Nga Gretchen Vogel & Jennifer Couzin-Frankel
Kur vala e parë e rasteve me Covid-19 u qetësua disi në muajt prill dhe maj, shkollat u rihapën në shumë vende, nga Zelanda e Re në Norvegji në Japoni, dhe virusi mbeti kryesisht nën kontroll. Autoritetet shëndetësore dhe arsimore, u gëzuan teksa mendonin se përfitimet e mëdha të arsimit ballë për ballë, e tejkalonin rrezikun e përhapjes së virusit midis fëmijëve dhe mësuesve, dhe nga shkollat tek komunitetet në përgjithësi.
Për pasojë, shumë vende i rihapën dyert e shkollave në gusht dhe shtator. Në Britani, Danimarkë dhe Holandë, shkollat kaluan në grupe më të vogla nxënësish, të alternuar me klasat e plota. Qytetet si Montreali në Kanada, që kishin mbyllur në fillim shkollat, i rihapën sërish ato për nxënësit.
Në Shtetet e Bashkuara, adoleshentët u rikthyen në shkollat e tyre në Xhorxhia, Ajoa dhe Teksas. Por tani situata është shumë ndryshe:në shumë zona rastet e reja kanë aritur nivele edhe më të larta se sa në fillim të vitit. Në korrik, revista e mirënjohur “Science” publikoi të dhënat kryesisht inkurajuese që vinin nga rihapja e shkollave në zonat me një përhapje minimale të virusit.
Sot, hapja e shkollave në vendet ku infeksionet po rriten ndjeshëm, paraqet një panoramë më komplekse të rreziqeve që ekzistojnë, dhe se si mund të përballen ato. Virusi ka nxjerrë në pah pabarazitë midis vendeve dhe brenda shteteve, dhe një nga më shqetësueset është ajo në fushën e arsimit.
Në shumë vende, si India, Meksika dhe Indonezia, shumica e shkollave janë ende të mbyllura. Në Shtetet e Bashkuara, studentët e regjistruar në shkollat publike në qytetet e mëdha, nga Los Angeles në Çikago, që edhe në kohë normale mund të kenë vështirësi në sigurimin e sapunit dhe letrës higjenike, vazhdojnë të studiojnë nga shtëpia.
Ndërsa shkollat e pasura private kanë instaluar tenda për të krijuar klasa në natyrë, dhe kanë punësuar me më shumë mësues për të zvogëluar orët e mësimit. Të dhënat e hershme, të mbledhura shpesh nga studiuesit mbi fëmijët e moshës shkollore, sugjerojnë që shkollat mund të rrinë të hapura edhe përballë një përhapje të konsiderueshme të virusit brenda komunitetit, gjithnjë nëse ka masa të rrepta sigurie dhe vullnet politik për t’i zbatuar ato.
Por ndonjëherë, as kjo nuk është e mjaftueshme. Përballë një numri marramendës rastesh ditore në tetor dhe fillim të nëntorit, Republika Çeke, Rusia dhe Austria i kanë mbyllur ato.
“Unë mendoj se shkollat duhet që të mbyllen të fundit”- thotë Michael Wagner, ekolog i mikroorganizmave në Universitetin e Vjenës, që është pjesë e një konsorciumi universitetesh të angazhuar për të studiuar prevalencën e virusit në shkollat austriake.
Ai paralajmëron se mbyllja e tyre mund të jetë “një nga masat më të kushtueshme” për nxënësit. Në Austri, shkollat mbetën të hapura deri më 17 nëntor. Por vendet e tjera, si Koreja e Jugut dhe Australia, i mbyllën që pas shenjave të para të rritjes së rasteve, pasi autoritetet donin të shmangnin edhe transmetimin modest që ndodh brenda tyre.
Po sa të zakonshme janë shpërthimet epidemike të Covid brenda shkollave? Shumica e shkollave kanë futur në zbatim disa masa sigurie siç janë maska e fytyrës dhe hapësirat fizike më të mëdha, për të parandaluar krijimin e një vatre nëse një student ose dikush nga stafi mësimor e sjell në shkollë Covid-19.
Deri më tani, thonë shkencëtarët, shpërthimet epidemike në shkollë, duken më pak të zakonshme nga sa kishim frikë fillimisht, por të dhënat në dispozicion janë të pakta. Në Universitetin Duke në SHBA, Danny Benjamin dhe Kanecia Zimmerman, që të dy pediatër dhe epidemiologë, po bashkëpunojnë me më shumë se 50 shkolla për të studiuar përhapjen e Covid-19.
Ata mblodhën të dhëna për 50.000 nxënës dhe mësues në 9 javët e para të shkollës me praninë fizike të nxënësve në klasë. Në Karolinën e Veriut, prevalenca e Covid ishte e lartë, por ekipi regjistroi 197 raste infeksionesh që ndodhën jashtë shkollës dhe vetëm 8 ishin“transmetim dytësor” ose përhapje nga një person tek tjetri.
