Sa herë që deputeti Ben Blushi merr rrugën për tek mikrofoni i parlamentit, një shenjë ngryesjeje shihet tek deputetët e “Rilindjes”. Por këtë të enjte, fjalimi i tij ishte goditës, i pacensuruar dhe për më tepër i drejtëpërdrejtë. Blushi njoftoi ndarjen e parakohëshme nga Partia Socialiste duke paralajmëruar një projekt të ri politik i cili do të ketë në fokus njerëzit e zakonshëm dhe jo oligarkët pranë pushtetit, përdhunuesit, trafikantët apo injorantët.
“Nëse doni një arsye po jua them: Ne vendosëm të largohemi nga një grup politik që zgjodhi të eliminojë zgjedhjet e lira. Ne nuk bashkëjetojmë dot në një parti që nuk do zgjedhje. Në fillim të këtij viti, për çudinë e gjithkujt, por jo tonën, Rilindja vendosi që në Partinë Socialiste të Shqipërisë të mos ketë më zgjedhje. Ky ishte një akt pushtimi, me të cilin as kemi rënë dakord dhe as do biem kurrë dakord, pasi konkurrencën e lirë të ideve e konsiderojmë themelin e një shoqërie të bazuar mbi lirinë dhe demokracinë.”– shprehet Blushi
Por deri më sot, vetëm njëri ka provuar të replikojë me të, Taulant Balla. Si një djalë i gatshëm për tu bërë “kurban” i çdo kryeministri, Balla i kërkoi Blushit që të dorëzojë mandatin pasi e ka fituar nën siglën e PS. Por Blushi e sfidoi të tregonte se kujt duhet t’ia dorëzonte mandatin e tij.
“Kujt t’ia jap këtë mandat, Elvis Roshit, Armandos, Arben Ndokës? Kujt t’ia jap këtë mandat? Banditëve që të vijnë këtu dhe të gjejnë një strehë vorfnore që të mos i kapë ligji? Kujt t’ia dorëzoj mandatin, Taulant, Rilindjes, që të sillni këtu ndonjë kanabist? Ndonjë kanabist që i shpëton policisë me ndihmën tuaj? Me kë, pra, ta shkëmbej mandatin tim?” ishte përgjigjja e Blushit.
Ai i kujtoi Taulant Ballës edhe arsyen përse është ai që i del në mbrojtje Rilindjes: “Ka nja dy vjet që në PS bëhet një tender që vazhdon përditë. A e dini si quhet ky tender? Se çdo tender ka një kërkesë: “kush shan më shumë Blushin”. Dhe sigurisht Taulant, ti e ke fituar këtë tender vazhdimisht. Dhe unë të nxis ta vazhdosh dhe ta fitosh. Në fund sigurisht që ti do të jesh i pasur, por do jesh më shumë i shpifur”.
REPLIKAT BLUSHI – BALLA
BLUSHI: Dua të bej sot me dije një vendim që kam marrë bashkë me kolegen time te nderuar, zonjën Mimoza Hafizi. Nga sot zonja Hafizi dhe unë nuk do jemi më deputetë të Rilindjes.
Sot jemi të çliruar, si njerëz të lirë, të cilët kanë vendosur të ndahen nga e drejta e qeverisë për të qenë e padrejtë,nga tendenca e partive për të qenë private dhe nga vesi i ëshqiptare per të qenë e dëmshme.
Nëse doni një arsye po jua them: Ne vendosëm të largohemi nga një grup politik që zgjodhi të eliminojë zgjedhjet e lira. Ne nuk bashkëjetojmë dot në një parti që nuk do zgjedhje. Në fillim të këtij viti, për çudinë e gjithkujt, por jo tonën, Rilindja vendosi që në Partinë Socialiste të Shqipërisë të mos ketë më zgjedhje. Ky ishte një akt pushtimi, me të cilin as kemi rënë dakord dhe as do biem kurrë dakord, pasi konkurrencën e lirë të ideve e konsiderojmë themelin e një shoqërie të bazuar mbi lirinë dhe demokracinë.
