Nga Ilir LEVONJA
Në studiot televizive debati për teatrin ka degraduar në atë farë feje sa e vetmja gjë që mund të themi është ajo që, shqiptarë ju kurrë nuk keni për ta kuptuar se çfarë keni humbur me prishjen e teatrit. Ndofta edhe për 30 vjet të tjera, ndofta edhe për 50 vjet, e gjitha është një devijim total nga thelbi, krimi i pastër karshi historisë suaj.
Por ju nuk doni ta kuptoni dhe arsyeja është te vazhdimësia e tifozllëkut të sforcuar për shkak se jeni kapur burrat nga topet dhe gratë nga fyti. Ju kanë budallepsur sa nuk e keni për gjë të ulni shpinën. Jeni ca toga që ecni me marsh paradash, majtas kthehu, djathtas vrapo.
Ju nuk keni për ta kuptuar atë që duke rrëzuar ato mure varrosët Sulejman Vokshin, Avdyl Frashërin, Hasan Prishtinën, Plakun e Ucajve etj. I varrosët ju pasi koha ua fali me bujari një plejadë që bën art të madh në një kacolle, një barakë kazerme, një donacion fashist, që për faqen tuaj të zezë ka investuar më shumë se ju në këto 100 vjet shtet.
Një harbutëri televizive kamerash që nxirrte nga rrënojat e kohës kostumet e Sulejman Pitarkës a Kadri Roshit, të Drita Pelingut, a Tinka Kurtit…, është krim i pastër karshi historisë sonë. Për më tepër karshi shkollës sonë që ka akoma moshë motake përballë asaj të kontinentit. Po ku e kupton këtë një hajvan administrate që ka ardhur në pushtet për shkak se i falet teserës së partisë apo grupit me hori që shkon pas një legeni i cili quan demokraci faktin që ka fituar vota.
Ato garderoba nën rrënoja janë me plot gojën zhvarrimet e krimit që kanë bërë birbot dhe tufa e legenëve që me faqet e tyre komike, webe, televizione etj., nuk kanë bërë asgjë tjetër por 15 vjet rroftë Berisha dhe poshtë Rama, e 15 të tjera poshtë Berisha e rroftë Rama.
Ndaj kemi sot një shoqëri që flet vetëm me dy gojë, atë të Ramës dhe atë të Berishës, e si përfundim një shoqëri që kurrë nuk foli një herë me gojën e saj. Ju kurrë nuk keni për ta kuptuar se ato mure, ajo ngrehinë mbante qark, atyre tallaishteve me merimanga e lagështirë, shpirtrat. Shpirti është një grimë pluhuri, një flutur që u dalldiset përsipër e ju mbron me një kujdes hyjnor.
Ju mbron edhe kur mëkatoni pasi janë kthyer në ëngjuj, por ku kuptoni ju nga këto, ku i jetoni këto ndjesi, ju i vrisni edhe pse i keni si ëngjuj qark e mbi veten. Por ju nuk shikoni as horizont, as qiell, se nuk i njihni, ju shikoni vetëm duart, xhepat. Keni kaq pasion të mundni njëri-tjetrin sa jeni verbuar dhe ky verbim ju ka bërë katilë, xhelatë, kriminelë. Koha ju ka damkosur tashmë por ju as që e çani bythën. Sepse kujtoni se bëni kohën duke vrarë siç vranë para’ardhësit tuaj.
Ju kurrë nuk do ta kuptoni se çfarë shtyp tabani i këmbës tek pragu i derës, lë aty me shekuj dhimbjen e gjunjëve të burrave e burrneshave që shkelën aty. Si mund ta shembësh pragun ku shkeli Loro Kovaçi, Luan Qerimi, Liza Laska, Prokop Mima, Ndrek Shkjezi, Bep Shiroka, Sulejman Dibra etj… dhe të thuash merre hidheni tek landfildi i mbrturinave se do ta bëj prej qelqi. A e dini sa me fat ishim që i kemi? Jo nuk e besoj…, po ta dinit do shkonit aty përditë me shishe uji, do e lanit, freskonit. Por asesi që nuk e dini.
Jeni një tufë shpifësirash që kujtoni se keni kapur qiellin me ca vota të vjedhura, me ca qorra që kanë për kulturë dorën makiaveliste të shefit, ca shifra me grushtin tek tëmthi. Si do u thoni brezave nesër për qelqet a katet me qelqe, këto janë poturet e Isa Boletinit, nga garderoba e teatrit që varrosëm, e shikoni mbi krimin kemi ngritur këtë shkëlqim.
Çfarë do bëni me bredhat që ua mbollët me ceremoni korifejve për të përfituar vota. Çfarë do bëni me brekët e Violeta Manushit, metafora e perversit tuaj, kancerit të ekonomisë shqiptare, covidi që po ju helmon me lëmosha bashkije?A Keni nevojë për lëmosha e të thoni të keqen nëna rrofsh që më dhe, apo për dinjitet të qytetarit? Jeni bërë popull lëmoshash dhe prapë thoni rroftë Edi. Kurrë nuk keni për ta kuptuar dhe Zoti ju mëshiroftë e ju pranoftë.