Presidenti Ilir Meta, ka reaguar lidhur me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për lirinë e besimit. Kreu i Shtetit apelon që të gjitha shqetësimet e ngritura në raportin e DASH të vlerësohen me përparësi nga autoritetet përgjegjëse shtetërore dhe të marrin zgjidhje ligjore pa zvarritje të mëtejshme.
“E përshëndes raportin realist të DASH mbi liritë e besimit 2019 për Shqipërinë, dhe e çmoj me rëndësi të madhe vlerësimin për harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare në vendin tonë.
Ndaj të njëjtat konkluzione me gjetjet e raportit, ku evidentohen shqetësimet e komuniteteve fetare për moskthimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist, si dhe vështirësitë për marrjen e lejeve nga disa autoritete lokale për ndërtimin e institucioneve të kultit.
Apeloj që të gjitha shqetësimet e ngritura në raportin e DASH, veçanërisht lidhur me trajtimin e pronave dhe pengesat administrative e burokratike të vlerësohen me përparësi nga autoritetet përgjegjëse shtetërore dhe të marrin zgjidhje ligjore pa zvarritje të mëtejshme.
Ky proces, do të ndikonte në forcimin e pavarësisë të komuniteteve fetare dhe do t’i mbante ato larg ndikimive të huaja, që synojnë dëmtimin e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare.
Duhet një reagim energjik dhe i sinqertë, institucional shtetëror për të zgjidhur përfundimisht çështjen e pronës së komuniteteve fetare duke u dhënë fund praktikave burokratike dhe korruptive”, shprehet Meta.
Shqipëria
Raporti sërish nënvizon se kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e besimit. Ajo përcakton se nuk ka një fe zyrtare, thotë se shteti është neutral në çështjet e besimit, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare dhe ndalon diskriminimin në baza fetare.
Qeveria ka marrëveshje të veçanta me komunitetet fetare dhe ligji përcakton që qeveria do të japë mbështetje financiare për to. Por marrëveshja e qeverisë me Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare (VUSH) sipas ligjit nuk e përcakton në mënyrë të qartë atë që të marrë një mbështetje të tillë, dhe me gjithë raportimin e VUSH-it qeveria nuk ndau fonde.
Qeveria, thuhet në raport, legalizoi gjatë vitit 135 ndërtesa, pronë e grupeve fetare, ndryshe nga viti 2018 kur ishin legalizuar 105 syresh, ndërsa statusi i 11 pronave të tjera është në shqyrtim e sipër.
Agjencia e Trajtimit te Pronave (ATP), tha në muajin shkurt se ka refuzuar 150 pretendime ndërsa ligji përcaktoi se ATP duhet të dërgojë 410 çështje të mbetura pezull në sistemin gjyqësor.
Komuniteti Islamik i Shqipërisë dhe ai Bektashi ngritën shqetësime në lidhje me ri ngritjen e kërkesave të tyre në sistemin gjyqësor si dhe raportuan probleme për statusin e pronave të caktuara. Drejtuesit e VUSH-it vazhduan të raportojnë vështirësi në blerjen e tokës për ndërtimin e vendeve të adhurimit dhe problemet në lidhje me tarifat e qeverisë komunale.
Komuniteti Islamik tha se nuk ka siguruar leje për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit Beder, një kërkesë e shtruar në vitin 2018, ndonëse Universiteti Beder ka siguruar akreditimin për pesë vjet të tjera në muajin nëntor.
Ky komunitet tha se qeveria nuk i njeh diplomat e lëshuara nga institucionet e huaja për teologji dhe studime fetare. Këshilli i Ministrave, nuk i ka miratuar rregulloret që do të mbështesnin zbatimin e një ligji të vitit 2017 mbi të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare, duke përfshirë lirinë fetare, thuhet në raport.
Gjatë protestave antiqeveritare, udhëheqësit fetarë lëshuan deklarata që dënonin dhunën dhe bënin thirrje për qetësi dhe dialog. Këshilli Ndërfetar nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Qendrën Shqiptare për bashkërendimin kundër ekstremizmit të dhunshëm në muajin maj për të forcuar bashkëpunimin në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe monitorimin e teksteve shkollore për të nënvizuar deklaratat çorientuese për besimin, thuhet në raport.