Besoj se është rasti këtu të kujtoj se në mënyrë absurde Rilindja vendosi që njeriu që do drejtojë Partinë Socialiste të mos zgjidhet me vota, por me referendum, sikur të ishte një çështje dhe jo një njeri, çka duket sot edhe më qesharake në kushtet kur të njëjtit njerëz që zgjodhën kryetarin e tyre me referendum, i mohojnë referendumin gjithë shqiptarëve, të cilët nuk janë dakord me importimin e mbetjeve në vend.
Megjithatë nuk jemi as të fundit dhe as të parët, të cilëve u rastisi të hyjnë në një parti demokratike, e cila u kthye në një ndërmarrje private, që përveç pasurisë së ortakëve, nuk respekton asnjë normë tjetër.Partia Socialiste nuk është as i pari dhe as i fundit aset publik që blihet nga disa aksionerë për t’u administruar si një biznes privat.
Natyrisht ky privatizim është një nga arsyet për të ikur me vrap. Ne besojmë se partitë duhet të jenë publike dhe vendimet e tyre të merren në mënyrë kolegjiale. Çdo gjë tjetër është një sipërmarrje që i shërben interesit privat dhe jo atij publik. Megjithatë nuk është vetem kaq. Sigurisht që nuk është kaq pak.
Ne besojmë se Rilindja nuk ka mbrojtur asnjë ditë interesin publik, përkundrazi ka thelluar traditën e qeverisë së vjetër, duke mbështetur të pasurit kundër të varfërve, të fortët kundër të dobëtve, të ligjshmit kundër të paligjshmëve, duke nxitur kësisoj pabarazinë dhe polarizimin social, që është plaga më e thellë e një vendi, i cili po zhytet çdo ditë në depresion, në korrupsion dhe emigracion kronik, për shkak të qeverisjeve të dobëta dhe klienteliste.
A ka rast më tipik se sa vrasja e një fëmije që punonte në Sharrë, për bukën e gojës dhe për të cilin Rilindja nuk ka thënë qoftë edhe një ngushëllim, megjithëse ai humbi jetën duke punuar në një territor publik, për të cilin shteti ka përgjegjësi?
Shumë njerëz me siguri ikin nga Shqipëria për të shpëtuar fëmijet e tyre nga fati i Ardit Gjoklajt. Ne po bëjmë shumë me pak se ata: po ikim nga partia që nuk mbrojti Arditin, por vrasësit e tij. Çfarë duhej të na detyronte të bëheshim me pronarët kundër puntorëve? Asgjë, në asnjë rast! Ne zgjodhëm të mbrojmë Arditet, Rilindja zgjodhi të mbrojë importuesit dhe kjo na ndau.
Megjithatë nuk është vetëm kaq.
Ne besojmë se Rilindja ka ushqyer me qëllim banalizimin dhe vulgarizmin e politikës, duke sjellë në këtë parlament si dhe në administratën shtetërore njerez që më parë kishin vrarë, kishin dhunuar dhe kishin trafikuar, duke e kthyer banditizmin në një normë shoqërore dhe duke i krijuar vendit imazhin e një xhungle, ku fiton i forti dhe ku humb gjithmonë ai që respekton ligjin.
Rilindja e ktheu Shqipërinë në një ferr për të varfërit, në një burg për të mjerët dhe një parajsë për spekulantët, kriminelët dhe shkelësit e ligjit. Ndoshta edhe pak më shumë se kaq: Parlamentin e Shqipërise e ktheu në konviktin më të madh politik të atyre që kërkohen nga drejtësia ndërkombëtare dhe atyre që duan t’i shpëtojne drejtësisë shqiptare. Ne nuk duam të jemi bashkë me këta njerëz në një parti.Nuk kemi asnjë arsye të kthehemi në çadër të banditizmit që mbrohet nga shteti.