Benjamin zbuloi se një grup mësuesish drekoi bashkë pa maskë. Përdorimi i parregullt i maskave të fytyrës në një klasë në Tenesi, shkaktoi një vatër të vogël epidemike. Shumë ekspertë ankohen se ndonëse autoritetet shëndetësore reklamojnë shpesh një numër të ulët të rasteve në shkolla, infeksionet nuk regjistrohen në çdo rast dhe ka pak transparencë, sidomos mbi hetimet ndaj vatrave të reja.
A e ndryshojnë perceptimin e rrezikut shkollat e hapura? Ndeshje sportive. Festa ditëlindje. Me rihapjen e shkollave, rinisin edhe aktivitetet e tjera shkollore. Dhe kjo i shqetëson studiuesit. Në SHBA, u evidentuan vatra të shuma tek ndeshjet e futbollit të zhvilluara në gusht.
Po sa ajrim është i mjaftueshëm?Ndërsa temperaturat në Hemisferën Veriore po bien, shumë shkolla nuk kanë ngrohtësinë e duhur siç ishin mësuar. Pandemia e koronavirusit ka krijuar një rutinë të re:hapjen e vazhdueshme të dritareve, pavarësisht nga kushtet e motit.
Në Gjermani, nxënësit mbajnë pallto dhe kapuça në klasë. Në Britani, lejohet të veshësh rroba të tjera mbi uniformën shkollore. Kjo është pjesë e një përpjekje për të shpërndarë grimcat virale të nxjerra nga dikush, para se ato t’i thithin të tjerët.
Por nga ana tjetër, nëse fëmijët janë kallkanosur, kjo “mund të dëmtojë aftësinë e tyre për të mësuar” thotë Henry Burridge, specialist i mekanikës së lëngjeve në Imperial College London. Në këto kushte, Gjermania po teston një praktikë tjetër: klasat mund të mbyllin dritaret për 20 minuta dhe t’i hapin ato për 5 minuta.
Disa shkolla po shtojnë filtra të sofistikuar të ajrit, në përpjekje për të ndaluar qarkullimin e virusit dhe shkencëtarët po zhvillojnë zgjidhje të tjera krijuese. Nga ana tjetër ekspertët ngrenë pyetjen: A e bëjnë diferencën testet? Që nga maji, adoleshentët në Gymnasium Carolinum, një shkollë në Neustrelitz, Gjermani, i janë nënshtruar tamponit dy herë në javë.
Nxënësit, stafit mësimor dhe pjesëtarët e familjes nga 6 shkolla të tjera dhe një qendër ekujdesit ditor, i dërgojnë mostrat tek Centogene, një kompani bio-teknologjike. Në faqen e saj në internet thuhet se deri tani ajo ka kryer gati 40.000 teste, falë të cilave, janë identifikuar “disa” raste pozitive, por jo vatra epidemike.
Testet nëpër shkolla japin rezultate të vogla, duke krijuar shumë pikëpyetje mbi numrin e fëmijëve që e përhapin virusin dhe saktësinë e llojeve të ndryshme të testeve. Dhe së fundi dilema më e madhe:A duhet të qëndrojnë të hapura shkollat nëse shtohen rastet?
Pasiguritë e shkencës nuk ndihmojnë. Studimet fillestare, sugjeronin se fëmijët nën 10-vjeç vjeç kishin më pak të ngjarë se të moshuarit dhe të rriturit që të prekeshin dhe përhapnin SARS-COV-2. Por të dhënat më të fundit e kanë ngatërruar panoramën.
Në shtator, një studim mbi familjet e punonjësve të shëndetësisë në Britani nuk gjeti shumë ndryshime bazuar tek mosha. Edhe testet e antitrupave të kryera në Brazil dhe Gjermaninë Jugore dhanë rezultate të ngjashme. Në një kopsht polak, 5 fëmijë, që të gjithë asimptomatikë, infektuan 9 anëtarë të familjes së tyre.
Megjithatë, disa vende po zbulojnë se mund t`a frenojnë virusin edhe duke vazhduar t`i lënë të hapura shkollat. Në mesin e tetorit, Irlanda ndaloi shumicën e aktiviteteve publike, por jo shkollat. Të njëjtën gjë bëri edhe Holanda, dhe në të dyja vendet, rastet e reja ranë ndjeshëm.
Ndërsa të dhënat mund të shërbejnë si një lloj udhëzuesi, shumë ekspertë thonë që vendimet për hapjen dhe mbylljen e shkollave, janë sa morale, politike, po aq edhe shkencore.
Derisa të zhduket pandemia, ndoshta me ndihmën e një vaksine, autoritetet, prindërit dhe mësuesit do të duhet të adresojnë pyetje që shkojnë përtej shkencës:”Çfarë nënkuptojmë me siguri? Dhe cilat nivele rreziku jemi të gatshëm që të pranojmë për t’i mbajtur hapur shkollat?”. / Marrë me shkurtime “Science Magazine”-Bota.al/