Më tej përmendet fakti se më 2 mars 2019, Komuniteti Islamik zgjodhi Bujar Spahiun kryetar të ri me mandat 5 vjeçar, në një konkurs që nxiti komente në media në lidhje me kandidatët, pretendimet për ndikime të huaja dhe shqetësime për procesin.
Zyrtarët e ambasadës amerikane u kërkuan sërish zyrtarëve qeveritarë që të përshpejtojnë procesin e shqyrtimit të kërkesave për pronat dhe t’u kthejnë grupeve fetare ndërtesat dhe pronat tjera të konfiskuara gjatë epokës komuniste. Ata gjithashtu i kërkuan qeverisë të njohë diplomat e lëshuara nga universitetet e huaja.
Programet e mbështetura nga ambasada amerikane u përqendruan në nxitjen e fuqizimit të grave në bashkësitë fetare dhe pajtueshmërinë e besimit fetar dhe demokracisë. Ambasada vazhdoi punën e saj me komunitetet fetare për të dekurajuar thirrjet ekstremistëve të dhunshëm të lidhur me fenë midis të rinjve. Në gusht një zyrtar i Departamentit të Shtetit u takua me drejtuesit e bashkësive fetare, Komitetin Shtetëror për besimet dhe zyrtarë të ministrisë së Arsimit për të diskutuar marrëdhëniet ndërmjet bashkësive fetare dhe përpjekjet për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin.
Qeveria amerikane vlerëson se nga 3.1 milionë sa është popullsia në Shqipëri, sipas regjistrimit të vitit 2011 myslimanët suni përbëjnë 57 për qind të popullsisë, katolikët 10 për qind, ortodoksët afro 7 për qind dhe bektashinjtë 2 për qind. Rreth 20 për qind kanë refuzuar të përgjigjen rreth përkatësisë së tyre fetare. Regjistrimi i ardhshëm bëhet në vitin 2021.
Shkollat publike janë sekulare, thuhet në raport, ndërsa shkollat private mund të ofrojnë mësime fetare. Bashkësitë fetare drejtojnë 114 institucione arsimore përfshirë universitete, shkolla fillore e të mesme, institucione parashkollore, kopshte, shkolla profesionale dhe jetimore. Shumica e tyre nuk kanë lëndë të detyrueshme të fesë, por i ofrojnë ato si zgjedhore
Qeveria ka vazhduar procesin e legalizimit të xhamive jozyrtare, kishave katolike e ortodokse dhe teqeve te bektashinjve të ndërtuara gjatë viteve të 90-ta. Agjencia e legalizimeve tha se deri në muajin shtator legalizoi 135 ndërtesa fetare, përfshirë 4 kisha katolike, 71 xhami, 12 kisha ortodokse dhe 48 teqe.
Komunitetet katolike, islame dhe ortodokse thonë se mbështetja financiare nga qeveria është 109 milion lek, afërisht 1.2 milion dollarë, njësoj që nga viti 2015.
Komisioni Shtetëror për Regjistrimin organizatave fetare, numëroi 611 grupe, duke përfshirë 248 fondacione, 323 Organizata Joqeveritare dhe 40 qendra që lidhen me besimet.
Në qershor, zyra e Presidentit dhe ambasada e Holandës, organizuan një konferencë ndërkombëtare mbi dialogun ndërfetar në Tiranë që trajtoi harmoninë ndërfetare si një faktor për qëndrueshmërinë shoqërore dhe politikat për menaxhimin e larushisë fetare. Në fjalën e tij, presidenti Ilir Meta tha se ai ishte krenar me “bashkëjetesën dhe harmoninë e bashkësive fetare”.
Në konferencën rajonale të muajit nëntori për avancimin e lirisë fetare, ambasadori amerikan për Liritë Fetare, u foli pjesëmarrësve për besimin si një mjet pajtimi, dha intervista për rëndësinë e lirisë fetare në Shqipëri dhe vizitoi vendet fetare në pjesën veriore të vendit së bashku me drejtuesit e bashkësive fetare të vendit.