Në një ceremoni të drejtuar nga Papa Françesku në bazilikën e Shën Pjetrit është shenjtëruar Nënë Tereza.
Ajo u shenjtërua 13 vite pas Lumturimit nga Papa Gjon Pali i II-të dhe 19 vjet pas vdekjes.
Pas lutjes së shënjtorëve Papa Françesku me formulën tradicionale të shenjtërimit shpalli Nënë Terezën Shenjtëri:
“Në nderim të Hyjnisë së Shenjtë, për lartësimin e fesë katolike dhe rritjen e jetës së krishterë, me autoritetin e Zotit tonë Jezu Krisht, të Apostujve të Shenjtë Pjetër e dhe Palit. pas shqyrtimit të gjatë, pasi kërkuar disa herë “ndihmë hyjnore dhe dëgjuam mendimin e shumë prej Peshkopëve tanë vëllezër, ne deklarojmë dhe të shpallim Shënjtëri Shën Tereza e Bekuar e Kalkutës, duke e skalitur në librin e shenjtorëve, duke vendosur në të gjithë Kishën dhe duke e nderuar me devotshmëri mes shenjtorëve. Në emër të Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë.”
Pas kësaj formule një duartrokitje e gjatë mbushi sheshin. Në ceremoninë e shenjtërimit në sheshin “Shën Pietri” që nisi prej orës 10:30 të paradites morën pjesë 13 krerë shtetesh e qeverish dhe mbi 100 mijë besimtarë.
Të shumtë në numër dhe shqiptarët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia por dhe shumë prej atyre që jetojnë në emigracion. Sot ishte shumë e lehtë të dëgjosh të flasin në gjuhën shqipe në sheshin “Shën Pjetri”, sikundër të dalloje shqiptarët nga flamujt me simbolet kombëtare që ata valëvitnin apo mbanin të hedhur krahëve.
Ceremonia e Shenjtërimit të Nënës Tereze si dhe mesha e Festës së Shenjtores Terezë u transmetua nga qendra televizive e Vatikanit, si dhe nga 120 televizione të ndryshme në botë, përfshirë edhe televizionet nga Shqipëria dhe Kosova.
600 gazetarë e 125 korrespondentë televizivë të akredituar për të ndjekur këtë ngjarje të madhe.
Ceremonia u monitorua nën masa të rrepta sigurie. Prani e shtuar jo vetëm e policisë, por dhe të Ushtrisë italiane. E gjithë zona e Shën Pjetrit ishte ndarë në tre pjesë në formë rrathësh koncentrik, për të garantuar një mbulim sa më të mirë sheshit, i cili është nesër zemra e aktivitetit.
Por cila ishte Nënë Tereza dhe përse bota po i kushton asaj kaq shumë vemendje?
Agnesë Gonxhe Bojaxhiu lindi në vitin 1910, në një familje shqiptare (prindërit e lindur në Kosovën e sotme), në Shkup.
Rrugëtimin si murgeshë e nisi në Kishën e Letnicës në Kosovë, në moshën 17-vjeçare.
Dy vjet më vonë udhëtoi drejt Indisë ku krijoi urdhrin e saj Misionaret e Bamirësisë, i cili edhe sot udhëheq shtëpi për fëmijë të braktisur, njerëz të varfër dhe të sëmurë.
Papa Françesku ka njohur zyrtarisht dy mrekulli, që besohet se janë vepër e Nënë Terezës dhe që i hapën asaj rrugën për t’u bërë shenjtore.
Në vitin 2008, u bë e ditur se ajo kishte shëruar një brazilian, i cili vuante nga disa tumore të trurit.
Marcilio Haddad Andrino thotë se mjekët nuk i kishin dhënë asnjë shpresë për të jetuar, por gruaja e tij Fernanda vazhdimisht lutej për të dhe beson se ishte ndërhyrja e Nënë Terezës që ai të shërohej kur ishte nën kujdesin intensiv.
Prifti kanadez Brian Kolodiejçuk, kryesoi përpjekjet që Nënë Tereza të bëhej shenjtore.
Ai thotë se kanonizimi i Nënë Terezës është njohja e faktit se ajo jo vetëm që e zhyti veten në varfërinë materiale të të varfërve, por edhe në varfërinë shpirtërore të atyre që ndiheshin të braktisur.