Eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho, ka renditur përmes një analize në rrjetet sociale 4 gjërat që mësuan shqiptarët lidhur me shëndetësinë.
Dasho shkruan se së pari, shqiptarët u bindën se shëndetësisë i kemi vënë kazmën. “Sot qytetari që dëshiron të testohet duhet të paguajë 100 EURO, pacienti që trajtohet në shtëpi i ble vetë ilaçet, familjari i pacientit të shtruar në spital ble vetë pajisjen CPAP dhe dërgon ushqime nga shtëpia”, shkruan Dasho.
Së dyti, sipas tij, shqiptarët u bindën se jetojnë në një shtet jo-funksional. “Një shtet që nuk gjen dot 10 specialistë për të ngritur një komitet ekspertësh. Një shtet që për të luftuar një epidemi vendos në krye një mjeke neurologe. Një shtet që ndër 20 mijë punonjës shëndetësorë nuk gjen dot një epidemiolog. Një shtet që e vetmja zgjidhje që shpiku për të kontrolluar epideminë për ca javë ishte kryeministri që ju faneps orë e çast qytetarit duke e tmerruar dhe duke i folur për luftë, kamikazë dhe vdekje. Një shtet që kur nuk teston dot, shan testet, kur nuk mjekon dot, nënvlerëson protokollet. Me pak fjalë, një shtet i dështuar!”, shkruan ai.
Si pikë të tretë Dasho rendit faktin se shqiptarët u bindën se jo puna, por demagogjia mbetet përafrimi i qeveritarëve.
Dhe së fundi, sipas mjekut të njohur, shqiptarët u bindën se opozita ende nuk arrin të bëjë si duhet avokatin e interesave të tyre. “Një qeveri që mund të akuzohet minimumi për papërgjegjshmëri dhe maksimumi për disa dhjetëra vdekje të parandalueshme është target i lehtë për çdo opozitë. Prej muajsh duhet të kishte nisur një lëvizje e pandërprerë dhe me kreshendo të përshpejtuar për të kërkuar me forcë dorëheqjen e kryeministrit që u tall tre muaj me shqiptarët dhe i terrorizoi ata pa asnjë rezultat, të ministres së shëndetësisë që dështoi në çdo element të kontrollit të epidemisë, të ministres së arsimit që po hap shkollat në mënyrë aventureske, etj. Një opozitë që nuk e bën këtë por merret me vaksinat e gripit, tregon se ka ende për të mësuar!”, shkruan Dasho.
Postimi nga Erion Dasho
Bota ka 9 muaj që përballet me pandeminë e COVID-it. Impakti i parë ishte shkatërrues. Me një Rast Fatalitetet prej gati 5%, që në vende të caktuar ju afrua 10%-it, dhe me një aftësi përhapëse që luhatej nga 2 deri në 3 persona, SARS-CoV-2 u duk se kishte potencialin për të shkaktuar skenarët apokaliptikë që u përvijuan në mars – më shumë se 2 milion vdekje në SHBA, më shumë se 500 mijë vdekje në Britaninë e Madhe, etj.
Por në 9 muaj bota mësoi shumë. Në shkallë globale, numri i rasteve sa vjen e rritet, por numri i vdekjeve është në ulje. Rast Fataliteti në vendet e zhvilluara perëndimore është ulur nën 1% dhe besohet se vdekshmëria (fataliteti i përllogaritur bazuar mbi numrin e vlerësuar të personave të infektuar) mund të jetë më pak se 0.5%.
Sot dihet me siguri se përafrimi për të kontrolluar COVID kalon në dy shina. Shtetet kanë përgjegjësi të zbatojnë trinomin testo-gjurmo-trajto, kurse individët distancë-maskë-higjienë. Këta ishin dy çelësat e suksesit të çdo vendi që ka arritur të kontrollojë impaktin e epidemisë mbi shëndetin dhe jetën e qytetarëve të vet.
PO SHQIPËRIA?
Në Shqipëri dhe në vendet e ngjashme me ne, ndodhi e kundërta. Kur në Europë rastet uleshin, në Shqipëri rriteshin. Vdekshmëria po ashtu u rrit deri në pikën kur hymë në pesë vendet me vdekshmëri më të lartë në Europë. Në të gjithë Europën numri i testimeve rritej, Shqipëria mbetej në fund të listës me testimet më të ulta për banor edhe kur krahasohej me shumë vende afrikane.
Por gjithsesi, shqiptarët diçka mësuan nga epidemia!