Ne largohemi sot si njerëz të lirë, të cilët besojnë se Rilindja i tradhëtoi me ndërgjegje të varfërit dhe shtresën e mesme të këtij vendi, duke marrë vazhdimisht masa që cënojnë jo vetëm besimin e tyre tek një rend demokratik, por duke i varfëruar ata edhe më shumë për shkak të masave represive, çnjerëzore, të cilat nuk ishin asnjë ditë reforma, por një eksperiment njerëzor që duhej të ushqente nënshtrimin para detyrimit dhe të testonte poshtërimin e dinjitetit në emër të delirit të pushtetit.
Rilindja beson se një vend duhet të ketë shumë të varfër dhe pak të pasur, kurse ne besojmë se një vend duhet të ketë sa më pak të varfër, në mënyrë që të ketë më shumë të pasur dhe në këtë çështje ndoshta nuk do jemi kurrë dakord. Rilindja ka zgjedhur të mbrojë pakicën, ne duam të mbrojmë shumicën. Ne jemi të bindur se Rilindja e cënoi me qëllim arsimin publik, duke lënë rrugëve mijëra fëmijë dhe studentë, në emër të të cilëve prindërit e tyre kishin paguar taksa për një të ardhme më të mirë se ajo që kishin patur.
Nëse një rregjim vendos t’i tradhëtoje qytetarët e vet, kete nuk e bën as tek ushqimi, as tek kurimi, as tek taksimi, as tek pensionimi, por tek arsimi. Ne këtë drejtim Rilindja është unike. Të gjitha qeveritë zakonisht tradhëtojnë të shkuarën. Rilindja ka vendosur të tradhëtoje të ardhmen, duke e nisur me arsimin, të cilin e degradoi krejtësisht. Kurrë një vend nuk ka prodhuar më tepër injorancë dhe mediokritet. Rilindja do mbahet mend si laboratori më i madh i injorancës në historinë e këtij vendi dhe nuk ka nevojë të shkojmë shumë larg: Shihni çfarë ka sjellë në parlament, për ta kuptuar dashurinë e Rilindjes për budallallëkun dhe injorancën.
A mund të bashkëjetonim ne në këto kushte? Pothuajse e pamundur dhe e panevojshme.
Ne jemi të bindur se Rilindja e ktheu në politikë shtetërore kanabizimin e vendit, duke shkatërruar ëndrrën e një vendi normal, që e bazon të ardhmen e vet mbi punën dhe meritën dhe jo mbi ekonominë e zezë, e cila po shton skllavërimin e të papunëve, po korrupton intistucionet dhe po ndez vatrat e konfliketeve hakmarrëse në mbrojtje të aktiviteteve ilegale.
Ne kemi qenë vazhdimisht kundër kanabizimit, por ai fitoi të drejtën e qytetarisë me shumicën e votave të Rilindjes dhe pa asnjë votë kundër. Kanabisi sot është e vetmja politikë ekonomike që Rlindja ka çuar deri ne fund me sukses të dukshëm dhe të merituar.
Vetem kaq do mjaftonte për të ikur nga Rilindja me vrap dhe nëse une kam një pendesë, është si nuk e kam bërë këtë më përpara. Nëse diçka më ka mbajtur, ka qenë nevoja për të kuptuar deri ne fund dëmin dhe peshën e tmerrshme mbi shoqërinë, por ndoshta dhe shpresa se diçka mund të ndryshojë.
Por sot nuk kam më shpresë dhe dua t’i them gjithë shqiptarëve që Rilindja është një fatkeqësi kombëtare, e cila duhet ndëshkuar me votë. Për këtë arsye kemi vendosur t’i bashkohemi me mijra shqiptarëve të tjerë, të cilët besojnë se vendi ka nevojë për një projekt të ri politik, i cili garanton barazi, drejtësi, mbrojtje të interesit publik dhe mbi të gjitha modesti. Ne besojmë me bindje se Shqipëria sot është më e gatshme se kurrë t’i bashkohet një iniciative politike, e cila ju jep mundesi njerëzve të zakonshëm ta drejtojnë Shqipërinë.
