Nga Boldnews.al
Hyrja e deputetit Përparim Spahiu në garën për kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim kaloi pa zhurmë mediatike.
Pjesa më e madhe e mediave e kaluan këtë lajm si një lojë të Metës për të treguar se LSI funksionon demokracia. Pasi përveç Spahiut në këtë garë ka hyrë edhe Shezai Rrokaj.
“Vendosa sot të kandidoj për kryetar të LSI-së! Nuk mund të vazhdojmë më kështu, shumë gjëra duhet t’i ndryshojmë në bashkëqeverisje”, deklaronte Spahiu në profilin e tij në rrjetin social Tëitter për hyrjen në garë.
Por në fakt, lajmi nuk është tek hyrja e Spahiut në garë, por te mesazhi i tij për qeverisjen.
“Nuk mund të vazhdojmë më kështu, shumë gjëra duhet t’i ndryshojmë në bashkëqeverisje”, theksonte Spahiu.
Boldnews.al ka mësuar se hyrja e Spahiut në këtë garë ka qenë e koordinuar me kreun aktual të LSI-së, Ilir Meta.
Përparim Spahiu ka qenë nga të pakët në radhët e LSI-së që ka sulmuar “Rilindjen”. Ai pati akuzuar qeverinë për mosmbajtjen e premtimit të Rrugës së Arbrit dhe arriti deri aty sa kritikoi haptazi ambasadorët e huaj për vettingun gjatë debateve për reformën në drejtësi.
Me një “kundërshtar të Rilindjes” dhe nëpërmjet garës për kreun e partisë, Ilir Meta do ti bëjë presion kryeministrit Edi Rama për mënyrën e qeverisjes, por edhe për koalicionin qeveritar.
Spahiu do të jetë pikërisht kandidati që në emër të garë, do të kërkojë ndryshojë ndryshimin e politikave qeverisëse, ku do të kritikojë ministrat socialistë që nuk janë të “preferuarit” e LSI-së.
Në strategjinë e përgatitur nga Meta, Spahiu do të kërkojë një riformatim të plotë të kabinetit qeveritar. Një dëshirë kjo e hershme e LSI-së, por që Rama deri tani ka bërë veshin e shurdhër.
Ndërkohë që me afrimin e zgjedhjeve, LSI ka nisur të tregojë një distancim nga politikat e Partisë Socialiste. Një distancim që ka nisur që nga reforma në drejtësi, ku përplasje mes Ramës dhe Metës arritën një pikë kulmore, sa Meta kërcënoi me qeveri teknike.
Përplasjet mes dy partive vazhduan edhe për çështjen e maturantëve, ku LSI kërkoi nga Ministria e Arsimit që të reflektonte për kërkesat e tyre. Madje LSI bëri edhe vetë një propozim për të zgjidhur kaosin me maturantët.
Një kritikë e LSI-së në drejtim të Partisë Socialiste ishte edhe kërkesa që i bënë kryebashkiakut Erion Veliaj që të merrte masa për trafikun që ka shkaktuar në Tiranë me ndërtimin e “Sheshit Skënderbej”.
Në këtë linjë, edhe analisti Fatos Lubonja deklaroi dje për Ora News se koalicioni qeveritar ka mjaft dritëhije. Lubonja solli edhe disa detaje duke thënë se Meta kërkoi të dilte nga koalicioni, por Rama i bleu deputetët.
“Ka shumë zëra që tregojnë se Meta ka dashur të dalë nga ky koalicion dhe të ndërtojë një qeveri teknike. Por mazhoranca ja bleu aq deputetë sa ju deshën, bleu dhe partinë e Idrizit. Meta pati një tërheqje në këtë drejtim, por mbetet konflikti. Sa do përpiqet Rama a Tahiri ta mbulojnë diellin me shoshë, nuk munden dhe Metës i duhet të tërhiqet nga kjo të thotë që s’ka lidhje sepse s’i dihet si shkojnë gjërat nesër. I duhet të bëjë një distancim nga kjo pjesë”, deklaronte Lubonja.
Beteja nën rrogoz mes dy aleatëve do të marrë fund në datë 6 nëntor, kur LSI do të zgjedhë kryetarin e partisë dhe nën justifikim e kërkesave të rivalëve në garë (Spahiu dhe Rrrokaj) dhe elektoratit,
Meta do të kërkojë ndryshime rrënjësore në politikat e qeveritare, por edhe largimin e disa ministrave, ku do të kërkohet edhe koka e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Largimi i Tahirit nga Ministria e Brendshme ka qenë një kërkesë e kahershme e Metës, por Rama nuk ka pranuar në asnjë moment të dorëzojë një nga njerëzit e tij më të besuar. Ndërkohë Meta polemizoi edhe ditët e fundit për trafikun e drogës në vend, ndërsa Tahiri i kujtoi kreu të LSI-së qeverisjen me Berishën.
Pas mbarimit të zgjedhjeve në parti dhe në bazë të plotësimit të kërkesave të tij nga ana e kryeministrit Edi Rama, Ilir Meta do të do të vendosë edhe nëse do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme në koalicion me Partinë Socialiste.
Për këtë arsye, kreu i LSI-së ka lënë në pritje edhe ftesën e Partisë Demokratike për një koalicion të ri mes tyre.