Së pari, u bindën se shëndetësisë i kemi vënë kazmën. Sot qytetari që dëshiron të testohet duhet të paguajë 100 EURO, pacienti që trajtohet në shtëpi i ble vetë ilaçet, familjari i pacientit të shtruar në spital ble vetë pajisjen CPAP dhe dërgon ushqime nga shtëpia. Në spital, pacientit i merret fryma në dhoma pa kondicioner dhe familjarët presin në kushte depersonalizuese në sheshe, gardhe dhe dyer me hekura që ngjasojnë me dyer burgjesh. Shqiptarët e kuptuan se spitalet janë lyer dhe mbjellë me bar, por kujdesi që ofrohet aty është i niveleve skandaloze.
Së dyti, u bindën se jetojnë në një shtet jo-funksional. Një shtet që nuk gjen dot 10 specialistë për të ngritur një komitet ekspertësh. Një shtet që për të luftuar një epidemi vendos në krye një mjeke neurologe. Një shtet që ndër 20 mijë punonjës shëndetësorë nuk gjen dot një epidemiolog. Një shtet që e vetmja zgjidhje që shpiku për të kontrolluar epideminë për ca javë ishte kryeministri që ju faneps orë e çast qytetarit duke e tmerruar dhe duke i folur për luftë, kamikazë dhe vdekje. Një shtet që kur nuk teston dot, shan testet, kur nuk mjekon dot, nënvlerëson protokollet. Me pak fjalë, një shtet i dështuar!
Së treti, u bindën se jo puna, por demagogjia mbetet përafrimi i qeveritarëve. Çdo ditë shihen kronika spitalesh, qendrash shëndetësore, laboratorësh, etj. që i tregojnë këto mjedise njëlloj si mjedise të ngjashme në Itali, Gjermani, Amerikë, etj. Faktikisht rezultatet janë ato që shkruajta më lart. Pacientët nuk testohen në kohë, nuk mjekohen në kohë, nuk mjekohen siç duhen dhe, fatkeqësisht, vdesin për shkaqe nga të cilat nuk duhej të vdisnin. Përvoja gjermane, italiane, franceze, etj. tregon se kur pacientët diagnostikohen herët, trajtohen sipas protokolleve të bazuar mbi evidenca, monitorohen nga mjeku i familjes dhe shtrohen në spital atëherë kur duhet, vdekshmëria ulet në mënyrë të ndjeshme. Gjermanët, italianët, francezët, etj. sot vdesin më pak jo sepse trajtohen me plazmë apo me respiratorë, por sepse diagnostikohen herët dhe monitorohen si duhet. Kjo akoma edhe sot nuk është kuptuar nga të paaftët që drejtojnë përgjigjen ndaj COVID në Shqipëri të cilët rendin pas plazmës dhe respiratorëve të dhuruar nga Bashkimi Europian!
Së fundi, shqiptarët u bindën se opozita ende nuk arrin të bëjë si duhet avokatin e interesave të tyre. Një qeveri që mund të akuzohet minimumi për papërgjegjshmëri dhe maksimumi për disa dhjetëra vdekje të parandalueshme është target i lehtë për çdo opozitë. Prej muajsh duhet të kishte nisur një lëvizje e pandërprerë dhe me kreshendo të përshpejtuar për të kërkuar me forcë dorëheqjen e kryeministrit që u tall tre muaj me shqiptarët dhe i terrorizoi ata pa asnjë rezultat, të ministres së shëndetësisë që dështoi në çdo element të kontrollit të epidemisë, të ministres së arsimit që po hap shkollat në mënyrë aventureske, etj. Një opozitë që nuk e bën këtë por merret me vaksinat e gripit, tregon se ka ende për të mësuar!
NDËRSA MINISTRIA DHE KOMITETI NUK KANË MËSUAR NDONJË GJË NGA EPIDEMIA DHE SHËNDETI I QYTETARËVE VAZHDON TË MBETET NËN MËSHIRËN E SARS-COV-2, VETË SHQIPTARËT KANË ARRITUR TË RIBËJNË NJË RADIOGRAFI TË SHTETIT DHE QEVERISJES.
KJO RADIOGRAFI FATKEQËSISHT NUK JEP SHUMË SHPRESA PËR TË TASHMEN DHE PËR TË ARDHMEN E SHËNDETIT, JETËS DHE SIGURISË SË TYRE!
PËR NE QË FLASIM DHE SHKRUAJMË NGA JASHTË DUKE SHPRESUAR TË NDIHMOJMË SADO PAK NË PËRMIRËSIMIN E SHËNDETIT TË FAMILJARËVE QË KEMI LËNË PAS, SITUATA DUKET TEJET PESIMISTE…
EDHE SA DO TË VAZHDOJMË KËSHTU?!