Nga BoldNews.al
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u shfaq mbrëmjen e të hënës në Opinion, por nuk arriti të japë asnjë parashikim lidhur me atë se çfarë do të ndodhë me pandeminë.
Me sukses të plotë, Manastirliu iu shmang çdo pyetjeje, por nuk harroi të përmende të njëjtat këshilla: mbajtjen e maskës, distancimin social dhe larjen e duarve.
Ministrja e Shëndetësisë u pyet nëse hapja e shkollave mund të krijojë vatrat e reja të infeksionit, ndërsa tha se ka rrezik për rritjen e rasteve, por ky rrezik mbetet i ulët.
Madje për ta bërë më bindës deklaratën e saj, Manastirliu përmendi edhe studimet e OBSH apo Qendrës Europiane të Sëmundjeve.
Në fakt që fëmijët kanë më pak risk nëse preken nga Covid është deklaruar që në fillim të pandemisë, me përjashtime të rralla, por me mënyrën sesi Shqipëria po menaxhon pandeminë nuk mund të krahasohet me asnjë nga vendet qofshin në Europë apo më gjerë.
Nëse sot në Zvicër nxënësit e shkollave fillore apo 9-vjeçare, nuk mbajnë maska, mësuesit testohen çdo ditë dhe kanë të detyrueshme mbajtjen e maskave.
Sot ministrja Manastirliu apo ekipi i ekspertëve, që me shumë gjasë janë anëtarët e Komitetit Teknik, nuk është në gjendje të thotë se sa është mundësia për të testuar mijëra mësuesit që sot nisën vitin e ri shkollor, sa herë në javë do të testohen, për të parandaluar kthimin e shkollave në vatra të Covid-19, për të mos folur këtu për nxënësit e shkollave të mesme, apo ato 13 apo 14 vjeç.
Manastirliu në shpjegimin e saj tha se nëse ne do të identifikojmë një rast me Covid, atëherë do të merren masat.
Po në rast se mësuesit apo stafet arsimore, por edhe nxënësit, janë asimptomatikë, çfarë do të ndodhë? Për këtë gjë ministrja e Shëndetësisë apo ekspertët me të cilët këshillohet, me siguri që nuk kanë asnjë zgjidhje, përsa kohë që në 6-7 muajt e pandemisë, nuk aplikuan atë strategji që ndoqën shumica e vendeve, testime, gjurmim, trajtim.
Përsa kohë ka çaluar testimi, atëherë dy hapat e tjerë gjurmimi dhe trajtimi mbeten thjesht në letër. Shqipëria, referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, kurrë nuk ka arritur të testojë 1 mijë persona në ditë, ndërsa pas liberalizimit të procesit testues, duke i dhënë të drejtën privatëve, testimet maksimale janë nën kuotën 900.
Nëse i referohemi këtyre muajve të pandemisë, studimeve dhe situatave, testimi mbetet hallka kryesore, pasi sa më shpejt të diagnostikohet problemi, aq më lehtë pacientët mund të kalojnë infeksionin. Kjo është ajo që Komitetit Teknik dhe ministres së Shëndetësisë i është thënë nga ekspertë jashtë strukturës apo brenda saj, por që ose shpërfilleshin ose këshillat e tyre konsideroheshin “politike”.
Dhe në kushte të tilla, sot është pak e vështirë që të shpresosh për të marrë një përgjigje nëse në vjeshtë apo dimër, do të ketë një mbyllje të re, ndoshta jo aq e rreptë sa ajo që u aplikua në mars-maj.
Manastirliu nuk dinte të përgjigjej, jo se mungon një e tillë, por sepse ajo s´ka strategji. Flet për skenarë që do të aplikohen hap pas hapi, por çdo skenar, që mund të jetë në letrat që mban në zyrë apo i harton Komiteti, i është lënë rastësisë.
Manastirliu se ka problem të flasë për Izraelin, Gjermaninë, Anglinë, mund të flasë edhe për Suedinë, Zvicrën dhe çdo vend tjetër, por për vendin ku ajo mban një post, atë të ministres së Shëndetësisë, nuk është në gjendje të thotë as se çfarë pritet dhe as se cili do të jetë reagimi.
Dhe kjo s´ka të bëjë me sjelljen e virusit, as me mutacionin që ai ka pësuar, as me kulturën në tërësi të shqiptarëve për të respektuar ato 3 këshillat: distancim, larje duarsh dhe maskë.
Kjo ka lidhje me mungesën e një strategjie, qoftë edhe duke e kopjuar apo përkthyer.
Ndaj dhe sot në Shqipëri nuk mund të flitet për një realitet bazuar në shifrat që përditësohen çdo 24 orë. Ato janë rastësore, pacientët thjesht trajtohen si numra.