Kopshtet dhe çerdhet do të rihapin dyert për vogëlushët nga e hëna 1 qershor. Prindërit që do të shoqërojnë fëmijët u duhet të respektojnë orarin e përcaktuar nga institucioni, si dhe distancën prej 1.5 metra. Ndërsa fëmijëve do tu matet temperatura dhe do tu dezinfektohen duart para se ata të hyjnë në ambientet e kopshtit, apo çerdhes. Po ashtu do tu dezinfektohen këpucët apo sandalet.
Puna nga stafi i edukatoreve për të bërë gati ambjentet e institucioneve parashkollore ka nisur prej disa ditësh. Jashtë kopshteve, por edhe brenda tyre janë të afishuar posterë të ndryshëm, ku u mësojnë fëmijëve se si duhet të sillen me bashkëmoshatarët brenda këtyre ambjenteve gjatë kësaj periudhe.
Rregullorja e cila është shpërndarë në të gjitha kopshtet dhe çerdhet sqaron masat që duhet të marrin këto institucione për të mbrojtur fëmijët nga koronavirusi që ende vijon të jetë aktiv. Sipas këtij protokolli mjediset e këtyre institucioneve duhet të shfrytëzohen maksimalisht, fëmijët duhet të qëndrojnë në grupe të vogla dhe nuk duhet të përzihen me grupet e fëmijëve të tjerë.
E gjitha kjo duket të jetë e pazbatueshme, siç pohojnë vetë edukatoret dhe prindërit e të vegjëlve. Ata e shohin absurde që fëmijët të mos preken dhe rrinë pranë njëri-tjetrit, ndaj shumë prindër nuk duan ti çojnë të vegjlit e tyre.
Bashkia Tiranë dhe kreu i saj Erion Veliaj, inspektuan kopshte në kryeqytet dhe duke u mburrur, Veliaj tha se do të ruhet distanca me 8 apo 9 vetë në grup. Edukatoret dhe prindërit e quajnë thjeshtë propagandë e për më tepër gënjeshtër.
“E si mund të jenë grupet në 8 a 9 vetë siç na i paraqiti shoku Veliaj në fotot e tij, kur dihet që grupet kanë 30 e 40 fëmijë. A mos vallë morën zgjerim çerdhet e kopshtet dhe befas u katërfishuan hapësirat e tyre që të mund të rrijnë kaq pak në çdo dhomë”?, pyesin ironikisht prindërit.
Në kushtet e reja, parashihet dhe nëse fëmija shfaq temperaturë do të njoftohet prindi për të marrë fëmijën nga ambjentet e kopshtit. Sakaq autoritetet thanë se “të gjithë prindërit kanë plotësuar formularin e vetëdeklarimit për gjendjen shëndetësore të fëmijës dhe gjithashtu kanë konfirmuar në rrugë elektronike tek edukatorja këtë rregullore”. Edhe kjo duket të jetë një gënjeshtër e madhe. Shumë prindër të kontaktuar sot, pohuan se nuk kanë bërë asnjë veprim të tillë.