Deputeti i larguar nga Partia Socialiste, Ben Blushi ka folur sot për ‘divorcin’ e tij me selinë rozë dhe kryeministrin Edi Rama.
Blushi i ka kthyer përgjigje Ramës pasi ai tha një javë më parë se nuk kishte bërë asnjë punë. Ish-deputeti socialist tashmë i ka kujtuar Ramës se është në politikë dhe në krye të PS-së, falë tij.
Ben Blushi pritet që pas disa ditësh të prezantojë projektin e tij politik, për të cilin është folur ditën e fundit. Ndonëse fillimisht u tha se do të kishte emrin “Lista”, ai sqaron se do të ketë një tjetër emërtim. Por ndonëse nuk pranon të japë më shumë detaje nga ky projekt politik, Ben Blushi sqaron qëndrimet e tij politike dhe idetë që kërkon t’i vërë në zbatim.
Deputeti Blushi sqaron edhe arsyet e largimit të tij nga PS, mundësitë për një rikthim në këtë parti, apo koalicionet e mundshme me partitë e tjera, të vogla apo të mëdha, në zgjedhjet e ardhshme në vend.
INTERVISTA
Eni Vasili: Një javë më parë këtu ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama që bëri edhe artikulimin e tij të parë në lidhje me largimin tuaj nga Partia Socialiste. Nuk e di nëse e keni ndjekur? Nëse jo unë po e ritransmetoj… Në vazhdim ju thatë që po përgatisnit dy libra, një për errësirën dhe një për dritën. Cila është errësira dhe cila është drita?
Ben Blushi: Në radhë të parë po them se jam këtu, jam këtu për shkak se bashkë me një kolegen time deputete, por dhe me shumë të tjerë kemi vendosur të dalim nga Rilindja, të dalim jo vetëm “de fakto” por edhe “de juro”, për arsye që nuk vareshin nga unë dhe zonja Hafizi, ne vendosëm të divorcoheshim me një parti ku kishim qenë për 20 vite në kushtet kur ajo pushoi së qeni një parti demokratike, në të cilën hyn me vullnet të lirë për sa kohë beson tek një program dhe tek njerëzit që janë aty. Në rastin tonë ky besim u shua me kalimin e kohës. Dua të kujtoj që nën poshtërimin e Rilindjes dhe me një kërkesë meskine dhe frikacake të Edi Ramës u mor vendim personal për mua meskin për të më hequr të drejtën e garës. Kjo ndodhi 6 muaj më parë. Partia më e madhe në Shqipëri u mblodh për të vendosur se Ben Blushi nuk ka të drejtë të garojë për kryetarin e Partisë Socialiste.
Eni Vasili: Kemi qenë në këtë studio kemi folur gjatë…
Ben Blushi: Po kjo është një nga arsyet më themelore që vendosa të iki, çka nuk ka ndodhur kurrë, që një parti të marrë vendim që dikush nuk ka të drejtë gare.
Eni Vasili: Opinionin e kryeministrit e dëgjuat. Çfarë mendoni, e pyeta për largimin tuaj, tha s’keni bërë asnjë punë…
Ben Blushi: Edi Rama nuk ka kapacitetin për të vlerësuar punët me të cilat unë jam marrë, por sigurisht një nga punët që unë kam bërë është fakti që është aty ku është . Kjo është e vërtetë.
Eni Vasili: Që do të thotë?
Ben Blushi: Një nga punët që unë kam bërë në jetë i ka prirë si të thuash Edi Ramës, sepse edhe për shkakun tim është aty ku është edhe në politikë edhe si kryetari i PS. Nuk ka kapacitet për të vlerësuar këtë gjë dhe unë nuk dua t’i hy këtij debati. Nuk kam asnjë interes të bëj debat me anëtarët e Rilindjes, por diçka sigurisht mund ta them. Dikur kur e pashë thashë me vetë çfarë sovjetiku është ky, që mendon edhe se librat e një shkrimtari janë produkt i partisë. Se këtë mendon. Vetëm në kohën e Partisë së Punës ata që drejtonin këto idiotësira thoshin shkrimtarët janë produkt i partisë. Kështu foli edhe Edi Rama, sigurisht është një njeri shumë i vjetër. Unë kam dalë për ta mundur atë dhe të gjithë ata që janë si ai. Është tmerrësisht i vjetër ka 18 vite në politikë dhe kam përshtypjen është duke na lodhur të gjithëve.
Robert Rakipllari: Nëse ju thatë që s’ka kapacitet për të gjykuar punët tuaja, të paktën një ndjesë publike duhet ta bëni që keni luftuar me të nja 10 vite që të bëhet kryeministër…Nëse ka pasur kaq pak kapacitet i bie të keni gënjyer ju?
Ben Blushi: Nuk kam dalë për të bërë bilancin e ndereve që kam bërë…
Robert Rakipllari: Nuk është nder ai…Po në raport me interesin publik a ke ndonjë përgjegjësi?
Ben Blushi: Interesit publik i thashë që po iki nga një ndërmarrje private. Ditën që konstatova se ajo u kthye në ndërmarrje private dhe ky u bë drejtor i ndërmarrjes, unë jam duke mbrojtur interesin publik, jo vetëm duke folur por edhe duke vepruar.
Robert Rakipllari: Po një “mea cupla” që ke ndihmuar që ai të bëhet kryeministër?
Ben Blushi: Kjo është një mënyrë gazetareske për të deformuar atë që thashë. Ajo për të cilën jam përpjekur dhe nuk bëhem pishman, është që partia ku isha të vijë në pushtet. Nuk kam kërkuar që një njeri të bëhet kryeministër dhe të privatizojë partinë.