Dhe kjo është ajo që do bëjmë: një projekt për njerëzit e zakonshëm, të cilët nuk ndahen për shkak të pasurisë, por bashkohen për shkak të drejtësisë së bindjeve të tyre.
BALLA: Dy deputetë të grupit parlamentar të PS, me dëshirën e tyre vendosin të largohen nga grupi ynë parlamentar dhe unë në emër të grupit tonë parlamentar u uroj: udhë të mbarë. Shkofshi ku të doni. Madje po të doni hajdeni uluni edhe këtu, meqë Saliu dhe Jozefina nuk janë sot, mund të zini vendet e tyre. Një gjë në emër të grupit parlamentar po e them me shumë zemër. Unë nuk jam budist, jam myslyman, por sot po ju kujtoj vetëm një shprehje të Budës: mos u shqetëso kurrë nga sulmet që të vijnë nga i ligu, sepse janë si rëra e hedhur në erë, i shkojnë po të ligut.
Keni vendosur të ikni; rrugë të mbarë. Po ti që fole këtu nuk u solle kurrë si socialist. Asnjëherë. Edhe atë karrige që ke aty, e ke qyl. Sepse ke mandatin e socialistëve dhe ke për detyrë që mandatin e socialistëve ta respektosh deri në fund. Nuk e ke mandatin tënd.
Mandatin tënd provoje dhe merre në 2017. Mandatin e socialistëve o kthejua socialistëve, o mos e mbaj pandershmërisht. Ti ke braktisur socialistët në të gjitha betejat. Nuk ke bërë asnjë betejë me socialistët. Kur socialistët luftonin në 2009 për të ruajtur mandatet e socialistëve, ti nuk e kishe mendjen tek mandatet e socialistëve, sikur po bën edhe sot. Por e kishe mendjen se si të merrje partinë socialiste. Kur socialistët vriteshin në bulevard, ti flisje njëlloj si Saliu, njëlloj. Mua më vjen shumë keq, që një jet, një jet e një fmiu… është ndërprerë në mes. Jeta e Arditit.
Por ti nuk gjete asnjë minutë kohë që të flisje për katër socialistët e vrarë në bulevard. Ti që pretendon se përfaqës… përfaqëson socialistët dhe ne qenkemi Rilindja. Rilindja është Partia Socialiste e Shqipërisë. Ka marrë përsipër të rilindë Shqipërinë dhe po e rilind atë. Po ti, t’i ka zënë sytë urrrrejtja për Partinë Socialiste dhe për Edi Ramën dhe nuk sheh dot. Po të ishe, po të kish… po të kishin bërë ty ministër, Rilindja do të ishte shumë e mirë, socialistët do të ishin burrra dhe vajza të mira. S’u bëre ti ministër, socialistët dhe Rilindja nuk bëjnë.
Ti ke dy vjet që prisje t’t’hiqnim ne. Ne nuk të heqim. Sot ike vetë. Le të heci Beni vetë dhe ta provojë se sa, se sa të duan dhe të respektojnë shqiptarët. Sa për çështjet e performancës së qeverisë, bëre një gabim të madh që edhe kur fole për kanabisin fole si Saliu.
Ne nuk e kemi kanabizuar Shqipërinë. Përkundrazi, ministri i brendshëm ka bërë një punë të shkëlqyer, me ato përpjekje që ka pasur mundësi me policinë e shtetit për ta dekanabizuar… kanabizuar Shqipërinë. Sa ia kemi arrritur, ky është vetëm fillimi i proçesit. Por ti vetë ke pasur mundësinë të verifikosh se ç’punë të shkëlqyer ka bërë policia e shtetit.
