Bashkia e Tiranës ka hartuar projektvendimin që t’i kalojë pa kundërshpërblim shoqërisë “Eco Tirana” Parkun e Transporteve në rrugën “Don Bosko”, me një sipërfaqe toke prej rreth 22 mijë metra katror.
Kjo sipërfaqe, që deri tani ishte në pronësi të Bashkisë Tiranë, i jepet me qëllim ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për ushtrimin e funksioneve të shoqërisë “Eco Tirana sha”, shoqërisë së krijuar në maj nga Bashkia për menaxhimin e mbeturinave dhe ku Bashkia ka 51% të aksioneve. Afati i përdorimit do të jetë 25 vjet.
Në relacionin shpjegues thuhet:
“Shërbimi i pastrimit të qytetit të Tiranës përbën një nga elementët më të rëndësishëm në detyrimet që Bashkia e Tiranës ka ndaj qytetarëve të saj dhe qytetit. Nisur nga kërkesat në rritje konstatohet se shërbimi i pastrimit të qytetit ka nevojë të ristrukturohet në funksion të përmirësimit të treguesve higjeno sanitar dhe të përmirësimit të impaktit që ai ka në mjedisin e qytetit. Bazuar në situatën e re të ridimensionimit të funksioneve dhe prioriteteve të Bashkisë Tiranë u konsiderua e nevojshme pjesmarrja e Bashkisë Tiranë në shoqërinë Eco Tirana sha, shoqëri kjo e cila ndër të tjera ka në objekt të saj edhe mbledhjen dhe transportin e mbetjeve dhe të materialeve që rrjedhin prej tyre, duke përfshirë grumbullimin e diferencuar të tyre dhe pastrimin e hapësirave publike.
Parku i Transportit Tiranë është aktualisht në një gjendje të amortizuar dhe kalimi i tij në përdorim të Shoqërisë Eco Tirana sha do t’i jepte mundësi për mirëmbajtjen si dhe ridimensionimin dhe shfrytëzimin maksimal të saj në funksion të së mirës së përgjithshme të qytetit të Tiranës.
Duke qenë se për shkak të natyrës së veprimtarisë së Eco Tirana si dhe duke marrë shkas nevojën emergjente për përmirësimin e mënyrës së ushtrimit të funksionit të pastrimit të qytetit, propozohet t’i kalohet shoqërisë Eco Tirana me të drejtë investimi dhe ri-investimi për një afat 25 vjeçar. Duke qenë se kjo pasuri ka nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme dhe duke qenë se është në pronësi të Bashkisë Tiranë, e cila është aksionere në këtë shoqëri, zhvillimi i saj konsiderohet të jetë më i mirë dhe më efikas për përdorimin e shoqërisë Eco Tirana.
Dhënia në përdorim e pasurisë me emërtimin Parku i Transportit Tiranë konsiderohet se do të ndikojë në mirëmbajtjen e pasurisë së sipërpërmendur; vjen si rrjedhjë e nevojës së Bashkisë së Tiranës dhe e gjithë qytetit; si dhe do të ketë ndikim pozitiv në mundësimin e ushtrimit të funksioneve të saj në fushën e pastrimit të qytetit dhe në një ‘start up’ sa më efikas dhe të shpejtë të shoqërisë Eco Tirana, në të cilën Bashkia Tiranë është aksioneve me 51%”, thuhet në relacionin e Bashkisë.
Përveç funksioneve të mësipërme të përmendura në relacion, Eco Tirana, sipas dokumentit të saj themelues, depozituar në Qendrën Kombëtare të Binzesit ka si funksione edhe: ndërtimin dhe manaxhimin, edhe për llogari të palëve të treta, të impianteve për rikuperimin, riciklimin, trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve, rehabilitimin e zonave nga substancat ndotëse, veprimtari të riparimit të automjeteve, elektroauto, llamarinist, gomist, xhenerik dhe motorist.
