Personat e shëruar nga Covid-19 mund ta humbasin imunitetin e tyre brenda disa muajve, dhe koronavirusi mund të riinfektojë qytetarët vit pas viti, ashtu si gripi i zakonshëm.
Në studimin e parë afatgjatë të këtij lloji, shkencëtarët britanikë analizuan përgjigjen imunitare të më shumë se 90 pacientëve dhe punonjësve të shëndetësisë në fondacionin “Guy’s dhe St.Thomas”.
Ata zbuluan se nivelet e antitrupave që mund të shkatërrojnë virusin arrinin kulmin tri javë pas shfaqjes së simptomave, por më pas dobësoheshin me shpejtësi.
Testet e gjakut treguan se ndërsa 60% e të prekurve zhvillonin një kundërpërgjigje të fortë imunitare në kulmin e betejës me virusin, vetëm 17% e tyre e ruanin të njëjtën fuqi, 3 muaj më vonë.
Nivelet e antitrupave ranë me deri në 23-fish, përgjatë kësaj periudhe, e në disa raste nuk ekzistonin më.
“Njerëzit po prodhojnë një reagim të konsiderueshëm imunitar ndaj virusit, por ai dobësohet përgjatë një kohe të shkurtër”, tha Katie Doores, autore e studimit.
Zbulimet e studimit kanë ndikim te zhvillimi i vaksinës dhe gjurmimin e të ashtuquajturit imuniteti i masës përgjatë kohës. Sistemi imunitar ka disa mënyra për të luftuar koronavirusin por nëse antitrupat janë mënyra kryesore e mbrojtjes, gjetjet e studimit sugjerojnë se qytetarët mund të riinfektohen përgjatë valëve sezonale dhe se vaksinat mund të mos i mbrojnë për shumë kohë.
Sipas shkencëtarëve kjo nënkupton se edhe në rastin se vaksina do të ishte efikase, një dozë nuk do të jetë e mjaftueshme dhe se do të duhej përsëritja e saj kohë pas kohe.
Studimi i “King’s College” në Londër është i pari që monitoron nivelet e antitrupave në pacientë dhe punonjës të spitaleve përgjatë 3 muajve pas shfaqjes së simptomave të para.