Sa keq që sot edhe ato që ke thënë vetë me gojën tënde në këtë sallë i mohove për 5 minuta. Kjo nuk tregon që je serioz, kjo nuk tregon që ke një projekt serioz. Megjithatë udhë të mbarë paç. Në emër të grupit tonë parlamentar kërkojmë që socialistëve t’u kthesh mandatin që ua ke marrë padrejtësisht.
BLUSHI: Në dilemë jam në fakt, ta prish solemnitetin e kësaj dite, për aq sa mund të quhet solemne… duke u marrë me një rilindas. Ka nja dy vjet që në PS bëhet një tender që vazhdon përditë. A e dini si quhet ky tender? Se çdo tender ka një kërkesë: “kush shan më shumë Blushin”. Dhe sigurisht Taulant, ti e ke fituar këtë tender vazhdimisht. Dhe unë të nxis ta vazhdosh dhe ta fitosh. Në fund sigurisht që ti do të jesh i pasur, por do jesh më shumë i shpifur.
Por vazhdo merr pjesë në tender, ti dhe gjithë shokët e tu. T’ju them diçka. Padyshim, ikja nga një parti pas 20 vjetësh nuk është gjë që ndodh përditë dhe unë nuk hyj tek njerëzit që kanë shumë keqardhje për atë që ikën. Kam më shumë keqardhje për atë që vjen.
Dhe nisur nga keqardhja për atë që vjen, vendosa të iki. Por padyshim, duke e pasur dilemën se çfarë bëhet me mandatin tim, në kushte normale do ua kisha dhënë. Absolutisht!
Po, ç’e dua unë këtë mandat? Padyshim do ua kisha dhënë, në qoftë se do besoja me të vërtetë që mandate im do të mund të vlente për ndonjë gjë. Por pyetja që kam për ju sot dhe për të gjithë shqiptarët: kujt t’ia jap këtë mandat, Elvis Roshit, Armandos, Arben Ndokës? Kujt t’ia jap këtë mandat? Banditëve që të vijnë këtu dhe të gjejnë një strehë vorfnore që të mos i kapë ligji? Kujt t’ia dorëzoj mandatin, Taulant, Rilindjes, që të sillni këtu ndonjë kanabist? Ndonjë kanabist që i shpëton policisë me ndihmën tuaj? Me kë, pra, ta shkëmbej mandatin tim? Përkundrazi, përkundrazi, si njeri i cili nuk po shkon, siç është bërë zakon në këtë parlament prej 25 vjetësh… keni parë ndonjë njeri që shkon nga pushteti në opozitë? Përkundrazi.
Po qeverisni me dy parti që ishin me Saliun dhe janë sot me ju dhe do jenë prapë me Saliun pas 2 vjetësh apo 10 vjetësh, nuk ka rëndësi. Ne po shkojmë për nderin tonë, nga pushteti në opozitë. Por jo në opozitë me këta (PD), sepse këta janë në pushtet me ju. PD dhe Rilindja janë në pushtet, të dyja bashkë.
Ne po shkojnë në opozitë me mashtrimin elektoral, i cili voton për të hequr mbetjet dhe importon mbetjet. Ne po shkojmë më opozitë me mashtrimin që thotë që, e hoqëm Lazaratin, por e mbollëm çdo cep të Shqipërisë si politikë ekonomike shtetërore e përcaktuar.
Ne po shkojmë në opozitë me të gjithë ata që e rritën e varfërinë dhe e rritën mjerimin në 3 vjet, duke marrë 1 miliardë e gjysëm borxh për arsye që sot nuk dihen dhe për të furnizuar feudalët e Rilindjes nga Elbasani në Durrë, në Dibër dhe në të gjithë Shqipërinë, për ta mbushur Shqipërinë me pllaka majolike. Për këto i keni harxhuar 1 miliardë e gjysmë euro.