Robert Rakipllari: Brenda PS thuhet se juve e bëni këtë se nuk keni qenë në ekipin e zotit Rama për të qeverisur vendin…
Ben Blushi: Zoti Rama ka qenë në ekipin tim. Në fakt ditën kur e kam marrë, po nuk dua se i takojnë një faze më të shtyrë të jetës sime. Nuk kam shumë kohë të merrem me Edi Ramën se është humbje kohe
Robert Rakipllari: Po Edi Rama është kryeministër i vendit…
Ben Blushi: Dua të flas për projektin tim zotëri. Ky i tiji është një projekt i dështuar ku nuk bëj më pjesë.
Alfred Lela: Një grupim ish kolegësh, miqsh flasim për zemërimin tuaj, këtë lloj distance, sulmi e keni bërë se Rama s’ju ka dhënë postin e një ministri…
Ben Blushi: Për njerëzit që më njohin, e dinë që unë kam ikur në përgjithësi nga punët që kam pasur. Në vitin 2017 kam qenë kryetar i grupit parlamentar dhe ika, nuk më konkurronte njeri.
Alfred Lela: Kush donte ta zinte vendin?
Ben Blushi: Askush nga ata. E lashë për moral. Siç kam qenë disa herë për të ikur nga qeveria. Këta që më kujtojnë punët, dua t’ju kujtoj se Rama ka që nga viti 1998 që është vetëm në pushtet, 18 vjet. 18 vjet barrë. Kë përfaqëson? Shekullin e kaluar, është i vetmi kryeministër që qeveris që nga shekulli i kaluar, nuk ka në Europë. Është po aq i vjetër sa Saliu. Ky është një debat i mbyllur, nuk dua të bëj debat me punëtorët e Edi Ramës në ndërmarrjen Rilindja.
Alfred Lela: A do ta falni edhe një herë të tretë Edi Ramën?
Ben Blushi: Ky është muhabet domino, nëse Edi Rama më shkel një ditë këmbët dhe më bën të dyja këpucët pis natyrisht që do ta fal.
Alfred Lela: Po flasim për falje politike…
Ben Blushi: Unë jam futur në një projekt të ri politik, i cili ka qëllimet e veta. Nuk është projekt personal që unë të vendos gjithçka. Ky projekt sa ka filluar, unë nuk mund të bëj asnjë parashikim se çfarë do bëjnë të tjerët. I vetmi parashikim që mund të bëj është se si do sillem unë të paktën në 6 muajt e ardhshëm deri në zgjedhjet 2017. Nuk më intereson asnjë nga komshinjtë e mi politik
Alfred Lela: Po bëjmë një parashikim, në Qershor korrik a do pranoni ju një aleancë me zotin Rama?
Ben Blushi: Bëjmë çfarë parashikimesh të doni, Por po ju them se ky projekt politik akoma nuk është publik. Kam 3 apo 4 muaj që nga qershori që kam vendosur të iki nga Rilindja. Ne jemi një grup i madh me shumë shqiptarë të zakonshëm, njerëz të lirë në një kuptim.
Eni Vasili: Sa shumë mund të kemi një ide?
Ben Blushi: Nuk ka rëndësi të të them nga 1 mijë deri dy mijë. Po them se jemi shumë njerëz për të krijuar një program të ri politik që do ta shpallim shumë shpejt. Nuk është vendimi im por vendimi një grupi të madh njerëzish prandaj unë nuk e di çfarë do bëjmë në 2017. Ajo që unë di është se për çfarë do qëndrojmë ne, çfarë do mbrojmë, cilat shtresa të shoqërisë do apelojmë, çfarë politikash ekonomike do ndjekim, si do organizohemi. Vetëm pas këtyre gjërash do shohim raportin me partitë e tjera, të cilat sot nuk janë në fokusin tonë.
Eni Vasili: Duhet ta keni një ide se çfarë do bëhet me partitë e tjera…Duhet të ketë një lloj koherence në rast se ju thoni se Edi Rama është një e keqe kaq e madhe..
Ben Blushi: Ky nuk është vendimi im është një lëvizje…Nëse do kisha një votë nuk do ta jepja që Edi Rama të jetë sërish kryeministër, në asnjë rast. Kjo është e sigurt. Në parlament apo jashtë parlamentit nuk do ta jap kurrë.
Alfred Lela: Nëse ka një mocion mosbesimi për qeverinë ju do jepni votën?
Ben Blushi: Unë jam në opozitë zoti Lela, Kam dalë me vullnet në opozitë…
Gazetari Lela: Kur thoni në opozitë jeni edhe me Bashën?
Blushi: Jo jo, jam në opozitë, por opozita nuk është Basha. Unë jam në opozitë me qeverinë. E nuk ka lidhje me Bashën. Opozita nuk barazohet me Bashën. Në këto 25 vite a ke parë një njeri që të ketë ikur nga qeveria në opozitë. Kjo nuk ka ndodhur, ndërsa e kundërta ndodh rëndom. I janë shtuar 7 mandate qeverisë pasi ikën nga opozita. Nëse ka qoftë edhe një mundësi për ta rrëzuar këtë qeveri, unë votoj pro.
Eni Vasili: Rama javën e kaluar tha se nuk është e vërtetë se i kemi kërkuar ndonjëherë votën Blushit.
Blushi: Me janë lutur. Në Korrik ky drejtori i Rilindjes, bashkë me punëtorët e vet më janë lutur në kuptimin e plotë të fjalës që t’i mbaja në pushtet në kohën kur menduan se Meta po ikte. Më janë lutur për t’i votuar se s’kishin numra. Në korrik qeveria pothuajse po binte.