Pasi nuk ua mbushi dot dje mendjen shqiptarëve se pse vendosi të shkelte premtimin për rikthimin e ligjit të importit të mbetjeve në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ka gjetur sot një tjetër justifikim.
I vënë në shënjestër të akuzave për korrupsion, Rama shkruan në Facebook se ligji u bë për të mos falimentuar industria ricikluese, pasi sipas tij falimentimi i kësaj industrie sot, do të thoshte një Shqipëri më e ndotur nesër” thotë Kryeministri
Postimi i Ramës: “Zhurma e orkestruar e atyre që duan të nxjerrin përfitime politike duke trembur njerëzit dhe e atyre që nuk duan të dëgjojnë po vetëm të flasin, është edhe këtë herë një thikë e cila u ngulet pabesisht në tru njerëzve që për shkak të tmerreve e poshtërsive që kanë parë apo pësuar në të shkuarën, e dëgjojnë këtë kor zhurmaxhinjsh profesionistë!
Ligji i votuar mbrëmë nuk ka asnjë lidhje me plehrat ogurzeza, po është vetëm një hap i natyrshëm dhe i domosdoshëm për të normalizuar situatën ligjore në lidhje me riciklimin e mbetjeve të listës së gjelbërt të Bashkimit Europian; për të fuqizuar industrinë e lehtë të riciklimit me qëllim rritjen e përpunimit edhe të mbetjeve të vendit.
Dëgjojeni mirë: Falimentimi i kësaj industrie sot, do të thoshte një Shqipëri më e ndotur nesër! Jo më kot e gjithë pjesa e shëndoshë e specialistëve të mjedisit dhe e ambientalistëve që pasion ka mjedisin jo protestat pa arsye, kanë dhënë kontribut në hartimin e ligjit dhe e mbështesin atë.
Të tjerat janë broçkullat e radhës që dalin nga kazani i politikës së ulët të interesave të atyre që donin të digjnin në Shqipëri, plehrat e importit!”
Por edhe pas këtij postimi, komentuesit e kanë masakruar kryeministrin me komente duke mos i besuar shpjegimit të tij. Disa i shkruanin që të pastrojë plehrat e Shqipërisë më përpara, dikush i kujton se është bërë si Enver Hoxha.
Një tjetër e ironizon se kryeministri kështu thotë gjithmonë. “Zhurmë e orkestruar është përgjigja në të gjitha rastet. Për armët kimike, për blerjen e votave, për thasët me miell, për avionët, për këtë, për atë për të gjitha! Vallë i kemi të gjitha punët në rregull se s’po e marrim vesh?!”, shkruan tërë ironi një komentues. Të tjerë i kërkojnë të tërheq ligjin, duke i thënë se është bërë më keq se Berisha, e kështu me radhë nuk mbarojnë komentet negative ndaj kryeministrit.