E si mund ta pranoja unë këtë gjë? Jam në opozitë me këtë, pra. Jam në opozitë me çdo mashtrim, me kanabizimin e vendit, me degradimin e arsimit, të gjitha gjëra që i përfaqësoni ju pikë për pikë. Më përmende ti mua 21 janarin këtu. Kam folur shumë për 21 janarin, por po ua them dy fjalë juve që nuk keni guxim të mbroni Arditin. Nuk keni guxim të mbroni Arditin, sepse ajo që ndodhi në Sharrë është 21 janari i mbetjeve, i mbetjeve të riciklueshme politike.
Çfarë ndodhi më 21 janar? Ju qe keni kurajon të ma thoni mua. I vrau Saliu, por i çuat ju në pritë. I çuat ju në pritë dhe keni 3 vjet që keni ardhur në pushtet, ju që qanit për 21 janarin dhe nuk patët guxim të bënit një gjyq për ata. Nuk patët guxim të vinit drejtësi për ata. Kush i çoi në pritë ata, Taulant? E kam thënë të nesërmen e 21 janarit; unë nuk mund të marr pjesë kurrë në një miting që e thërras vetë, por vetë rri në shtëpi, vetë fshihem në zyrë, vetë fshihem poshtë Lanës, kurse njerëzit që unë thërras i çoj në pritë që t’i vrasin, duke e ditur që do t’i vrasin. Kush e ka bërë këtë? Kujt i rëndon kjo? Mua jo! Mua jo! Kam qenë kundër jush atëherë.
Për çfarë kam qenë kundër jush? Ju thashë që të mos bojkotojmë parlamentin se nuk vlen. A e di çfarë ndodhi? Këta që ishin në pushtet, hoqën rrogët tuaja, edhe timen sigurisht, për 6 muaj. E di çfarë keni bërë, ju që ishit më fanatikët për të bojkotuar? Dhe unë që thoja të shkojmë në parlament se aty bëhet politika. Keni shkuar dhe keni marrë rrogat, pafytyrësisht. Kur njeriu bën një akt moral, nuk shkon të marrë pagesën për atë që ka bërë. Keni shkuar të gjithë në gjyq, duke marrë nga 6 milionë e nga 10 milionë lekë rroga të prapambetura. Për çfarë? Për një bojkot që e kishit bërë me ndërgjegje?
Kam shumë vjet që ua them këto. Dhe për fatin tim të keq, por edhe për fatin tuaj të keq, por për fatin e mirë të Shqipërisë, shumica e gjërave që kam thënë po dalin. Nuk ka kalbëzim më të madh moral se ai që përfaqëson Rilindja.
Dhe ligji i mbetjeve ishte i fundit, ishte i fundit me të cilin të gjithë u bindën se çfarë ndërmarrje private jeni kthyer. Unë nuk kam arsye të jem një aksioner në një ndërmarrje private, aq më pak një punëtor. Unë nuk mund të jem një punëtor si ju. Më vjen keq për shumë prej jush. E bëni se doni një punë, se mendoni që parlamenti është një burokraci që mund ta hapësh në ora 8 dhe mund ta mbyllësh në ora 3. Keni fëmijë në punë.
Po nder a keni ju? Çfarë nderi keni ju kur pranoni se në Partinë Socialiste nuk ka zgjedhje? Keni votuar të gjithë pa përjashtim. Më thoni një që ka votuar kundër. Çfarë nderi keni ju që votuar vetëm dy vjet përpara për të hequr mbetjet nga Shqipëria, të gjithë pro. Si ka mundësi? Dhe pyetja që kanë shqiptarët nuk është pse e bëj unë këtë gjë, nuk është kjo. Pyetja që kanë shqiptarët është: pse vetëm unë edhe Moza? Pse vetëm ne? E dini pse?
Se jemi njerëz të lirë!
Nuk vijmë në punë në parlament, vijmë për të folur. Nuk vijmë për të marrë një rrogë, vijmë për të bindur njerëzit. Dhe sigurisht vijmë për të qenë në opozitë me të gjithë ju, edhe me të gjithë këta, deri ditën e fundit që do të jemi këtu.
