Nga BoldNews.al
Një ndër gjyqtarët shqiptarë, që vijon të jetë ende në detyrë, nuk e ka aspak problem të “ankohet” për fatin e tij të keq, që në procesin e Vetingut në shkallën e parë nuk kishte pjesë të trupës gjykuese komisioneren Xhensila Pine.
Gjyqtari, i cili preferon të mos i përmendet emri publikisht, është në pritje të procesit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pasi Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi vendimin e konfirmimit në detyrë nga shkalla e parë e Vetingut.
“Nëse do të kisha në trupë gjyqtaren Pine, me shumë mundësi, Ballhysa nuk do të ankimonte vendimin tim dhe unë do të vijoja karrierën i qetë, pasi hetimi administrativ provoi se isha i përshtatshëm për të vijuar detyrën”, thotë gjyqtari për “Boldnews.al”.
Ai hedh dyshime për një lloj “aleance fluide” mes anëtares së trupës së Vetingut dhe Komisionerit Publik.
I vetmi rast, kur Ballhysa, i mbështetur edhe nga kolegu i tij, Darjel Sina, dolën kundër komisioneres Pine, lidhet me gjyqtaren e Apelit të Tiranës, Edlira Petri, e cila është njëkohësisht edhe bashkëshortja e kryetarit në detyrë të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Komisionerja Pine, në cilësinë e gjyqtares në pakicë, kërkoi shkarkimin nga detyra të Edlira Petrit për shkak të problemeve me pasurinë të bashkëshortit të saj, Sadushi.
Por, Komisionerët Publikë, Ballhysa dhe Sina, vendosën të mos e ankimojnë vendimin e Komisionit të Vetingut për konfirmimin e Petrit.
Rasti “Petri” shënon të vetmen “pikë thyerjeje” mes anëtarëve të Vetingut, Florian Ballhysa dhe Xhensila Pine.
Ndërsa, në të gjithë rastet e tjera, duket se pretendimi i gjyqtarit që bisedoi me “Boldnews.al” dhe që preferoi të mbetej anonim, për një “aleancë fluide” Ballhysa-Pine, duket se qëndrojnë.
“Aleanca fluide”
“Boldnews.al” verifikoi të dhënat e sugjeruara nga gjyqtari bashkëbisedues dhe, në fakt rezultoi se Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, nuk kishte cënuar asnjëherë vendimmarrjen e trupave të Vetingut, kur në to ishte pjesë komisionerja Xhensila Pine.
Në bazë të të dhënave zyrtare, rezulton se Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, ka ankimuar 18 vendime të shkallës së parë të Vetingut, në të cilat janë konfirmuar në detyrë gjyqtarë dhe prokurorë të ndryshëm.
Në 17 prej tyre, komisionerja Xhensila Pine nuk ishte pjesë e trupave gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Vetëm në njërin prej vendimeve të ankimuar nga komisioneri Ballhysa, komisionerja Pine ishte pjesë e trupës gjykuese.
Por, edhe në atë rast, Pine ishte në pakicë dhe kërkonte shkarkimin e subjektit të rivlerësimit, të njëjtën gjë që kërkoi më tej edhe Komisioneri Publik, Florian Ballhysa.
Pra, edhe në atë rast, dyshja e komisionerëve Ballhysa-Pine ishte në të njëjtën linjë.
Ankimimet
Në aktivitetin 3-vjeçar të institucionit të Komisionerëve Publikë, Florian Ballhysa ka ankimuar konfirmimin në detyrë të 10 gjyqtarëve dhe 8 prokurorëve.
Ish-kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori dhe anëtari tjetër i saj, Edmond Islamaj, u shkarkuan nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pas ankimeve të nënshkruara nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa.
Lista e të shkarkuarve, pas ankimeve të Ballhysës, vijon me gjyqtarët Astrit Faqolli dhe Regleta Panajoti, si edhe prokurorët-anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani dhe Arben Dollapaj .
Ndërkohë, Komisioneri Ballhysa u tërhoq nga kërkesa për shkarkim e prokurores së Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Manjola Kajana, si edhe nga ankimi për dy gjyqtarë të tjerë, Nertina Kosova dhe Gentian Medja.
Gjyqtari Medja u konfirmua nga një trupë e shkallës së parë, në të cilën komisionerja Xhensila Pine ishte në pakicë.
Komisioneri Ballhysa, fillimisht, mbështeti kërkesën e Pines për shkarkim gjyqtarit Medja, por u tërhoq në përfundim të procesit në Kolegji i Posaçëm të Apelimit (KPA).
Në vijim, KPA po shqyrton ose pritet të shqyrtojë ankimet e Komisionerit Publik, Florian Ballhysa për 4 gjyqtarë dhe 5 prokurorë.
Deri në këtë moment, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka në zhvillim seancën për ish-drejtuesen e Krimeve të Rënda, Donika Prela.
Ndërkohë, janë në pritje të seancave në shkallën e dytë të Vetingut, pas ankimeve të Ballhysës, gjyqtarët Kastriot Selita, Ramiz Lala, Astrit Kalaja dhe Etleva Dedja, si edhe prokurorët Petrit Çano, Artan Madani, Anton Martini dhe Ludovik Dodaj.
Përveç gjyqtarit Medja, asnjë prej 17 subjekteve të tjerë, të ankimuar nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, nuk ka pasur Xhensila Pinen në trupën gjykuese të shkallës së parë.