Në relacion nuk sqarohet nëse kompania, -e cila ndër të tjera ka në objekt të saj edhe mbledhjen dhe transportin e mbetjeve dhe të materialeve që rrjedhin prej tyre, duke përfshirë grumbullimin e diferencuar të tyre, – do t’i ushtrojë këto funksione në hapësirën prej rreth 22 mijë metra katror që po merr në përdorim nga Bashkia Tiranë, apo nëse do të mund të ndërtojë aty ndonjë impiant riciklimi.
Ky vendim i Bashkisë Tiranë vjen në kulmin e debatit që ka ngjallur vendimi i fundit i qeverisë për rilejimin e importit të plehrave, që ka hasur në kundërshtimin e ambientalistëve dhe shoqërisë civile.
Cila është Eco Tirana dhe lidhja me Bashkinë e Veronës
Në datën 22 qershor 2016, në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), u regjistrua kompania publike “Eco Tirana”, e cila përbëhet nga një kapital aksioner i përbashkët mes Bashkisë së Veronës dhe asaj të Tiranës. 49% të këtyre aksioneve janë në pronësi të Holding AGSM Albania, 51% e ka në pronësi bashkia e kryeqytetit. Në bordin e kompanisë po ashtu ka anëtarë të cilët janë marrë nga kompania publike që pastron qytetin e Veronës.
Emra si Giampaolo Tessari, Andrea Miglioranzi, Diego Testi, Fabio Venturi, Maurizio Alfeo figurojnë në dokumentet e regjistrimit të firmës si administratorë apo anëtarë të bordit mbikëqyrës, të cilët pasohen nga emra të njohur në menaxhimin e Bashkisë së Tiranës, duke nisur me Taulant Tushën, Dorjan Shehun, Jonida Halilin dhe Arbjan Maznikun. Afati për të mbajtur këto poste në kompaninë joint-venture është 3 vjet për secilin dhe qëllimi i krijimit të saj është i shprehur qartë në dokumentet që dy bashkitë kanë depozituar në QKB.
“Menaxhimi i shërbimeve mjedisore, duke përfshirë por pa u kufizuar në: mbledhjen, transportin, ndërmjetësimin dhe tregtimin e mbetjeve dhe të materialeve që rrjedhin prej tyre, duke përfshirë edhe grumbullimin e diferencuar të tyre, si dhe pastrimin e hapësirave publike, ndërtimin dhe manaxhimin, edhe për llogari të palëve të treta, të impianteve për rikuperimin, riciklimin, trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve, rehabilitimin e zonave nga substancat ndotëse, veprimtari të riparimit të automjeteve, elektroauto, llamarinist, gomist, xhenerik dhe motorrist”, thuhet në përshkrimin e objektit të aktivitetit të “Eco Tirana”.
Por, megjithatë, edhe pse në thelb të saj kompania është publike, 49% e aksioneve janë në pronësi të “Holding AGSM Albania” (kjo e fundit është në pronësi 75% nga AGSM Verona dhe 25% nga Amia Verona), fakt që nuk përjashton marrjen sërish të operatorëve privatë në menaxhimin e saj.
Në 18 muajt e parë të saj, ose në harkun kohor të një viti e gjysmë, ndërmarrja “Eco Tirana” do të menaxhojë një fond prej 2.5 milionë eurosh, ku 10% e këtij fondi do të shtohet për të mundësuar mbledhjen e diferencuar të mbetjeve. Zona ku do të punohet fillimisht nga kjo kompani njihet si zona e kuqe, që është pjesa e qendrës dhe Tiranës së Re.
“Monitor” ka siguruar planin e biznesit të saj. “Në përfundim të kësaj periudhe, menaxhimi i shërbimeve dhe mbledhja e diferencuar do të zgjerohen automatikisht deri në përfshirjen e të gjithë territorit të Bashkisë së Tiranës, ku përfshihet territori i bashkisë përpara reformës territoriale. Nga 1 qershori 2017, zona zgjerohet në 50% të territorit që mbetet dhe nga 1 qershori 2018 do të mbulojë të gjithë territorin si më sipër”, – thuhet në planin e biznesit të “Eco Tirana”. Për më shumë info mbi planin e biznesit të saj lexo: http://www.monitor.al/fillon-krijimi-monopoleve-shteterore-3/