Dhe kjo është arsyeja që do t’i hyjmë një projekti politik, i cili padyshim, nuk do të jetë kaq i pasur sa ju, nuk do të harxhojë më shumë lek sesa harxhoni ju për të bërë fotografi në Instagram, por sigurisht do të jetë një projekt i njerëzve të zakonshëm. Çfarë ka në këtë parlament që nuk shkon? Ka tre parti të të pasurve, PD, PS, LSI – Rilindje janë të gjithë bashkë. Çfarë bëjnë këta këtu? Mbrojnë çdo ditë interesat e të pasurve. Prandaj u votua ligji i mbetjeve. Prandaj iku Arditi nga kjo jetë, se ishte i varfër dhe nuk ka guxim njeri ta mbrojë. Dhe thonë që, e vranë jashtë kampit, jashtë territorit publik. Po për çfarë do të vrisnin një fëmijë 17 vjeç? Kishte hakmarrje me dikë ai i shkretë? Babain polic. Si ka mundësi…askush nga ju nuk mbrojti. Nuk kërkoi njeri të mbronte, se nuk ke ç’i mbron një njeriu që iku, për fat të keq. Të thonit një fjalë të mirë. Unë nuk mund të jem më me ju.
Ndërhyn Valentina Leskaj: Zoti Blushi do të ndërpriteni sepse…
BLUSHI: Ju përçmoj!
LESKAJ: Zoti Blushi!
BLUSHI: Për fatin tim të keq, ju përçmoj! Dhe jam i bindur që do të binden të gjithë shqiptarët se jeni një kastë e përçmueshme dhe e padurueshme që veçse po i shkaktoni dëme këtij vendi. Kështu që, kush do që të marrë mandatin tim, të vijë dhe të më bindë që mund të marrë secili prej jush, ti që fole këtu (i drejtohet Ballës), një votë më shumë se unë. Jam gati të dal me secilin prej jush, kur të doni, ku të doni. Edhe aty ku shkon ti e mbush me pllaka majolike qytetin tënd. Ku të doni! Dikush që merr një votë më shumë se unë, jashtë siglës së partisë, do t’ia fal mandatin dhe padyshim do të vij të punoj gratis për ju.
LESKAJ: Atëherë, të ndëruar kolegë deputetë, duhet të ndërpresim për 5 minuta seancën, në përgatitje për ardhjen…
Ndërhyn Taulant Balla… (nuk dëgjohet)
LESKAJ: Një minutë se është me orar. Do të vazhdojë seanca… Zonja Boldrini është duke ardhur.
BALLA: Mirë zonja Leskaj.
LESKAJ: Nuk mund të presë në oborr sa të mbarojmë ne…
BALLA: Faleminderit zonja Leskaj. Edhe në parlamentet e tjera qëllon që mund të presin edhe miqtë.
LESKAJ: Të lutem sa më shkurt, që…
BALLA: Faleminderit. Nuk do flas gjatë. E thash fjalën time. Ajo që të sugjeroj, miqësisht tani, është që të paktën ndrysho gjuhën. Mos fol si Luli, fol ndryshe. Se të nisesh të bësh një projekt të ri politik dhe të flasësh si Luli, nuk është projekt i ri politik, është projekti më i shëmtuar dhe më i pashpresë. Sa për marrëdhënien me votuesit dhe për fuqinë tënde frymëzuese, të them diçka që është shumë e thjeshtë. Mua më vjen mirë që largohen deputetët turista, deputetët që marrin mandatin dhe nuk shkojnë më asnjë ditë tek ata njerëz që i kanë votuar. Nuk shkojnë asnjë ditë, nuk kanë asnjë marrëdhënie me njerëzit që i kanë sjellë në parlament. Dhe këto projekte politike të atyre që zgjedhjet i quajnë krim, shkojnë e bëjnë krimin e radhës, gënjeshtrën e radhës dhe nuk duken më asnjë ditë në zonën e tyre elektorale, shqyr Zotit po merr fund. Faleminderit!