Të paktën nëntë zona të reja minerare do të nxirren për interes për bizneset e interesuara të këtij sektori që duan të marrin një leje. Në një dokument të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë bëhen të ditura edhe detajet mbi këto zona duke nisur nga përcaktimi i koordinatave dhe zonave gjeografike e deri tek lloji i mineralit, vlera minimale e investimit apo rezerva e vlerësuar.
Ministria njoftoi se në datat 4 dhe 5 mars pritet që të dorëzohen edhe ofertat për secilën nga zonat e nxjerrë në procedurë konkurruese dhe për të cilën do të ketë interes. Konkretisht në datë 4 mars do të dorëzohen ofertat për zonat Nr. 326/6, Nr. 364/1, Nr. 364/2, Nr. 47, Nr. 327/2 dhe në datë 5 mars për zonat Nr. 436/1, Nr. 780/5, Nr. 371/2, Nr. 321/1.
Por cili është minerali që përkufizon secilën zonë dhe cilat janë detajet specifke prezantuar nga ministria?
E para është zona Nr. 326/6 me objekt në Macukëll, Mat,Qarku Dibër. Minerali është gëlqeror i mermerizuar me një rezervë 1 milionë ton m3 dhe vlera minimale e investimit llogaritet në 26 milionë lekë.
Zona e dytë Nr. 364/1 me objekt në Kodrën e Trullit, Qarku Kukës. Minerali është Herku-Nikeli me një rezervë në ton prej 3.8 milionë ton/m3 me një investim minimal jo më pak se 97.5 milionë lekë.
Zona e tretë është Nr. 364/2 sërish në Kodrën e Trullit, Qarku Kukës. Mineral Herku-Nikeli dhe vlera minimale e investimit sërish 97.5 milionë lekë.
Zona katër është ajo minerare me numër 47 me objekt në Skantinë në Kukës me mineral Krom dhe me një rezervë 108 mijë tonë/m3. Vlera minimale e investimit llogaritet 7.8 milionë lekë.
Zona e pestë minerare është ajo numër Nr. 327/2 (Objekti Mertur), Fushë Arrëz, Qarku Shkodër, me rezervë 150 mijë ton/m3 gëlqeror të mermerizuar dhe me një vlerë investimi minimal prej 26 milionë lekë.
Zona e gjashtë është ajo numër Nr. 436/1 (Objekti Cukaj – Krastë), Bulqizë, Qarku Dibër. Minerali është kromi dhe llogaritet në 4480 ton/m3 si rezervë ndërkohë që vlera minimale e investimit 7.8 milionë lekë.
Zona shtatë ajo Nr. 780/5 (Objekti Mali i Kaltanjit), Qarku Korçë. Minerali është gëlqeror masiv apo gur dekorativ me një rezervë 200 mijë ton/m3 dhe me një vlerë investimi minimale prej 26 milionë lekë.
Zona e tetë është ajo Nr. 371/2 (Objekti Floq), Qarku Korçë për mineralin gëlqeror pllakor me një rezervë 6 milionë ton/m3 dhe me investim minimal 26 milionë lekë.
Zona e fundit është ajo Nr. 321/1 (Objekti Mbreshtan), Qarku Berat për mineralin gëlqeror pllakor me rezervë 180 mijë ton/m3 dhe me një vlerë investimi minimale prej 26 milionë lekë. /Monitor/