rezultuar deri më sot të forta – së paku tani për tani. Në shtator, qeveria e Rumanisë miratoi një ligj kontrovers që lejon ndërtimin e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura.
Mjedisorët besojnë se ligji në fjalë synon të përshpejtojë përfundimin e hidrocentraleve të mëdha nën pronësi shtetërore, të mbetura të papërfunduara për shkak se binin ndesh me rregullat e BE-së. Ata nuk presin që ligji i ri të nxisë ndonjë bum të ri hidrocentralesh të vegjël, për shkak se nuk përfshin klauzola për subvencionimin e tyre. Diana Cosmoiu, koordinatore politikash në World Wide Fund for Nature në Rumani, i tha BIRN se përpjekjet e aktivistëve kanë bërë që “versioni më i fundit i strategjisë kombëtare të energjisë të mos mbështesë zhvillimin e hidrocentraleve të vegjël”.
Ekspertët i thanë BIRN se rregulloret mjedisore të BE-së kanë tendencën të jenë më të forta për vendet që janë brenda bllokut në krahasim me vendet që aspirojnë të anëtarësohen. Për shembull, qeveria e Serbisë është këshilluar në vijimësi të braktisë praktikën e tarifave feed -in në favor të ankandeve, herën e fundit në vitin 2020, por Beogradi vijon të ofrojë subvencionime.
Për Nehro Rovcanin, këshilltarin nga Graçanica, fushata kundër hidrocentraleve të vegjël në vendin e tij vetëm sa ka demonstruar se sa e vështirë është të kërkosh përgjegjësi te të fuqishmit. “Një investitor mund të hedhë një tub në një lum por jemi vetëm ne, qytetarët e zakonshëm, ata që dënohemi nëse shkelim ligjin,” tha ai. /BIRN/