Si për të rikthyer në kujtesë fillimin e pandemisë së koronavirusit, radhë të gjata qytetarësh janë krijuar të martën në supermarkete, thuajse në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, për të blerë produktet bazë, në ditën kur kryeministri Boris Johnson njoftoi masa më të forta për të luftuar koronavirusin.
Raftet e supermarketeve u zbrazën nga makaronat, orizi, mielli, letrat higjienike, ndërsa britanikët e dëshpëruar përgatiten të mbyllen sërish në shtëpi, shkruan “Daily Mail”.
Deklarata për kufizime të reja e Boris Johnson erdhi pasi këshilltari kryesor shkencor i tij, Sir Patrick Vallance, tha se Mbretëria e Bashkuar mund të arrijë deri në 50 mijë raste të reja me koronavirus në ditë nga mesi i tetorit nëse nuk do të shtrëngohen masat.
Disa nga masat e reja përfshijnë mbylljen e të gjitha bareve, restoranteve dhe vendet ku grumbullohen shumë njerëz në orën 22:00 nga e enjtja. Po ashtu, nuk do të lejohen ceremoni festive me më shumë se 15 persona, ndërsa jo më shumë se 30 persona në ceremoni mortore. Boris Johnson paralajmëroi se këto kufizime mund të qëndrojnë në fuqi për 6 muajt e ardhshëm.