Kryeministri Edi Rama ka habitur sot me deklaratën që ka bërë lidhur me protestat për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha, nga një efektiv policie, ndërsa e konsideroi Lulzim Bashën, kreun e PD, si një lider të dështuar, pasi nuk ndaloi revoltën e të rinjve.
Deklarata e Kryeministrit, i cili duket se ka humbur busullën, mund të jetë edhe një diversion që ai po bën në ditën e 6-të të protestave, që kërkojnë dorëheqjen e Ardi Veliutsi Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Rama në fjalën e tij ka theksuar se është i sigurtë që kryetari i PD-së Lulzim Basha nuk është se fshihet pas këtyre protestave, por një qëndrim i tillë është një tjetër konfirmim për dështimin e tij si lider i opozitës.
“Ishte e drejtë që qeveria të kërkonte ndjesë jo se ishte e përfshirë në ngjarje por se 25 vjeçarin e vrau arma e shtetit, ishte e drejtë që ministri i Brendshëm të largohej jo se kishte përgjegjësi direkte apo indirekte por ishte e drejtë që mesazhi i pjesëmarrjes në dhimbjen e asaj familje mos ishte me fjalë por që moralisht ministri të thoshte atë që tha. Këto nuk janë bërë si rezultat i protestës.
Dhe unë të mos isha kryeministër do të kisha dalë në protestë në atë të parën jo për tu hedhur në fyt policëve dhe për të lëshuar gojën por për të dëshmuar indinjatën, qytetarisht dhe për të dëshmuar vendosmërinë qytetarë për të kërkuar drejtësinë. Për të thënë të gjitha këto që në momentin e parë është mbajtur qëndrimi korrekt dhe të mos ishin disa nga mediat sigurisht që ngjarja dhe qëndrimi ndaj saj nuk do të ishte ndotur nga marrëzitë që janë shkruar.
SHÇBA-ja ka marrë menjëherë përsipër atë që i takonte, pasi Policia e Shtetit nuk mund të hetonte diçka që kishte si rezultat i një veprimi ekstrem të një polici dhe menjëherë autori u kap dhe doli para gjyqit.
Mua më vjen keq për Bashën dhe është një tjetër rast që është një lider pa karakter, pasi jam i bindur që ai nuk ka lidhje me asnjë nga këto por e bën dyfish fajtor, pasi një lider si ai i opozitës duhej të dilte dhe të thoshte se këto janë të papranueshme dhe kjo nuk është rruga për të ardhë në pushtet por si gjithmonë ai është i papranishëm për atë që ndodh.
Asgjë nuk ka lidhje me zemërata dhe me teoritë e atyre që bredhin studiove si komentatorë supremë të jetës morale dhe sociale, por është një tjetër akt i degradimit të Ilir Metës dhe Sali Berishës, këto të dy janë pas asaj, dhe ato që kanë predikuar revolucione.
Këtë e dinë edhe peshqit e liqenit artificial dhe të gjithë, secili nga ju e di këtë që po them unë tani, e di çdo shqiptar i majtë apo i djathtë, dhe ato që teorizojnë dhunën, dhe ato që thonë punë e madhe se u dogj pema e vitit të ri. Por çështje kjo mënyrë e të folurit. Çfarë edukohet me një qëndrim të tillë edhe fëmija në shtëpi nëse ndjen padrejtësi ti vërë zjarrin shtëpinë”, tha Rama.
Po t´i referohemi deklaratave të pak ditëve më parë po të Kryeministrit apo rilindasve që sot janë në kupolën drejtuese të PD, nga përgjegjësia e organizimit të protestave, nuk shpëtonte as Lulzim Basha, bashkë me Presidentin, ish-Kryeministrin apo Kryetaren e LSI-së.
Në fakt PD ka deklaruar se nuk ka organizuar asnjë protestë dhe kjo të paktën konfirmohet edhe nga prania e pjesëmarrësve në protesta, e cila nëse do të kishte mbështjejen e opozitës, do të ishin shumë herë më të mëdha.