Shoqërohet me pikëpyetje vendimi i qeverisë shqiptare për të fshehur detajet e më shumë se një duzine tenderësh publik të lidhur me COVID-19 me vlerë miliona euro.
Më shumë se një duzinë tenderësh për blerjen e pajisjeve mbrojtëse, pajisjeve mjekësore dhe pajisjeve të tjera shëndetësore në Shqipëri, me vlerë qindra mijëra euro midis marsit dhe majit të këtij viti mbeten mister, duke shkaktuar paralajmërime për keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore.
Detajet e tenderëve nuk janë bërë ende publike, pavarësisht përpjekjeve të deputetëve të opozitës, ekspertëve dhe gazetarëve që shprehen se një vendim i qeverisë për të pezulluar procedurat e rregullta të prokurimit dhe për ta mbajtur të fshehtë procesin është recetë për korrupsion.
Procedurat e prokurimit publik ishin të dobëta edhe para mbërritjes së COVID-19.
Në shkurt, qeveria e Shqipërisë pezulloi zbatimin e ligjit të prokurimit publik “në rastet kur zbatimi i tyre kërkon masa të posaçme sigurie, në përputhje me ligjet dhe rregulloret ligjore në fuqi, ose në rast se një akt i tillë diktohet nga interesat thelbësore të shtetit”.
Qeveria shkoi më tej në mars, duke deklaruar se të gjithë tenderët gjatë pandemisë do të kryheshin në përputhje me klauzolën për “interesa thelbësore të shtetit”.
Përdorimi nga qeveria i ligjit të amenduar “hap rrugën dhe mbron veprime të tilla si favorizim, korrupsion të dyshuar dhe shkelje të interesave publike”, tha Zef Preçi, kreu i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.
Eksperti i ekonomisë Pano Soko tha për BIRN: “Duket e qartë se situata e emergjencës po përdoret si një justifikim për të mos qenë transparent me publikun, për të mbajtur gjëra të fshehta ose për të kryer procedura abuzive me paratë e taksapaguesve”.
Informacion i kufizuar
Pas një rishikimi të të dhënave publike, BIRN zbuloi se midis marsit dhe majit të këtij viti janë kryer të paktën 15 tenderë publik – një nga Ministria e Drejtësisë më 18 prill dhe 14 të tjerët nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale më 21 mars dhe 18 prill.
Tenderët janë mbyllur pa ndonjë njoftim paraprak publik, kështu që nuk dihet se sa kompani kanë marrë pjesë, cilat kushte apo kritere janë aplikuar gjatë dhënies së tenderit.
Informacioni i përgjithshëm në lidhje me disa prej këtyre tenderëve u shfaq në Fletoren Zyrtare, por ishte i kufizuar vetëm në emrin e kompanisë që fitoi kontratën, datën, qëllimin dhe vlerën e kontratës dhe autoritetin kontraktues. Kontratat e nënshkruara midis autoriteteve dhe kompanive nuk janë gjithashtu në dispozicion të publikut.
Ekspertët e prokurimit kanë shprehur vazhdimisht shqetësime se kontratat e lidhura gjatë kësaj periudhe shkelnin parimet më themelore të transparencës.
“Klasifikimi sekret për shkak të interesave thelbësore të shtetit të këtyre kontratave bie në kundërshtim me Aktin Normativ të Qeverisë për Shpalljen e Gjendjes së Katastrofës Natyrore, një akt në të cilin nuk ka asnjë parashikim për kufizime të së Drejtës Kushtetuese për Informim (Neni 23 i Kushtetutës)”, tha Instituti Shqiptar i Shkencës në një deklaratë më 14 prill.
Kryeministri Edi Rama i hodhi poshtë shqetësimet, duke thënë në fund të prillit: “Procedurat e tenderimit të përdorura për COVID-19 janë procedura të miratuara ligjore për lidhjen e kontratave që diktohen nga interesat thelbësore të shtetit.”
“Detyrim ligjor”
Faqja e internetit për prokurimet publike nuk përmban asnjë informacion në lidhje me tenderët në fjalë.
Njëri, i nënshkruar me 21 mars dhe i botuar në Fletoren Zyrtare, ishte për blerjen e pajisjeve mbrojtëse personale për COVID-19 me vlerë rreth 2.8 milionë euro, i nënshkruar midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe dy kompanive private – Farma Net Albania dhe Euromed.
Nuk dihet asgjë më shumë për tenderin, kontratën ose mënyrën e përzgjedhjes së kompanive.
Bazuar në Ligjin e Shqipërisë për të Drejtën e Informimit, në korrik BIRN dorëzoi një kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Shëndetësisë për të pasur qasje në të 15 kontratat e lidhura midis marsit dhe prillit.
Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjigjur ende. Ministria e Drejtësisë u përgjigj më 22 korrik, duke thënë se nuk i konsideronte “të klasifikuara” kontratat, por se specifikimet teknike të kontratave të tilla nuk bëhen publike. Ajo citoi dispozitën në lidhje me kontratat “në interes thelbësor të shtetit”.
Më 24 korrik, BIRN iu drejtua Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Komisioneri i dha Ministrisë së Drejtësisë kohë deri më 12 gusht për t’u përgjigjur. Ministria nuk është përgjigjur ende.
Lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë, Komisioneri i tha BIRN më 27 korrik se kontratat në fjalë po i nënshtroheshin “një procesi verifikimi” nga SPAK dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Kreu i SPAK, Arben Kraja, tha për BIRN se zyra e tij po e shqyrtonte çështjen, por nuk ka nisur ende asnjë hetim penal.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka shprehur tashmë shqetësim në lidhje me tenderët e kryer gjatë pandemisë, duke paralajmëruar në fund të prillit për rrezikun e “keqpërdorimit të fondeve publike”.
Ai ngarkoi një grup pune për të shqyrtuar çështjen. I pyetur për progresin në lidhje me këtë çështje, KLSH i tha BIRN më 5 gusht se nuk kishte asnjë koment për të bërë.
Elvin Luku, një pedagog në Universitetin e Tiranës dhe drejtori ekzekutiv i organizatës “Media Look”, tha:
“Mungesa e transparencës ngre dyshime të arsyeshme për abuzim me këto kontrata. Publikimi i tyre nuk është çështje e vullnetit të mirë të një qeverie, individi apo ministrie. Ky është një detyrim ligjor.”
Ky artikull u realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësia e vetme e BIRN dhe jo domosdoshmërish pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Europian. /BIRN/