Është vendosur një rekord i ri i shifrave ditore me koronavirus në vendin tonë. MSH konfirmoi se nga 362 testime të realizuara gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 57 persona.
Numri më i lartë për sot është shënuar në Kruja me 16 të prekur që lidhen me aktivitete biznesi dhe kontakte të tyre, e ndjekur nga Tirana me 14 raste, 9 në Vlorë, 8 në Shkodër, 6 në Lushnje, 2 në Pukë, 1 në Durrës, 1 në Fier. Ndërkohë që mësohet se janë në hetim shumë raste të reja në Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Krujë.
Betejën me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit e kanë fituar dhe 5 pacientë të tjerë, duke e çuar në 1044 numrin total të të shëruarëve në vendin tonë.
Mësohet se në spitalin infektiv aktualisht po marrin shërbim 47 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive dhe një i intubuar. Ndërsa në total janë aktualisht 441 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.
Nisur nga fakti se po zbulohen raste pozitive në disa ndërmarrje, subjekte tregtare apo institucione të ndryshme publike dhe private, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon bizneset, institucionet, kompanitë, kudo ku është e mundur puna nga shtëpia, të nxisin këtë mënyrë alternative për të frenuar përhapjen e Covid19. Çdo rast i identifikuar, qoftë edhe pa shenja, duhet të izolohet dhe se thyerja e karantinës është e dënueshme pasi rrezikon shëndetin e qytetarëve. Me organet e rendit po intensifikohet puna për të garantuar respektimin e karantinës së detyrueshme për përsonat e prekur nga Covid19.
Një kujtesë edhe për subjektet tregtare të shërbimit: maska apo barrierat mbrojtëse janë të detyrueshme dhe çdo shkelje do të dënohet sipas ligjt në fuqi.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kërkon edhe njëherë ndërgjegjësim nga vetë bizneset dhe qytetarët të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të distancimit fizik dhe higjienës personale. Inspektoret e task-forcës anti-covid do të ndëshkojnë çdo subjekt që thyen rregullat e vendosura.
COVID-19 – Statistika (14 Qershor 2020)
Testime totale 20494
Raste pozitive 1521
Raste të shëruara 1044
Raste Aktive 441
Humbje jete 36 (Qarku Tiranë 21, Durrës 7, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 230
Krujë 55
Shkodër 53
Kamëz 26
Durrës 20
Vlorë 15
Lushnje 12
Pukë 11
Elbasan 4
Fier 4
Lezhë 3
Tropojë 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1
Berat 1
Ura Vajgurore 1
Gjirokastër 1.