Elton Ilirjani është ndër të paktët homoseksualë në Shqipëri që e ka thënë me zë të lartë prirjen e tij dhe nuk është frikësuar në asnjë moment.
Biznesmeni ka rrëfyer se në vitin 1991, kur ndodhej në një bilardo, shkroi një letër për një mashkull, të cilit ia dha nëpërmjet shokut të tij.
Për këtë veprim, Elton Ilirjani nuk u përball asnjëherë me diskriminim apo ofendim. Madje ofendimet më të mëdha i ka marrë nga vetë komuniteti LGBT.
“Në vitin 1991 në Tepelenë i kam nisur një letër dashurie një mashkulli dhe ia kam nisur me një shokun tim në bilardo ku ishin të gjithë meshkujt. Nuk kam qenë asnjëherë i fshehtë. Shqiptarët po i ngacmove tek bërthama e tyre nuk të bien në qafë. Nuk reaguan keq. Nuk është diskriminim kur habiten njerëzit. Nuk më ka ofenduar asnjë. Ofendimet më të shumta i kam marrë nga LGBT vetë që kanë imazhe të fshehta. Nuk duhet bërë dramatike. Shqipëria është vend më mendjehapur se Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova. Shqipëria nuk e ka të shtuar dhunën ndaj LGBT më shumë sesa e ka ndaj grave. Por vriten gra çdo ditë në Shqipëria. Shqipëria po bën progres me emancipimin”, tha ai në emisionin “Shqipëria Live”.
Nuk la pa përmendur arrestimin e Hermes Nikaj, të njohur si Zogu i Tiranës, për të cilin tha se duhet të dënohet nëse akuzat ndaj tij janë të vërteta.
Përveç kësaj, shtoi se është turp për komunitetin pasi është munduar të fshehë prirjen e tij seksuale duke qëndruar krah femrave.
“Është turp i madh sepse se ka pranuar kurrë publikisht që është gay. Ai tërë jetën hiqej sikur ishte feminist, ishte me femra gjithë kohës, fliste për jetë luksoze dhe ndërkohë nuk e pranonte fare që ishte gay. Të gjithë e dinin që ishte gay, prandaj e merrnin”, tha Ilirjani.