Një debat është zhvilluar në studion e Byro Politike në Abcnews, mes Drejtoreshës së epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino dhe epidemiologut Erion Dasho.
Debati ka lindur për infektimin personelit mjekësor në QSUT, i cili u raportua nga Ministria e Shëndetësisë ditën e sotme.
Sipas Binos, infermierja është infektuar sepse ka thyer rregullat e sigurisë por epidemiologu Dasho e kundërshtoi duke thënë se masat mbrojtëse mungojnë ndërsa për marrjen e tyre kishte më tepër se 3 muaj kohë.
Më tej gjatë debatit Bino e ftoi Dashon që të kontribuojë në lidhje me masat që duheshin marrë dhe se e ka patur një ftesë të tillë edhe më herët por Dasho u përgjigj se ai i kishte dhënë këshillat e tij që në fillim të epidemisë por se nuk ishin marrë parasysh as nga Bino dhe as nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Debati:
Silva Bino: Infermierja ka thyer rregullat e sigurisë dhe kjo është e qartë. Pikërisht kjo ka qenë që me hapjen dhe funksionimin. Evidentimi i infermieres erdhi si rezultat i kontrollit në spital. Ne kemi pasur spitalin infektia apo t tjera që nuk kanë pasur këtë shpërthim.
Erion Dasho: Silva kishe 3 muaj kohë që të mos infektohej mjeku i QSUT, se është turp, dihej qe ka Covid, po të shohësh italianët
Silva Bino: Kjo ka ndodhur në Itali, ka ndodhur në Francë, ka ndodhur në Gjermani
Erion Dasho: Ka ndodhur në shkurt kur kishte dyndje, nuk ka ndodhur në moment qetësie. Mjeku italian kur jep shërbimin mjekësor është i veshur komplet me masa mbrojtëse.
Silva Bino: Në QSUT ka një njësi të kontrollit të infeksionit. Qsut-ja në krahasim me shumë qendra të tjera ka një organizim me shumë qendra të tjera të kontrollit të infeksionit dhe pikërisht kjo është një arsye që mua normalisht nuk më vjen mirë. Brenda QSUT ka një komitet të kontrollit të infeksionit.
Erion Dasho: Çfarë ka bërë kjo njësi prej 3 muajsh që ka Covid. Po të shohësh mjekun në qendër terciare në Itali ofron kujdes shëndetësor me maskë me filtra anti-viral ndërsa ju në qendër terciare infermieri shkon pa maskë për tu kujdesur për pacientin. Ti mund të thuash çfarë të duash por asnjë profesionist nuk mund të mbrojë këtë që në qendër terciare një infermier ofron shërbimin pa maskë.
Silva Bino: Nuk po e mbroj. Jo kaq nervoz, ke qenë i ftuar që të vije të kontribuoje.
Erion Dasho: Kam kontribuar dhe të gjithë sugjerimet e mia i ke marrë edhe i ke hedhur në kosh. Po ti kishit marrë parasysh këshillat e mia që në fillim të epidemisë, nuk do ishim këtu ku do jemi sot. Ti e di shumë mirë dhe nuk ka nevojë ti hapim për publikun se janë biseda mes kolegëve.
Silva Bino: Mos të flasim në teori. Stafi i kontrollit të infeksionit janë trajnuar, natyrisht përparësi u është dhënë atyre që do të trajtonin pacientët me covid. Kjo situatë do të vazhdojë, derisa e kemi virusin midis nesh ne duhet të kemi kujdes.
Erion Dasho: Ju po thoni meqë kemi virus duhet të jemi të kujdesshëm, kujdes do të thotë të mos kesh infeksion në QSUT.
Gjatë ditës së sotme Ministria e Shëndetësisë raportoi se një infermiere kishte infektuar një pjesë të stafit mjekësor dhe pacientë në QSUT./abcnews.al